Një aksident i rëndë ka ndodhur pasditen e sotme (19 gusht) në zonën turistike të Komanit, në Shkodër.
Dy mjete lundruese të llojit skafe janë përplasur me njëra-tjetrën, në afërsi të Lumit të Shalës.
Siç raportohet nga informacionet e para, nga përplasja mes dy mjeteve dyshohet se kanë mbetur të plagosur rreth 8 persona, të cilët bënin lundrim për qëllime turistike.
Policia pritet të japë detaje më të hollësishme pas hetimeve që do të kryejë për dinamikën dhe gjendjen e të plagosurve. Paraprakisht dyshohet se shkak ka qenë shpejtësia e madhe me të cilën lundronin mjetet.
Të lënduarit po transportohen në drejtim të Spitalit të Shkodrës për të marrë ndihmën mjekësore, ndërsa distanca dhe terreni i vështirë e bëjnë të vështirë transportimin e tyre.
Në ndihmë të personave të lënduar kanë dalë banorë të zonës dhe persona të tjerë me varka, të cilët po kontribuojnë në nxjerrjen dhe transportimin e tyre drejt zonave ku mund të marrin ndihmë mjekësore.











