Aplikacionet si Viber apo Whatsapp janë bërë një mjet gjithnjë e më i përdorur komunikimi, falë përhapjes në rritje të telefonave inteligjentë dhe shtrirjes së rrjeteve celulare drejt teknologjive 3G dhe 4G.
Këto aplikacione ofrojnë mundësi komunikimi me tekst, multimedia dhe me telefonata zanore, duke u bërë një zëvendësues optimal i komunikimit direkt nga rrjetet celulare, sidomos tek më të rinjtë.
Sipas të dhënave nga Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare, për tremujorin e dytë të vitit 2016, numri i përdoruesve të internetit broadband nga telefoni celular arriti në 1.4 milionë, 55% më shumë krahasuar me një vit më parë.
Ndërkohë, numri i mesazheve të shkruara u rrit pas disa tremujorësh radhazi në rënie, me 8% më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Rënia e trafikut të thirrjeve nga celularët tregon një lloj ngopjeje të individëve nga bisedat e gjata në telefon, fenomen ky i mundësuar nga paketat e shumta me ofertë të njësive të komunikimit.