Nga Ben Andoni
Që të kuptosh varësinë e Akademisë së Shkencave nga politika e ditës në Tiranë, duhet të sjellësh ndërmend mungesa e ftesës ndaj prof. Rexhep Qoses, anëtar i saj, nga veprimtaritë shkencore për nder të 100-vjetorit të Pavarësisë kombëtare, me shkakun e kuptueshëm se ishte kundërshtar i qeverisë që shkoi. Ky është një nga elementët, por të tjerë në rradhë mund të japin shumë më tepër indikacione për atë hon që ndan sot institucionin e Akademisë, qeverinë shqiptare dhe vendin për të ardhmen dhe imazhin e këtij institucioni.
Katër vjet më parë, një komision i njohur ekspertësh me emra të respektuar, iu kërkua nga qeveria shqiptare të ç’bënte paradoksin e madh të Akademisë, që në vitet e tranzicionit kishte mbartur mbi vete tre reforma të pasuksesshme. “Na u kërkua të hartonim një platformë për reformimin e sistemit shkencor e rrjedhimisht edhe të Akademisë”, kujton për Javanews shefi i këtij grupi ekspertësh historiani Paskal Milo. Iniciativa e Kryeministrit Edi Rama u mundua të përcillej sa më mirë dhe grupi i ekspertëve punoi për 6-7 muaj rresht duke konsumuar me dhjetëra takime me institucione dhe me komunitetin shkencor në universitete dhe në qendrat e kërkimit shkencor. Rezultat i kësaj pune ishte një raport prej 24 faqesh, i cili iu dorëzua qeverisë shqiptare dhe që andej prej fjalëve të z.Milo, u vlerësua shumë pozitivisht. Që prej dorëzimit të tij, për grupin, nuk u dëgjua më asgjë dhe nuk u pasqyrua asnjë nga vërejtjet. “Jo vetëm prej ndërhyrjeve të paprincipta dhe lobimeve të qarqeve që me sa duket duan të ruajnë gjendjen aktuale të shkencës dhe Akademisë së Shkencave, ky projekt u la mënjanë dhe nuk ka pasur asnjë zhvillim”, u shpreh Milo. “Është shumë e vështirë të ç’bësh një institucion me atë lloj infrastrukture që ka. Të kujtojmë se arkivat e disa institucioneve të saj vlejnë miliona e miliona dollarë”, pohon për Javanews ing. Molnar Kolaneci, një nga anëtarët e këtij komisioni.
Në ditët e fundit pati një lloj zhvillimi, që lindi pas demaskimit që akademik Artan Fuga i bëri zgjedhjeve në këtë institucion nga kolegët e tij, por asgjë. Për fat të keq pati një zhvillim, por ky zhvillim u bë vetëm me një mesazh në Twitter nga kryeministri i vendit, që më shumë sesa nga farsa e zgjedhjeve në Akademinë e Shkencave, u irritua nga paralajmërimi i tij sa i përket procedurës së zgjedhjeve të fundit në institucion. Në fakt debati për Akademinë është i hershëm, porse këto ditë për shkak të karshillëkut që i bëri kryesia e Akademisë kryeministrit është kthyer fuqishëm dhe në orët e fundit është përfshirë dhe Ministria e Arsimit Nikolli. “Më duket një debat shumë i vështirë kur mendon se vetë Akademia ka një lidhje shtetërore dhe se ajo nuk mund të trajtohet në këtë mënyrë, paçka dobësisë dhe problematikës së saj të madhe”, thekson Dr. Moikom Zeqo. “Po në rast se në të ardhmen ky institucion do të hedhë çështjen në gjyq dhe do të fitojë, si do të veprohet?”, shprehet ai me një pyetje retorike. Goditja më e madhe që mori institucioni ishte kur në vitin 2006, Akademisë iu hoqën institutet, duke e kthyer atë vetë në një strukturë honorifike, pa asnjë lloj peshe në jetën shkencore të vendit.
