Një operacion antikanabis është mbajtur në Shkodër, Vaun e Dejës, Malësi të Madhe dhe në Pukë ku janë asgjësuar 15 mijë e 396 rrënjë kanabis.
Njoftimi i plotë
DVP Shkodër
Finalizohet faza e njëmbëdhjetë e megaoperacionit policor antikanabis të koduar “Alpe të pastra”, si rezultat i kontrolleve në territoret e bashkive Shkodër, Vau i Dejës, Malësi e Madhe dhe Pukë.
Operacioni u zhvillua gjatë një jave, nga DVP Shkodër, Komisariatet e Policisë Shkodër, Vau i Dejës, Malësi e Madhe dhe Pukë, në bashkëpunim me Drejtorinë Rajonale AMP Shkodër-Lezhë dhe FNSh Tirana.
Në operacion u angazhuan 1500 punonjës policie, të cilët përdorën 5 dronë, 330 automjete dhe 2 skafë, për kontrollin e territorit.
Asgjësohen 15 395 bimë të dyshuara narkotike cannabis sativa që u gjetën gjatë kontrollit nga shërbimet e Policisë, në disa fshatra të bashkive Shkodër, Vau i Dejës, Malësi e Madhe dhe Pukë.
Vijon puna për identifikimin dhe kapjen e autorëve të kultivimit të bimëve narkotike.
Shërbimet e Policisë të DVP Shkodër dhe të Komisariateve të Policisë Shkodër, Vau i Dejës, Malësi e Madhe dhe Pukë, në bashkëpunim me Drejtorinë Rajonale AMP Shkodër-Lezhë dhe me FNSh Tirana, si rezultat i kontrollit të territorit, duke përdorur dhe dronë, kanë finalizuar fazën e njëmbëdhjetë të megaoperacionit policor antikanabis të koduar “Alpe të pastra”, në përfundim të së cilës u asgjësuan në total 15 395 bimë të dyshuara narkotike cannabis sativa, prej të cilave:
13867 bimë në Pult, Shosh, Shalë dhe Rrethina, Shkodër; 1145 bimë në fshatrat Toplan dhe Vig, Vau i Dejës; 133 bimë në fshatin Kastrat, Malësi e Madhe dhe 250 bimë në Fushë Arrëz, Pukë.
-Gjatë fazave të mëparshme të këtij megaoperacioni, janë asgjësuar në total 58 184 fidanë dhe bimë narkotike cannabis sativa, janë vënë në pranga 4 autorë të dyshuar dhe janë shpallur në kërkim 9 të tjerë.
Megaoperacioni policor antikanabis “Alpe të pastra”, vijon.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme hetimore./m.j