Kryetari i Akademisë së Shkencave akad. Skënder Gjinushi përshëndeti organizimin e kësaj veprimtarie dhe vlerësoi personalitetin shkencor të Bahri Becit në mbi gjashtë dekada veprimtari.
Akademik Bahri Beci, tha ai, i takon një brezi dijetarësh që u formua në kohën kur në Shqipëri universiteti shtetëror i porsathemeluar, Universiteti i Tiranës, po diplomonte brezin e parë.
Akademia e Shkencave (Seksioni i Shkencave Shoqërore dhe Albanologjike) organizoi sot më 2 mars 2021 në 85-vjetorin e lindjes së akademikut Bahri Beci një veprimtari shkencore-jubilare dhe promovimin e botimit të tij të fundmë “L’union linguistique balkanique à la lumière des données de la langue albanaiseˮ (ˮLidhja gjuhësore ballkanike nën dritën e të dhënave të gjuhës shqipeˮ).
Për shkak të kushteve të pandemisë, veprimtaria u zhvillua online, me një pjesëmarrje shumë të kufizuar në sallën “Aleks Buda”.
Akad. Pëllumb Xhufi, kryetar i Seksionit të Shkencave Shoqërore dhe Albanologjike, çeli veprimtarinë jubilare, duke i uruar kolegut Beci në emër të Kryesisë së Akademisë së Shkencave, të kolegëve dhe pjesëmarrësve jetë të gjatë e gëzime në jetën e tij.
Kryetari i Akademisë së Shkencave akad. Skënder Gjinushi përshëndeti organizimin e kësaj veprimtarie dhe vlerësoi personalitetin shkencor të Bahri Becit në mbi gjashtë dekada veprimtari.
Akademik Bahri Beci, tha ai, i takon një brezi dijetarësh që u formua në kohën kur në Shqipëri universiteti shtetëror i porsathemeluar, Universiteti i Tiranës, po diplomonte brezin e parë. Për specifikën e fushës që ai kishte zgjedhur, për t’u formuar si studiues i historisë së gjuhës shqipe; ashtu si dhe për disa fusha të shkencave natyrore, iu dha mundësia që dijet e fituara në vendin e lindjes t’i thellonte më tej në Francë, në Institutin e Fonetikës dhe të Gjuhësisë së Zbatuar pranë Universitetit të Sorbonës, duke u specializuar për fonetikë e fonologji. Si ndër ballafaqimet e para midis dy shkollave me nivele të ndryshme kërkesash, kjo nuk ishte një ndërmarrje e lehtë, me sukses të garantuar, por Bahriu, me aftësinë, këmbënguljen dhe skrupulozitetin që e karakterizon, ia doli mbanë. Kjo i hapi rrugën që në këtë universitet akademiku ynë të mbronte doktoraturën, me studimin “Le système vocalique et consonantique du parler de ville de Shkodra”, punë që do të vijohej në Tiranë me monografinë “Të folmet e gegërishtes qendrore”. Në këtë rrugë formimi tek ai u bashkuan dialektologu me foneticienin, studiuesi i gjendjes së sotme dialektore me atë të historisë së lindjes dhe zhvillimit të tyre, duke dhënë kontribute origjinale rreth tezës që si konvergjenca, ashtu dhe dallimet ndërdialektore, u shfaqën me lindjen e shqipes, ndërsa rrethanat e mëvonshme historike pak rol luajtën. Për më shumë se një gjysmë shekulli ai bëri kërkime të suksesshme për dialektet e shqipes, historinë e formimit të tyre dhe për rëndësinë e të dhënave të dialektologjisë historike për vërtetimin e karakterit vendës dhe të vazhdimësisë historike të shqiptarëve në trojet e veta. Jeta profesionale e Bahri Becit është realizuar, thënë me dy fjalë, nga metropoli në rrethina, nga aulat universitare pariziene (si student e si mësimdhënës) në krahinat më të thella të vendit, ku jetoi e arkivoi lëndë gjuhësore me shumë vlerë për sot e të ardhmen, – tha ndër të tjera akad. Skënder Gjinushi, duke theksuar se dashuria shkencore e tij për dialektet është e lidhur me vlerësimin e tyre si trashëgimi shpirtërore e popullit, si bazë e burim i përhershëm për pasurimin e gjuhës së sotme të njësuar.