Si është e ndërtuar Akademia?!
Akademia e Shkencave e Shqipërisë është themeluar më 1972 dhe dikur konsiderohej me të drejtë si institucioni më i rëndësishëm shkencor në Republikën e Shqipërisë. Profesorët e nderuar Aleks Buda dhe Eqerem Çabej ishin themeluesit e saj. Në fakt, sipas strukturës së saj, bërë publike ajo përfshin sot shkencëtarë, akademikë, të cilët zhvillojnë veprimtari shkencore në institute dhe qendra kërkimore, si dhe organizma të tjerë shkencorë brenda dhe jashtë vendit. Në fakt, mungesa e këtyre qendrave dhe produkti i tyre ka treguar se niveli i Akademisë është bjerrur vazhdimisht. Sot, akademia ka 24 anëtarë, akademikë; 10 anëtarë, akademikë të asociuar, 26 anëtarë nderi dhe 1 anëtarë nderi i ndarë nga jeta. Akademia është e përbërë nga dy seksione: Seksionin e Shkencave Shoqërore dhe Albanologjike dhe Seksionin e Shkencave Natyrore dhe Teknike. Në strukturën e saj përfshihen gjithashtu edhe Njësia e Projekteve të Kërkim-Zhvillimit Teknologjik e Inovacioneve, Dega e Marrëdhënieve me Jashtë dhe me Publikun, Biblioteka Shkencore dhe Botimet.
Retrospektivë
Por Akademia e Shkencave nuk lindi në truall shterpë. Nga viti 1940-44 funksionoi Instituti i Studimeve Shqiptare, që pas viteve ’90 do të konsiderohej si pararendës i Akademisë së Shkencave. Ai daton që më 8 prill 1940, kur Sekretari i Përgjithshëm i Kryesisë së Këshillit të Ministrave miratoi krijimin e fondacionit “Skanderbeg” si dhe statutin e Institutit të Studimeve Shqiptare. Sipas këtij statuti, Instituti i Studimeve Shqiptare kishte për qëllim t’i jepte hov e të bashkërendonte lëvizjen intelektuale shqiptare në fushën e shkencës, të letrave e arteve. Të përkujdesej për pasurimin e kulturës kombëtare, duke marrë si shembull kombet e përparuara të Evropës, por duke ruajtur njëkohësisht dhe karakterin kombëtar sipas mendësive dhe traditave më të mira kombëtare.
Asokohe Instituti ishte i organizuar në katër komisione kryesore dhe secili prej tyre kishte disa nënkomisione sipas shkencave përkatëse:
- Shkenca morale e historike
- Shkenca fizike, matematike dhe natyrore
- Gjuhë dhe letërsi
- Arte
Instituti ishte i konfiguruar me 48 anëtarë të përjetshëm që formonin edhe Këshillin e Përgjithshëm me sekretar të përgjithshëm At Zef Valentinin. Kryetar i Institutit u zgjodh Ernest Koliqi. Kurse anëtarët e tjerë të Institutit do ishin figura të shquara të inteligjencies shqiptare, si Eqerem Çabej, Aleksandër Xhuvani, At Anton Harapi, Karl Gurakuqi, Lasgush Poradeci, Namik Resuli, At Zef Valentini, Dom Lazër Shantoja, Filip Fishta, At Justin Rrota, Ilo M. Qafëzezi, Anton Paluca, Xhevat Korça, Kolë Kamsi, Ekrem Vlora, Ernest Koliqi, Sotir Kolea, Vangjel Koca, Dhimitër Berati etj.
Për fat Lufta e Dytë Botërore do të ndajë në mënyrë tragjike jetën e shumë prej tyreve syresh, që do të zhduken bashkë me të gjithë punën e tyre shkencore dhe po ashtu nga të gjitha botimet shkencore në vend.
