Parlamenti ka pasur në fokusin e tij gjatë kësaj jave pikërisht diskutimet për buxhetin e vitit 2016. Si të gjitha vitet e fundit, “Top Story” i gazetarit Sokol Balla është fokusuar shumë në këtë temë, pasi në njëfarë mënyre tregon edhe sesi ka punuar qeveria shqiptare e votuar prej qytetarëve të këtij vendi. Si i ka mbledhur ajo paratë, si i ka shpenzuar ato dhe sa mirë ka ecur ekonomia e vendit.
Ky është buxheti i tretë i qeverisjes së majtë të ardhur në pushtet në 2013-n dhe i fundit “normal”, pasi ai i vitit të ardhshëm, pavarësisht se qeveria do ta mohojë gjithmonë, do të jetë një buxhet elektoral, i fryrë dhe jo i zakonshëm. Mazhoranca thotë se me buxhetin e këtij viti do të realizojë disa nga reformat e saj më të rëndësishme, jo vetëm në ekonomi, por edhe në shtetin ligjor.
Projektbuxheti ka shkaktuar debat mes palëve, teksa opozita e djathtë e ka kthyer në kryefjalë të sajën atë, që ajo e quan dështim të qeverisë në rimëkëmbjen e ekonomisë dhe një krizë të madhe ekonomike që ka pllakosur vendin. Por cilat janë të rejat e buxhetit të vitit 2016 për ekonominë dhe për qytetarët? Cilat janë taksat që do të ndryshojnë? Ku po shkon ekonomia shqiptare dhe cilën nga të vërtetat duhet të besojmë: atë të opozitës që pretendon krizë ekonomike, apo të qeverisë që flet për rimëkëmbje të saj?
Të pranishëm në emisionin e kësaj të enjeteje kanë qenë dy ministrat kryesorë sa i përket çështjeve të financave dhe ekonomisë në qeverisjen e vendit, ai i Financave Shkëlqim Cani dhe ai i Zhvillimit Ekonomik, Arben Ahmetaj; përballë të cilëve ka qenë paneli i ekspertëve të ekonomisë si Ardian Civici, Nikolin Jaka (kryetar i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë) dhe gazetari i Top Channel që mbulon fushën e ekonomisë, Klodian Tomorri.
Dy vite më parë, ministri Cani paraqiti projektbuxhetin e parë, të cilin e quajti si buxhet “emergjence dhe të detyruar”, që synonte daljen nga kriza, të ndalte rënien e ekonomisë dhe larjen e borxheve mes të tjerave. Prej atëherë e deri më sot diçka ka ndryshuar, e për këtë ka folur vet ministri i Ekonomisë.
Ministri i Financave, Shkëlqim Cani: Situata është më e mirë dhe në këto dy vite kemi pasur ndryshime dhe përmirësime, madje edhe radikale në disa drejtime. Në vitet 2010-2013, Shqipëria ishte me tempin në rënie të rritjes ekonomike, ndërsa në 2014-2016 Shqipëria po rritet nga viti në vit, po përmirëson normën e rritjes. Mund të them se ka pasur reforma të ndjeshme strukturore në favor të individit dhe të biznesit. Në këto dy vite, 97% e rrogëtarëve kanë përfituar nga ulja e taksave, si dhe 97 mijë biznese në vitin 2016 do të përfitojnë nga zerimi apo ulja e taksës. Kemi pasur një revolucion në energjetikë, që nga një sektor me drejtim të sigurtë drejt kolapsit është kthyer në një sektor jetik dhe që shumë shpejt, jo vetëm do të hiqet si barrë mbi buxhetin, por do të dalë me fitime për veten dhe do të ecë me këmbët e veta. Kemi një reformë edhe në pensione, që shtrihet në afatmesëm dhe do kohën e vet për t’u realizuar, por kërkon dhe mbështet një pjesë të gjerë të popullsisë.
Ndërkohë, një nga premtimet e bëra nga Ahmetaj gjatë fushatës elektorale ishte ai i modelit të ri ekonomik, të bërë edhe në të njëjtën studio të TCH. Duke lënë mënjanë fazat e emergjencës, tashmë që qeveria po futet në vitin e tretë të qeverisjes, sigurisht që duhet të ketë ndryshime. Në cilën pikë është ai projekt i nisur dy vite më parë?