Akad. Gjinushi foli për të gjitha pikat kulmore të jetës shkencore të akademikut Bahri Beci, që nis qysh në vitin 1958 dhe vazhdon deri më sot. “Vepra e akademik Bahri Becit, qoftë në dialektologjinë sinkronike, qoftë në atë diakronike, është prova më e mirë se tek dijetari i vërtetë vetëdija shkencore është ajo që garanton pagabueshmërinë dhe jetëgjatësinë e rezultateve dhe përfundimeve në procesin e kërkimit.” – përfundoi fjalën akad. Gjinushi së bashku me urimin për një jetë të gjatë dhe shëndet të plotë, veprimtari të suksesshme sot e për shumë dekada me radhë.
Prof. dr. Seit Mansaku paraqiti kumtesën për botimin e akad. Bahri Becit “L’union linguistique balkanique à la lumière des données de la langue albanaise”, duke kujtuar kontributin në disa fusha të gjuhësisë dhe të arsimit të akad. Bahri Becit. Gjatë fjalës së tij, prof. dr. Mansaku theksoi meritat e akad. Becit në studimin e dialekteve dhe për tezat që e trajtojnë shqipen si gjuhë të veçantë të Ballkanit, si dhe për ngritjen e problemeve në studimin e akad. Becit për fomimin e tipareve të përbashkëta të shqipes me gjuhët ballkanike.
“Veçantia e këtij botimi është, së pari se në qendër të trajtimit të problematikës së gjuhësisë ballkanike vihet gjuha shqipe, tiparet ballkanike të saj, kontributi i të dhënave të gjuhës shqipe për shpjegimin e origjinës dhe të formimit të tipareve të përbashkëta të gjuhëve të Ballkanit. Së dyti, përfshirja e të dhënave të studimeve dialektore të shqipes në shpjegimin e tipareve ballkanike të gjuhës shqipe dhe shfrytëzimi i tipareve dalluese të dialekteve të shqipes për të shpjeguar origjinën e disa tipareve ballkanike. Në këtë pikë autori ka edhe prurjet e veta si dialektolog i specializuar dhe me përvojë të gjatë në këtë fushë. Po kështu një veçanti tjetër e lidhur me këtë është se autori i ka kushtuar më shumë vëmendje tipareve ballkanike që lidhen me fonetikën historike, siç është ndër të tjera, origjina e fonemës “y”, së cilës autori i ka kushtuar një punim të veçantë me kontribute vetiake, origjina dhe shtrirja e zanores “ë” në disa gjuhë të Ballkanit, dukuria e rotacizmit, etj.” – tha prof Mansaku, duke dhënë edhe një shpjegim për vëmendjen që Bahri Beci i ka kushtuar pikëpamjes së dijetarit danez Kristian Sandfeld mbi origjinën e tipareve të të përbashkëta të gjuhëve të gjuhëve të Ballkanit në vitet 1930, që ka mbrojtur tezën se shumica e tipareve të përbashkëta të gjuhëve të Ballkanit e kanë origjinën nga greqishtja. Kjo tezë ka gjetur edhe miratime edhe kundërshtime nga shumë studiues. Është kundërshtuar edhe nga studiuseit shqiptarë që janë marrë me këtë problematikë. Edhe prof. Bahri Beci mban qëndrim kritik ndaj kësaj teze, e kundërshton atë, duke sjellë si argumente, ndër të tjera, edhe ndarjen dialektore të shqipes, lashtësinë e kësaj ndarjeje. Në kreun vijues autori merret me rolin e shqipes ose të protoshqipes në formimin e lidhjes gjuhësore ballkanike. Siç dihet, shqipja merr pjesë në lidhjen gjuhësore ballkanike në disa nga tiparet themelore të përbashkëta për gjuhët e Ballkanit në sistemin fonetik, gramatikor dhe leksikor, siç janë nyja shquese e paravendosur, e ardhmja e tipit do të punoj, prania e zanores ë etj. Sqarimi i formimit të këtyre dukurive dhe i përhapjes së tyre në gjuhën shqipe dhe në dialektet e saj ndihmon edhe në ndriçimin e e formimit të tyre në gjuhët e tjera të Ballkanit.” – tha ndër të tjera prof. Mansaku, duke çmuar punën e akad. Becit, që zbulon kontributin e shqipes në formimin e tipareve të përbashkëta të gjuhëve të Ballkanit dhe për sqarimin e mëtejshëm të origjinës dhe përhapjes së këtyre tipareve.