Që në vitin e parë të formimit të këtij Instituti u mblodh për herë të parë Kuvendi I i Studimeve Shqiptare, që do merrej me arritjet shkencore të studiuesve, të intelektualëve në fushat e shkencave shoqërore. Kuptohet se për punën e bërë, por edhe dokumentacionin vendin e parë dhe më të rëndësishëm e zuri arkeologjia shqiptare me rezultatet e gërmimeve të reja në Butrint, fillimet e gërmimeve në Golem (Shkodër), Koman, në rrugën “Egnatia”, studimin e 4 kishave të Butrintit për periudhën bizantine dhe kërkimet rreth kështjellave venedikase. At Zef Valentini do shquhet në apelin që bën për krijimin e një legjislacioni për mbrojtjen e pasurisë kombëtare arkeologjike, e cila rrezikon krejtësisht thesarin numizmatik, shqiptar, i cili kishte mundësi të grabitej mjaft lehtë.
Dhimitër Berati shpalli alarmin se ikona të çmueshme shqiptare po zhdukeshin jashtë vendit, duke lënë pas një vend të zbrazët në historikun e ikonografisë shqiptare dhe si rrjedhojë e kësaj shteti duhej të merrte masa të forta për të ndalur këtë rrjedhje të traditave kulturore shqiptare, citohen burime të historisë së kësaj periudhe. U bënë përpjekje për mbledhjen e burimeve arkivore, ku gjithçka e njohur lidhej me periudhën e Mesjetës. Për këtë periudhë historike referoheshin arkivat e huaja, si ato të Vatikanit, Napolit, Stambollit, Raguzës, Vjenës etj. Instituti në vitin 1942 botoi vëllimin “Opera Omnia”, ku përfshiheshin veprat poetike e prozaike, ligjërata dhe polemika të Naim Frashërit dhe At Gjergj Fishtës. Kurse më 1944 Instituti botoi fjalorët e Buzukut, Budit, Bardhit si dhe veprat e Imzot Pal Skiroit.
Gjuhëtarët e njohur: profesor Aleksandër Xhuvani, profesor Karl Gurakuqi, profesor Anton Paluca dhe At Zef Valentini për botimin në vitin 1942 të Fjalorit Terminologjik të Gjuhës Shqipe. Në vitin 1942, dr. Aleksandër Sirdani, me ndihmën e Institutit boti veprën “Frazeologjia Shqipe”. Dhe, aktiviteti nuk mbaron këtu, por ajo që erdhi pas viteve ’44 i vuri dërrmën gjithçkaje të njohur dhe mbi të gjitha shuarja e emrave që kishin mbajtur peshën e këtij institucioni.
Si funksiononte në kohën e socializmit?
Akademia do merrte jetë në vitin 1972. Edhe në atë kohë ishte një ndarje pak a shumë e tillë në shkencat shoqërore-albanologjike dhe ato teknike, porse kalonte deri në ndërtimin kapilar. Gjithsej ishin trembëdhjetë institucione që vareshin direkt nga Akademia.
Nga fusha teknike ishin:
-Instituti Hidrometeorologjik,
-Laboratori i Hidraulikës
-Qendra Sizmiologjike
-Instituti i Fizikës Bërthamore
Nga fusha shoqërore dhe albanologjike:
-Instituti i Historisë
-Instituti i Gjuhësisë
-Albanologjia
-Instituti i Kulturës Popullore
-Arkeologjia
-Instituti i Folklorit
-Biologjia etj
Nga specialistët dhe historianët është konsideruar se krijimi i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë në vitin 1972, krahas Kongresit të Manastirit në 1908 dhe themelimit të Universitetit Shtetëror të Tiranës në 1957, konsiderohen si ngjarjet më të mëdha kulturore në historinë Shqipërisë. Që në fillimet e saj, akademia funksionoi si një institucion shtetëror, që mblidhte në suazën e vet shkencat natyrore, inxhinierike dhe shoqërore, me buxhetin, administratën dhe 16 institute dhe qendra kërkimore, punimet e të cilave përcilleshin me shtypin periodik, shkencor dhe botimet jashtë vendit. Duhet thënë se uniteti i tre shtyllave që përbënin strukturën e saj, shkencat natyrore, inxhinierike dhe shoqërore, pasqyronin jo thjesht unitetin e shkencave në përgjithësi, por edhe fuqinë e Shqipërisë.