Ministri i Ekonomisë, Arben Ahmetaj: Dua të theksoj se kjo qeveri nuk e ka garën me të kaluarën, sepse me të ka dallime konceptuale dhe produktesh. Dua të ndaj me panelin dhe publikën një grafik, – kundër kakofonisë për krizë ekonomike, e cila është e qëllimshme, – dhe që nuk është as politik dhe as filozofik por vetëm statistikor. Në 2013-n rritja ekonomike ishte 1,1% dhe nga 2005-a që ishte rreth 6,5%, rritmi i rritjes ka pasur vetëm zbritje. Në 2014-n është me 50% rritje ritmi i rritjes, në 2,1%; ndërsa në 2015-n ajo shkon në 2,7% referuar të gjithë parashikimeve të institucioneve ndërkombëtare por edhe Bankës së Shqipërisë. Planifikimi për vitin tjetër është 3,5% për të thyer tabunë e vështirë të 3 përqindëshit. Vendi nuk ëshë në krizë ekonomike dhe e rëndësishme është që t’u thuhet të gjithë aktorëve. Sigurisht që ka vështirësi dhe duke i nominuar ato ne edhe mësojmë, por theksimi i qëllimshëm se vendi është në krizë ekonomike bëhet për të ulur konsumin, si motori i parë i zhvillimit ekonomik. Modeli i ri ekonomik është fokusuar te prodhimi vendas dhe struktura e eksportit e tregon çfarë ka ndodhur. Në mars 2014 ne lançuam paketën e manifakturës, që nuk parashikonte incentiva fiskale për shkak të të qenit në marrëveshje me FMN-në, por edhe sepse kishim nisur një reformë makroekonomike për të risjellë të gjithë treguesit makro të vendit në konsolidim. Këtë e themi me kënaqësi, pavarësisht vështirësive të këtyre dy viteve. Së pari për të mbyllur gropën e trashëguar, dhe së dyti për të krijuar platformën e dy viteve të ardhshme, që i ka të gjitha gjasat për vite shumë të mira ekonomike. Eksportet në 2014-n janë rritur me 160 mln dollarë, kryesisht nga bujqësia, pavarësisht se ka rënë eksporti shqiptar i naftës për shkak të çmimit ndërkombëtar, ashtu sikurse deri diku edhe eksporti i mineraleve. E gjithë sasia e eksportit është zëvendësuar nga prodhimi vendas bujqësor dhe në manifakturë. Turizmi riktheu tipologjinë e vet si një nga gjeneratorët kryesorë të të ardhurave.
Duke u fokusuar te produkti vendas, është vlerësuar qëndrimi dinjitoz i mbajtur nga ministri Ahmetaj në një intervistë për Top Channel mbi parimin e reciprocitetit ndaj bllokadës së mallrave shqiptare nga ana e Shkupit zyrtar, por gjithsesi ka diçka që bie ndesh në këtë aspekt, nëse përmendim akcizën e birrës. Nëse qeveria flet për nxitje të veprimtarive vendase prodhuese, në anën tjetër ajo rrit akcizën për birrën vendase me 11% dhe e ul atë për birrën e importuar me 15%.
Kreu i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë, Nikolin Jaka: E kemi pritur dhe vazhdojmë ta presim modelin e ri ekonomik që stimulon sipërmarrjen, optimizmin dhe nismën, por pse jo edhe prodhimin. Faktikisht në Shqipëri, më e standardizuar dhe më e strukturuar është industria e birrës. Jo vetëm nga tradita që ka, por edhe investimet e reja që janë bërë në këtë industri e bëjnë atë të strukturuar siç duhet. Jam i sigurt që Ministria e Financave ka qenë shumë e kujdesshme, kur ka bërë edhe analizën e rritjes së akcizës për industrinë e birrës, gjë që edhe gjeneron të ardhura. Asnjë argument tjetër përveç lapsit dhe shifrave nuk justifikon këtë vendim, bazuar në faktin që FMN detyron qeverinë duke parë vetëm të ardhurat dhe shpenzimet, pa hyrë në analizë të imtësishme. Ajo që është e papranueshme është që Ahmetaj duhej të ishte palë me sipërmarrjen private dhe kundërshtari kryesor i lapsit të Canit, jo vetëm në këtë rast, por në të gjitha rastet kur ministri i Financave mpreh mirë lapsin. Sot, realisht sipërmarrjes i nevojitet që Ministria e Ekonomisë të jetë shumë afër sipërmarrjes private, për të parë problemet reale, për të parë sesi mund të mbështetet manifaktura, prodhimi i birrës, për më tepër që tipologjia dhe karakteristikat e ekonomisë shqiptare nuk janë të lidhura vetëm me birrat. Nëse ne godasim këtë industri të ngritur birre me akcizën, sa e dekurajojmë industrinë e agropërpunimit ushqimor, sa e dekurajojmë industrinë e turizmit, apo edhe industritë që Shqipëria i ka si burime potenciale reale për t’u zhvilluar? Ne po shohim se Financat po operojnë me gjakftohtësi në ato ndërhyrje kirurgjikale që rrisin të ardhurat e saj, por duke kaluar te sipërmarrja private një dozë pesimizmi, e cila madje ka reaguar fort për të mbrojtur atë çfarë është bërë. Kjo, e ndikuar edhe nga stimulimi i uljes së akcizës për importin, një paradoks i dyfishtë.