Akademik Rexhep Ismajli e uroi nga Prishtina akad. Bahri Becin për botimin e ri dhe në përgjithësi për rezultatet në punën shkencore. Ai u shpreh se e çmon për veprat me natyrë të sintetizuar, duke theksuar dhe falënderuar njëkohësisht akad. Bahri Becin për kontributin e tij në kërkimin e dialekteve në terren dhe që ka dhënë një vepër sintezë të fonetikës së shqipes e më gjerë.
Prof. dr. Anila Omari paraqiti recensionin për botimin e fundmë të akad. Bahri Becit “L’union linguistique balkanique à la lumière des données de la langue albanaise” duke theksuar vëmendjen që akademiku Bahri Beci në studimet e tij gjuhësore të i ka kushtuar edhe pjesëmarrjes së gjuhës shqipe në lidhjen gjuhësore ballkanike, si një nga gjuhët themelore të saj. “Këto studime të akademikut Bahri Beci janë përmbledhur në një vëllim së pari në shqip, botuar në Kosovë në 2001 me titull “Probleme të lidhjeve të shqipes me gjuhët e tjera ballkanike”, dhe tani, në formë më të zgjeruar edhe me studime të tjera, në një vëllim frëngjisht botuar së fundi nga Akademia e Shkencave të Shqipërisë me titullin “Lidhja gjuhësore ballkanike nën dritën e të dhënave të gjuhës shqipe”. Në këto studime ai paraqet pikëpamjet e veta për marrëdhëniet mes gjuhëve ballkanike dhe rolin e gjuhës shqipe në këto raporte. Ai përpiqet të argumentojë rolin parësor të shqipes në këtë lidhje gjuhësore, duke shkuar kështu në një linjë me themeluesit e gjuhësisë ballkanike, linjë të cilën e kanë rimarrë përsëri studiues austriakë të ditëve tona, si Schumacher e Matzinger, për rolin kyç të shqipes në shpjegimin e tipareve të përbashkëta të gjuhëve ballkanike, sidomos të tiparit të prapavendosjes së nyjes. Si shtysë dhe bazë studimore për analizën e rolit parësor të shqipes në këtë lidhje kanë shërbyer një gjysmë shekulli hulumtime në fushën e dialektologjisë shqipe, të kryera prej atij vetë në fillimet e veprimtarisë së tij shkencore dhe të kolegëve të tjerë të Institutit të gjuhësisë”, – tha prof.dr Anila Omari duke theksuar një nga kontributet që sjellin studimet e këtij vëllimi në gjuhësinë ballkanike, që janë të dhënat dialektore të shqipes dhe analiza e tyre diakronike, që flasin për rolin primar të shqipes në këtë lidhje gjuhësore. “Studimet e akademikut Bahri Beci në këtë vëllim synojnë të nxjerrin në dukje lashtësinë e gjuhës shqipe në krahasim me gjuhët e tjera të Ballkanit, rolin thelbësor të saj në formimin e lidhjes gjuhësore ballkanike, dhe jo më pak edhe autoktoninë e elementit shqiptar në trojet aktuale të tij. Në çdo rast autori nuk mungon të theksojë se, për shumë nga çështjet e diskutueshme e të pazgjidhura përfundimisht për të cilat ai jep opinionin e vet, janë të nevojshme studime të mëtejshme e më të thelluara. Duke qenë i përkthyer në frëngjisht, libri do t’i bëjë të njohur publikut ndërkombëtar pikëpamjet e gjuhësisë shqiptare për problemet e lidhjes gjuhësore ballkanike dhe rolin e shqipes në të”, tha prof. dr. Anila Omari.
