Nga Jakin Marena
Kryetari i PD, Sali Berisha, me gjithë sulmet e ashpra ndaj Edi Ramës, po ‘ndjek’ hap pas hapi të gjitha lëvizjet e kryeministrit socialist! Dhe nuk bëhet fjalë për monitorimin e qeverisjes së kreut të mazhorancës, që është detyrë e çdo lloj opozite në botë, sado e dobët të jetë, për ta bërë!
Berisha, e thënë më shqip dhe më drejtëpërdrejt, por imiton e kopjon të gjitha lëvizjet e Ramës në lidhje me politikën që bëhet në këtë vend! Është e bardha mbi të zezë. Lëvizjet më të fundit politike e kompromentojnë rëndë Berishën si një ‘kopjac’ funksional, pasi vetëm emrin i ka ndryshuar strategjisë së tij brenda PD, ndërkohë që është në parim njëlloj si ajo e PS! Vetëm se është pak më e reduktuar, pasi është në opozitë dhe nuk ka detyra qeverisëse! Ka dhe pak ‘revolucion’ brenda, teksa ka kapur atë “Flamingo’, të cilin po e shuan hap pas hapi!
Më konkretisht, menjëherë pas kryeministrit Rama, i cili së fundmi lançoi platformën ‘Pasqyrë Albania’ dhe dokumentin “Besa’, që përfaqësojnë bazën e re të marrëdhënies mes qytetarit dhe shtetit si dhe besimin, empatinë, shërbimin e angazhimin, pra një strategji për të përmirësuar qeverisjen, të cilën e konsultoi me drejtuesit politikë të qarqeve dhe ministrat, duke zhvilluar disa takime radhazi, që nga Pogradeci e deri në Tiranë, edhe Berisha prezantoi në Këshillin Kombëtar të PD platformën “Agora PD”, përmes së cilës pretendon se synon që të jetë më afër njerëzve.
Kryeministri Rama kërkoi implementimin e një strategjie të re të trajtimit të kërkesave dhe problematikave të qytetarëve, duke e krahasuar atë me një “pako postale” që mund të ndiqet në kohë reale. Për të, ambicia është që të arrihet një rezultat i tillë që, çdo kërkesë, shqetësim apo hall i qytetarit të jetë një pako postale që ndiqet në kohë reale, nga dërguesi e nga ana tjetër shteti, qeveria, institucionet ndjekin përgjegjësitë dhe çdo shkelje afati shihet me lupë.
Platforma “Pasqyra Albania”, sipas tij synon që të shërbejë si një dritare unike për qytetarët për të marrë informacion në kohë reale mbi veprimtarinë e shtetit. Njëherësh do t’iu mundësojë qytetarëve të ndjekin në mënyrë transparente statusin e punëve dhe projekteve publike, përfshirë ecurinë e investimeve në territor, në mënyrë që qytetari të jetë i informuar e i përgatitur përballë zhvillimeve teknologjike e rolit gjithnjë e më të madh të algoritmeve në jetën e përditshme.
Duke e detajuar ditë pas dite këtë platformë, që mbërrin deri në kontrollin dhe krahasimin e çmimeve të produkteve ushqimore sidomos, nga parcela ku prodhohen e deri në tryezën e qytetarëve! Njëherësh, porositë e Ramës për drejtuesit politikë të qarqeve, ministrat, deputetët e zyrtarët e lartë të PS ka qënë zbritja në terren e komunikimi direkt me qytetarët për hallet dhe shqetësimet e tyre! Pra për t’i dëgjuar ata drejtpërdrejt dhe për të dhënë zgjidhje sa më të shpejtë!
Menjëherë është ‘kundërpërgjigjur’ Berisha, i cili me strategjinë e re të demokratëve, “Agora PD’, pretendon se synon, sipas tij, të ofrojë mesazhe të qarta, piketat kryesore të diskutimeve, rekomandime komunikimi, materiale zyrtare, koordinim nga qendra në degë në mënyrë që komunikimi të jetë në koherencë dhe me një drejtim të përbashkët. Pra përmirëson punën!
Berisha këmbëngul se do të matet kontributi i secilit anëtar apo funksionari të PD, edhe pse, këtu dokumenti nuk paraqet një mënyrë të qartë sesi do të bëhet ky vlerësim. Dhe matshmëria për një përfaqësues të opozitës nuk rezulton me daljet apo komunikimet, por me mbështetjen që merr në terren, mesazhin që përthithet dhe frymën që krijon si alternativë për të ardhur në pushtet! Megjithëse në një parti ku askush nuk mban përgjegjësi për humbjen, siç ka ndodhur në këto 13 vite ku humbësit janë ‘graduar’, edhe matshmëria e humbet kuptimin real të saj.
Duke përdorur “Ripërtëritjen’ e PD, afërsisht të ngjashme si fjalë në fjalorin shqiptar shqip-shqip, me “Rilindjen” e Ramës, Berisha këmbëngul se, duhet të ndryshojë mënyra e komunikimit të demokratëve rrënjësisht, duke vënë theksin pikërisht te përdorimi i rrjeteve sociale, veçmas “TikTok”-ut dhe aspak në ndryshimin e qasjes për të bërë një opozitë ndryshe!