Ministri Shkëlqim Cani: Ne jemi mësuar që t’ia vëmë barrën e së keqes FMN-së, por në këtë rast mund ta shmangim dhe më mirë i dalim për zot ne të Ministrisë së Financave. Në buxhetin e shtetit, kjo lëvizje ka sjellë 17 milionë lekë minus. Në tërësinë e vet kemi ulje takse dhe jo rritje. Së dyti, kjo nuk ka të bëjë fare me të qenit birrë vendi apo importi, por me një kufi prodhuesish që prodhojnë nën 200 mijë hektolitër birrë, dhe ata që prodhojnë mbi këtë kufi, qofshin vendas apo të huaj. E kuptoj që në Shqipëri nuk prodhon dot askush mbi këtë kufi, ndoshta i ndikuar edhe nga kjo arsye frenohet ta bëjë diçka të tillë. Ndaj bëmë atë që, akciza e një birre të importuar është dyfish më e lartë sot krahasuar me akcizën ndaj birrës së vendit, duke qenë sërish i mbrojtur produkti vendas, por jo më në raportin që ishte më parë. Nga ana tjetër, më të ftohtë jemi ndaj industrisë dhe më të ndjeshëm ndaj publikut, sepse kjo masë shumë pak ul çmimin për publikun apriori, meqë ulet taksa në tërësinë e vet. Efekti në një shishe birrë është 5 lekë. Kjo industri është e konsoliduar dhe ka 25 vite që mbështetet. Ne po shkojmë drejt Europës dhe duam të konkurrojmë. Industritë nuk mund të mbahen pambarimisht të mbështetura dhe të mbrojtura nga taksat. Pak nga pak do të hyjmë në BE dhe s’do t’i kemi më këto masa. Ne duam të heqim dorë nga disa industri që i kemi mbrojtur prej vitesh, në mënyrë që të mbrojmë biznesin e vogël dhe bujqësinë, duke u hequr taksat, por edhe drejt industrisë së mineraleve nxjerrëse. Për këtë kemi nxjerrë një taksë të re, sipas së cilës kush e nxjerr mineralin për përpunim në vend paguan më pak, sesa ai që do ta eksportojë.
Në këtë moment ka ndërhyrë edhe Ardian Civici, i cili ka kërkuar që, nëse bëhet një llogaritje e sasisë së birrës së vendit që shitet sot, shtimi prej 11% e rritjes së akcizës sa është në shifra konkrete, për të parë prekjen e këtij sektori nga kjo masë. Sipas tij, zakonisht politikat fiskale dhe buxheti kanë një strategji, por cilat janë ato degë brenda industrisë – një kolonë vertebrale e ekonomisë shqiptare, – që mbështeten ose është menduar të mbështeten në vitet në vijim me politikë fiskale të kësaj natyre. “Duam të dimë se, nëse ndalim mbështetjen ndaj birrës, atëherë cilat do ta përfitojnë këtë mbështetje për t’i dhënë impulse të reja zhvillimit ekonomik?”. Dihet që një buxhet i ka gjithnjë dualizmat midis Financave që duan llogari të sakta dhe Zhvillimit Ekonomik, që ka përparësi rritjen ekonomike sidomos.