Më pas akad. Shaban Sinani lexoi përshëndetjen e studiueses franceze Odile Daniel (prof. emeritus) nga Instituti Kombëtar i Gjuhëve të Qytetërimeve të Orientit, Francë (Institut National des Langues etCivilisations Orient), e cila i ka dërguar akad. Bahri Becit me shumë mallëngjim urimet e saj të përzemërta me rastin 85-vjetorit dhe kremtimit të librit të tij botuar në gjuhën frënge. “Para 30 vitesh ne jemi takuar për herën e parë, kur më ftuat në seminarin ndëkombëtar të albanologjisë që ju drejtonit në Tiranë dhe aktivitetet më kanë lënë një kujtim të madh. Si ish-kolegia juaj në Institutin e Gjuhëve Orientale në Paris, unë mund të çmoja me çfarë rrezatimi keni dhënë leksione në këtë institucion, për shkak të diturisë suaj së madhe. Studentët ishin shumë të interesuar t’ju dëgjonin, dhe, me ndërmjetësinë tuaj, kishin nisur të donin shumë Shqipërinë dhe gjuhën e saj të bukur”, shkruan Odile Daniel, e cila, si recensuese dhe redaktore e librit “L’union linguistique balkanique à la lumière des données de la langue albanaise” në gjuhën frënge, premtoi se do të përpiqet në mënyrë që të mund të përhapet sa më shumë ky libër në botën shkencore në Francë.
Akad. Bahri Beci, pasi mori urimet e përzemërta të kolegëve dhe pjesëmarrësve në veprimtarinë jubilare për 85-vjetorin e tij, i emocionuar falënderoi në mënyrë të veçantë kryetarin e Akademisë së Shkencave, akad. Skënder Gjinushin:
“Fjala e tij qe për mua ishte një befasi, të them të drejtën. Nuk arrij ta imagjinoj sesi ai, por ndoshta dashuria, e vërteta, shpirti i njeriut që i ndien gjërat, e bënë të mundur një gjë të të tillë; arriti t’i japë punës sime, që për mendinin tim ka qenë me sakrifica, një dimesion gati-gati të paimagjinueshëm edhe për mua vetë. Kështu që unë e falënderoj në mënyrë të veçantë, nuk ishte thjesht një vlerësim i punës së një anëtari të Akademisë së Shkencave, por ishte një njeri, një shpirt që fliste shumë më gjerë, shumë më thellë dhe të them të drejtën më ka emocionuar me fjalën e tij”, – u shpreh akad. Beci, duke falenderuar më tej edhe akad. Pëllumb Xhufin, prof. dr. Seit Mansakun, prof. dr. Anila Omarin, akad. Rexhep Ismajlin dhe akad. Vasil Tolen.
Vepra e akademik B. Becit “Lidhja gjuhësore ballkanike nën dritën e të dhënave të gjuhës shqipe” në gjuhën frënge vjen në vazhdën e punimeve që kanë si objektiv sqarimin e marrëdhënieve gjuhësore midis gjuhëve të Ballkanit.
Vendosja e shqipes në vendin që i takon në rrethin e gjuhëve ballkanike, si dhe qëmtimi i tipareve ballkanike më të imta, të pavëna re apo të diskutuara përbëjnë objektin e kësaj vepre. I gjithë punimi përshkohet nga ideja se e tërë historia e gjuhës shqipe shfaqet gjithnjë e ndërlidhur me gjuhët e tjera të Ballkanit, të reja apo të lashta, të gjalla apo të zhdukura. Këto tipare vazhdojnë ende të shfaqin ndërveprim në gjuhët e Ballkanit, prandaj krahas studimit të konvergjencave, duhen parë edhe divergjencat midis këtyre gjuhëve për të kuptuar më mirë se nga rrjedhin dhe ç’prirje do të marrin në të ardhmen.