Kreu i PD u kërkoi vartësve të tij që të përqafojnë mjetet e reja të komunikimit dixhital. “Zotëri nuk mund të më thuash ti mua ç’më duhet TikTok-u, kemi 40% të elektoratit aty”, i tha Berisha një anëtari të Këshillit Kombëtar të PD. Ndërkohë që kritikat nuk munguan as për drejtuesit e strukturave dhe lidershipin e PD, të cilët sipas Berishës, janë shkëputur tërësisht nga baza dhe se për të, strukturat e PD ekzistojnë më shumë në letër sesa në praktikë. Pra janë fiktive, e pranuar për herë të parë kjo nga Berisha dhe kupola e demokratëve! E dhimbshme, por e vërtetë kjo!
I përmendëm këto detaje për të treguar se Berisha, me të gjitha mënyrat po tenton të ndjekë hap pas hapi, të kopjojë Edi Ramën në të gjitha lëvizjet e tij politike! Pavarësisht se e ka përcaktuar si kundërshtarin më të madh të PD, madje e ka shpallur edhe ‘armik’ të PD, Shqipërisë e qytetarëve shqiptarë, deri duke e përcaktuar si rrezik për rajonin, Evropën dhe më gjërë, kjo përmes akuzave për ngritjen e ‘narkoshtetit’! Vetëm Berisha e thotë këtë, askush tjetër nuk e thotë, as vendet anëtare të BE që na monitorojnë dhe mbështesin në rrugën drejt anëtarësimit të plotë në BE dhe as aleati ynë më i madh, SHBA që na quan partner serioz. Megjithatë, kre i PD e kopjon kreun e mazhorancës socialiste, në të gjitha strategjitë ndërmerr dhe i implementon bashkë me PS!
Por këtu ka një ndryshim të vogël krahasimor në lidhje me rezultatin elektoral që jep ‘kopjaci’ Berisha në raport me ‘origjinalin’ Rama! E provuar kjo për 13 vite me radhë, teksa PD dhe opozita i kanë humbur të gjitha përpballjet zgjedhore me mazhorancën socialiste! Madje duke shënuar gremisjen e madhe, poshtë e më poshtë dhe vit pas viti, me mijëra e mijëra vota minus!
Duke qënë se Berisha nuk e ka për herë të parë kopjen, dikur akuzonte Ramën për përdorimin e rrjeteve sociale duke thënë se nuk fitohet me “ciu ciu” dhe që më pas vetë ai u bë një manjak i rrjeteve sociale, herë përmes ‘qytetarit dixhital’ ku gjysmën e herëve ka publikuar mashtrime të përmasave proverbiale të përgënjeshtruara nga ai vetë më pas dhe tashmë me komunikimin me bazën përmes po rrjeteve sociale, jemi të bindur se dhe ‘kopja’ e radhës nuk do t’i japë rezultat!
E themi këtë sepse vërtetë qytetarët tashmë janë shumë të dhënë pas rrjeteve sociale, përfshirë TikTok-un që përmend Berisha si mjetin kryesor të komunikimit me qytetarët sipas platformës dhe strategjisë “Agora PD’, thelbi qëndron se kush është pas mesazhit që hidhet për publikun, sa i besueshëm është ai dhe pse qytetarët duhet që ta përthithin këtë mesazh deri në atë shkallë sa të vendosin për t’i dhënë votën PD! Aq më tepër Berisha pranon se strukturat e PD në bazë janë vetëm më letër dhe nuk ka kush e shpërndan mesazhin e tij, dhe sikur të jetë një perlë e vërtetë!
Pavarësisht deklarimit se PD është “Ripërtërirë”, për hir të së vërtetës në kupolën e kësaj partie janë të njejtët persona që kemi parë në këto 30 vitet e fundit! Duke filluar nga vetë Berisha që ka 36 vite në krye të PD dhe ka qënë president i vendit, ku ka konsumuar dy mandate, kryeministër me dy mandate të plota, dhe nën qeverisjen e tij vendi njëherë ishte në prag të luftës civile gjatë tragjedisë së marsit 1997, njëherë u hodh në erë një fshat i tërë, Gërdeci, ku vdiqën 26 persona të pafajshëm dhe u plagosën mbi 300 të tjerë vetëm e vetëm që djali i kryeministrit të atëhershëm, Shkëlzeni të fitonte sa më shumë nga demontimi i municioneve dhe tregtia e armëve, e deri te vrasja e 4 demonstruesve të opozitës në bulevard përballë kryeministrisë, nga plumbat e Gardës së Republikës! Ky është korrupsioni i përgjakshëm i Berisha gjatë qeverisjeve të tij!
Ndërkohë që shteti u vodh dhe u abuzua nga themelet, që nga tjetërsimi i pronave në favor të familjes si në rastin e aferës së “Partizanit’ për të cilën Berisha dhe dhëndri i tij janë të pandehur e deri tek ‘taksa e suksesit’ që vajza e tij Argita u vinte bizneseve vendase dhe të huaja, për të marrë punë dhe para tek i ati kryeministër, apo sekserllëku i djalit Shkëlzen për punët publike dhe pronat! Janë akuza që po hetohen pjesa më e madhe!