Arben Ahmetaj: Ministria e Ekonomisë dhe ajo e Financave nuk janë pjesë e një lapsi, ku njëra është maja dhe tjetra është goma, përkundrazi, janë pjesë përbërëse të një filozofie ekonomike dhe të një qeverie. Jo vetëm ska dualitet, por ka një ekuilibër që shkon në këtë drejtim për sa i përket buxhetit. Financat janë gardianë të ekuilibrit fiskal dhe shëndetshmërisë fiskale, ndaj dhe në këndvështrimin tim ka pasur dy vite të suksesshme dhe të patjetërsueshme. Shqipëria u mor copë-copë në aspektin makroekonomik, ndërsa sot për herë të parë në 2016-n një qeveri nuk do të krijojë borxh me operacionet e veta, ai që quhet deficit primar. Kjo do të thotë se vjen një qeveri, punon një vit dhe nuk prodhon borxh të ri, por me operacionet e veta të kujdesshme krijon një suficit për të paguar borxhet e vjetra të trashëguara. Logjika e birrës është që, pas 15 vitesh, biznesi do të duhet të jetë konkurrues dhe nuk mund të mbrohet me taksat sepse përbën dështim. Çdo mbrojtje që i bëhet një biznesi në 15 vite është kosto për konsumatorin, sepse i shkon në çmim të rritur. Ajo që bëjmë ne është mbrojtje konsumatori. Nga ana tjetër, ka mbaruar filozofia e mbrojtjes së industrive me taksa në treg dhe koha ka treguar që ka dështuar, sepse sapo hapet tregu, në qoftë se ato nuk janë bërë konkurruese, atëherë bie ajo industri. Bujqësia, turizmi, energjia, manifaktura dhe përpunimi i mineraleve për shkak të rezervave që kemi janë sektorët, që kanë fokus të drejtpërdrejtë në procedura, lehtësimin në taksa. Për herë të parë bëhet rimbursimi në bujqësi, pavarësisht se është folur prej 25 vitesh, që shkon në favor të fermerit dhe të formalizimit. Taksa e biznesit të vogël është zeruar si kurrë më parë në këto 25 vite, dhe kjo sepse kur ishim në opozitë u thamë qytetarëve se ne e konsiderojmë biznesin e vogël jo si të tillë, por si mundësi për vetëpunësim. Pasi patëm sukses në reformën energjetike, duke qenë se 180 mln dollarë paguanin qytetarët nga taksat për vjedhjet e energjisë, sot bëmë të mundur që të mos rrisnim asnjë taksë. Ato taksa që rriteshin dikur ishin për të paguar vjedhjet në energji. 85 mijë familje të tjera të vetëpunësuara kanë zero taksa, shuma e të cilave është 18 mln dollarë dhe me formalizimin shkon edhe në 22 mln dollarë, që u kthehen atyre për konsum. Kemi pasur debate me FMN-në, por në fund qeveria është sovrane dhe ajo vendos vet. Sa i përket konsumit, mund të themi se s’ka pasur rënie, por është ritmi i rritjes së tij që ka pësuar rënie. Sipas Bankës së Shqipërisë, është rritur e ardhura e disponueshme për qytetarët, pra paratë e mbetura në dorë në fund të muajit, me 7,4%. Nga ana tjetër kjo shumë nuk ka shërbyer për rritje të konsumit, por janë rritur kursimet në mënyrë drastike. Kjo, sepse polarizimi politik i tremb konsumatorët dhe ndaj thashë që është e qëllimte përmendja e krizës ekonomike. Është një keqdashje për të përfituar e për të ardhur në pushtet me anë të një rruge “të zezë”.
Klodian Tomorri: Pavarësisht shifrave zero, ka një të vërtetë tjetër dhe një shqetësim shumë të madh, se kjo masë e qeverisë krijon një shteg të madh për evazion. Ai cënon integritetin e sistemit tatimor, sepse presioni për evazion në këtë rast është shumë i madh. Ne të dy jemi të punësuar në Top Channel dhe marrim një rrogë prej tij. Nëse nesër ia faturojmë shërbimin tonë punëdhënësit si të ishim biznes, me këtë që thotë qeveria ne paguajmë zero taksë. Nga ana tjetër, qeveria thotë që do të ulë taksat për çdo biznes me xhiro nën 50 mijë dollarë, apo 5 mln lekë. Le të supozojmë një ndërmarrje që e ka xhiron 3 milionë, sikur ta copëtojë biznesin e vet dhe ta ndajë atë në 7 të tilla me nga 400 mijë lekë, përsëri paguan zero taksë.