Dhe, prodhimet shkencore të këtyre studiuesve ishin vërtetë në lartësinë e emrave të tyre, paçka kufizimeve dhe shumë gjërave të tjera me radhë, që i diktonte koha. Ndërkohë që një pjesë e madhe e studimeve përballoi nevojat e Shqipërisë në të gjitha fushat dhe zgjidhjet e problemeve skajore, në kushte të një politike që u konfrontua me të gjithë botën.
Në ditët e sotme
Politikanët e viteve ’90 nuk mund t’i shmangeshin dot konfrontimit me këtë institucion, duke i theksuar pjesën propagandistike dhe kinse modelin sovjetik, që në fakt nuk ka qenë krejt kështu. Politika u fut në një mënyrë kaq të ashpër saqë për gati 23 vjet, ky institucion pësoi tre reforma që ishin njëri pas tjetrit të falimentuar. Me sa duket problemet që kanë mbizotëruar në këto vite ishin ato që lidheshin me faktin nëse duhej apo jo ta ruanin apo jo strukturën e Akademisë, ku kjo luante rolin kryesor në nxitjen e organizimin e kërkimit shkencor apo të bënin një tjetër. Fitoi teoria e dytë sepse gjithçka që lidhet me traditën në Shqipëri anatemohet. “Nevoja për riorganizim të sistemit të kërkimeve shkencore duhet të dalë së brendshmi, nga vetë kërkuesit, nga institucionet ku është kompetenca shkencore, të cilat duhet të identifikojnë qartë arsyet që e bëjnë riorganizimin të domosdoshëm. Vendimtar në zgjedhjen e formës së organizimit duhet të jenë specifika e gjendjes aktuale të kërkimit, tradita dhe prirjet kombëtare dhe ndërkombëtare të zhvillimit në shkencë”, do të shkruaj një vit më parë Nelson R.Çabej. Aman, sot e kësaj dite askush nuk flet për traumat që i kanë bërë Akademisë.
Qeveritë e tranzicionit e konsideruan Akademinë si një fortesë komuniste dhe e shndërruan në një institucion honorifik, formal, që prodhoi në shumicë tituj akademikë dhe shpërblime. Dërrmën e fundit e dha reforma e viteve 2006-2007, që duhet thënë se prishi gjithçka që lidhej me imazhin e dikurshëm të Akademisë së Shkencave dhe institucionet kërkimore-shkencore të saj.
Në fakt ajo që e damkos më së shumti Akademinë dhe varësinë e saj nga politika është mungesa e zërit të saj para problemeve themelore. Me këtë do lidhim fokusin për Luftën në Kosovë dhe të ardhmen e trojeve shqiptare; debatet për autoqefalinë e Kishës Ortodokse; pothuaj indiferencën e saj me ngjarjet e luftrave të shqiptarëve në rajon, në shtetet fqinje, Serbi dhe Maqedoni; dhe sidomos përçarjen që krijoi atlasi gjeografik i hartuar prej drejtorit të Qendrës së Studimeve Gjeografike, atlas që pakicat në Shqipëri i rriste artificialisht në gati 10%; problematikat që lindëm me fqinjët për varrezat e ushtarëve grekë dhe sllavë.
“Ne ishim një grup që punuam me shumë për përkushtim dhe madje u dëgjuam dhe u vlerësuam, por askush nuk kuptoi pse gjërat mbetën ashtu”, shprehet Molnar Kolaneci, një nga anëtarët e grupit që i paraqitën z.Rama platformën e ndryshimit. (Javanews)