Sado i bukur të jetë mesazhi, i kopjuar mot a mot nga Rama dhe PS, kur jepet nga Flamur Noka, Gazment Bardhi, Albana Vokshi e deri tek Balliu i vogël, shkalla e besueshmërisë së qytetarëve tek këto mesazhe është në vlerat e zeros! Dhe këtë e di si dreqi edhe vetë Berisha! Pasi qytetarët shqiptarë e kanë të pamundur të votojnë ‘kopjen’ kur kanë vetë ‘origjinalin’, mazhorancën socialiste, rezultatet e të cilës në qeverisjen e këtyre 4 mandateve kanë qënë të prekshme, me pikën më të lartë, sigurinë e mbylljes së negociatave në fund të vitit të ardhshëm dhe shpresën e anëtarësimit në BE në vitin 2030! Më afër Europës se kurrë me një fjalë!
Ku goditja ndaj krimit, korrupsionit dhe abuzimit me pushtetin, në kufinjtë e zeros në kohën e Berishës, tani ka marrë përmasa të mëdha, duke mos kursyer askënd nga radhët e qeverisjes aktuale. Madje dhe duke e tejkaluar, pa hasur asnjë kundërshti nga mazhoranca. Përkundrazi ka pasur vetëm inkuram dhe mbështetje, kuptohet, është kërkuar dhe respektimi i të drejtave të njeriut! Dhe kjo ka qënë një frymëmarrje e re jo vetëm për drejtësinë por dhe për vetë shtetin shqiptar, i cili është renditur ndër vendet me prioritetin më të lartë për anëtarësimin në BE!
Teksa Berisha e di se dhe në zgjedhjet e përgjithshme për pushtetin vendor, humbjen e thellë e ka të sigurtë, për shkak të mungesës së theksuar të besimit tek PD dhe drejtuesit e saj, aq sa e kanë të vështirë të zbresin dhe në terren për të takuar njerëzit sepse nuk i pret askush dhe mbi të gjitha nuk ka as struktura drejtuese në bazë, Berisha i drejtohet TikTok-ut dhe rrjeteve sociale për të komunikuar me elektoratin, pa zbritur në terren! Për t’iu shmangur përplasjeve të pakëndshme me sa duket! Teksa Rama, përpos shpalosjes së platformës ‘Pasqyra Albania’ i ka shpërndarë drejtuesit politikë, ministrat e deputetët në terren, në takim me strukturat e qytetarët, Berisha në “Agora PD’, komunikimin me bazën e njerëzit ka vendosur ta aplikojë nga zyra e divani, përmes TikTok-ut, larg njerëzve dhe stukturave të veta madje, të cilat sipas tij ekzistojnë vetëm në letër!
Dhe pastaj acarohet Berisha se, përse qytetarët nuk e votojnë dhe përse i fiton Rama të gjitha zgjedhjet përballë tij! Shqiptarët janë aq të mençur sa të votojnë origjinalin dhe jo kopjen, njeriun e punës dhe ideve të qarta për integrimin në BE dhe jo njeriun që është shpallur ‘non grata’ nga SHBA e Britania e Madhe e që trajtohet si i tillë edhe nga vendet anëtare të BE, deri dhe vendet e rajonit, i cili sa herë ka qeverisur, e ka vjedhur, sakatuar dhe vrarë këtë popull!
Kupola e PD, duke aplikuar strategjinë e qëndrimit në rrjetet sociale, si mënyra e vetme për të përcjellë mesazhet tek strukturat dhe elektorati, sado të bukur ta bëjë ‘kopjen’, qytetarët shqiptarë si gjithnjë do t’ia japin votën në të gjitha herët, origjinalit, pra socialistëve! Sepse ai që zihet me kopje, nuk falet, ai ‘ndëshkohet’ në të gjitha rastet! Shqiptarët e ndëshkojnë me votë!
Ndërkohë që jemi të sigurtë që Berisha, sikurse ka bërë gjithnjë, pas humbjes do të akuzojë lart e poshtë se i kanë vjedhur votat! Pavarësisht se në zgjedhjet e fundit humbi mbi 250 mijë vota të djathta, dhe ku sondazhet serioze deri më tani japin një ‘marzh’ akoma më të madh braktisjeje në zgjedhjet e ardhshme, që duan dhe pak muaj që të vijnë, Berisha me të vetët vijon që të ‘eglendiset’ nëpër podiume në Tiranë dhe rrjetet sociale! Shkojnë dhe në bulevard dhe argëtohen me atë që ka mbetur nga revolucioni ‘Flaming’, duke treguar ‘muskujt’ përballë neomarksistëve dhe islamit politik, madje dhe duke bërë sherr me ta, herë pas here! Pasi Gonen dhe Tikun nuk i llogarisin! Deri këtu është katandisur opozita, pa ide e strategji të veten! Si pasojë, dhe pa vota!