Ministri Shkëlqim Cani: Sipas kësaj, përgjigjja del që u dashkan rritur taksat, sepse kur i rritëm taksat patëm dy vite kritika, ndërsa tani që i ulim dhe i zerojmë përballemi sërish me kritika. Për mënyrat e shmangies së ligjshme të taksave që përmendët ju, jetë e mot, jo në Shqipëri që ka 25 vite demokraci dhe ekonomi tregu, por edhe shtete të tjera mbi 200-vjeçare këtë punë bëjnë. Njerëzit mundohen që brenda ligjit të gjejnë shtigje, ndërsa qeveria mundohet që po brenda ligjit t’i mbyllë këto shtigje.
Ministri Arben Ahmetaj: Po, ju jeni brenda ligjit, por nuk mund ta bëni gjatë gjithë vitit këtë gjë, sepse i kthehet mbrapsht duke u quajtur pagesë, pagë dhe jo më shërbim teknik…
Ministri Shkëlqim Cani: Le të kthehemi tek ajo e kompanisë që ndahet në 7 të tilla. Atëherë do të regjistroheni si 7 kompani, do të blini kasa për 7 kompani, do të prodhoni fletë kuponi dhe fletë fatura për të marrë shërbime, si dhe do të paguani 7 qira e do të blini 7 godina. Nuk është aq e thjeshtë. Po të ishte kaq e thjeshtë, atë le të themi: çfarë i ndodhi Shqipërisë kur bëmë taksën nga 15% tatimfitimi për biznesin e madh në 7,5% për biznesin e vogël. Nuk patëm ndonjë përmbytje apo revolucion. Por a ka probleme kur merr një masë? Vetëm në epokën e zjarrit dhe të gurit, çështjet ishin fillestare dhe ishin të prera. Çdo masë ka efekte dhe kundërefektet e saj. Kur përmendët shërbimet, kush tha që ata nuk do të paguajnë për sigurimet shoqërore dhe shëndetësore? Edhe nëse dikush që sot merr pagën do të kalojë nesër si biznes të vogël me taksë zero, do të paguajë sërish sigurime shëndetësore dhe shoqërore. Nëse ju kërkoni të krijoni një “biznes” tuajin, ne jemi të lumtur që shtuam një biznesmen në Shqipëri. Nëse ju do të vijoni e të prodhoni kupona dhe fatura tatimore përtej këtyre limiteve, ne jemi të gatshëm t’u përfshijmë në taksa dhe t’iua marrim ato.
Ministri Arben Ahmetaj: Thelbi i këtij diskutimi është fakti që kemi dy elementë, dy ekuilibra. Njëra, që ne u ofrojmë 85 mijë familjeve zero taksë, kjo është zgjedhje politiko-ekonomike dhe teknike që e mbajmë vet mbi kurriz, qoftë edhe me kosto. Ne e dimë shumë mirë sesa e vështirë është të menaxhosh një sistem fiskal, sidomos në Shqipëri. Shqetësimin ne e kemi mbi kurriz dhe bashkë do ta monitorojmë. Por logjika dhe politika ekonomike e një qeveria përputh mundësinë e vet për shkak të reformave me premtimin. Madje çfarë janë emigrantë, të rinj që mbarojnë shkollën tani, a kanë mundësi me këtë zero taksë të prodhojnë një biznes të vogël? Logjika është se ti vërtet e ke taksën zero, që deri më sot do të paguaje 80-100 mijë lekë maksimumi si biznes i vogël, por detyrimin që ti të prodhosh kupton tatimor e ke të drejtpërdrejtë. Gjobën nëse nuk prodhon e ka 4-5-fishin e taksës që i është hequr. Shqetësimi yt legjitim e ka adresimin nëpërmjet gjobës.
Ministri Shkëlqim Cani: Të mos luajmë. Ju keni krijuar monopol dhe nëse do të kaloni me shërbim ndaj institucionit, ekziston mundësia me taksë zero, ta hapin të njëjtin biznes edhe 10 të tjerë që janë në rrugë dhe nuk e kapin dot këtë vend? Në këtë mënyrë do të regjistrohen edhe ata të dhjetë dhe do të kemi dy fitime njëherësh: e para që do të paguajnë edhe ata sigurime, dhe së dyti që do të të ulin shkallën e çmimit në shërbim nga konkurrenca.
Top Channel