Intervista e shkrimtarit të njohur, Dritëro Agolli, e dhënë pak ditë më parë për “Shekulli”, ka ngjallur reagime të ashpra nga gazetari Andrea Stefani, i cili ka marrë poashtu një reagim të ashpër nga ish-zv.ministri i Mbrojtjes, Dritan Hila.
E gjitha nisi nga intervista e Agollit, i cili i pyetur nga “Shekulli”, është shprehur më nota jo agresive për Berishën, duke e vlerësuar për disa gjëra që sipas tij Berisha i kishte bërë mirë. Poashtu Agolli thotë dhe ato që ai thotë se nuk ja fal Berishës që nuk i bëri. Më poshtë do ju sjellim reagimet e Stefanit dhe Hilës, por më së pari, vlen të shihet me kujdes intervista e Agollit.
Agolli flet dhe për Bashën, të cilin e konsideron të kulturuar. Shkrimtari shpreh pëlqimin e tij përsa i përket mënyrës se si po e udhëheq opozitën Basha.
Ndërsa për Ramën Agolli shprehet: ” Ai ka një rol frymëzues dhe po synon që të sjellë në politikë parimet dhe vlerat të cilat i ka përvetësuar”.
Agolli: Duhet të lihen anash sharjet dhe gjuha e ashpër që shohim çdo ditë në media. Kuvendi duhet të jetë arenë e prodhimit të ideve dhe mendimeve përparimtare
Si e keni njohur Sali Berishën?
Sali Berishën e kam njohur shumë herët. Madje, në shtëpinë e tij në Viçidol, më është bërë një pritje tepër bujare, nga pritjet më të veçanta. Jam ndjerë shumë i vlerësuar nga mënyra se si i prisnin njerëzit në atë anë. Ndërsa personalisht për mua ai është një nga njerëzit më lexues që kam takuar. Ishte gati e pamundur ta shihje Berishën pa libër në dorë. Nuk ka lënë vepër timen, por dhe të autorëve të tjerë në atë kohë pa lexuar.
Sa herë që e kam takuar kemi diskutuar për autorë dhe libra të ndryshëm. Ishte lexues i përkushtuar. Nuk para e gjen shpesh entuziazmin e tij. Edhe si mjek ka qenë i përkushtuar. Më është i dhimbsur që e la profesionin e mjekut sepse ishte i talentuar. Ndërsa sa i përket politikës ky është një kapitull që duhet diskutuar. Ai ka treguar se është një politikan impulsiv dhe ia ka dalë falë këmbënguljes. Vetëm një gjë nuk ia fal. Si mjek që ishte duhet të kishte bërë spitale luksoze dhe duhet t’i kishte dhënë më shumë prioritet arsimit. Ndërsa lëshimi i stafetës ishte një hap i rëndësishëm për mua. Lulzim Basha është një djalë i kulturuar. Unë e kam uruar dhe kur fitoi në zgjedhjet lokale para katër vitesh, edhe pse socialistët u mërzitën për deklaratën time. Por unë si shkrimtar dhe duhet t’i motivoj të rinjtë që futen në politikë për të kontribuar ndaj vendit. Duhet të heqim dorë nga inatet dhe ndarjet politike. Është koha që të ulen tonet dhe të bashkëpunojnë të gjithë intelektualët për të mirën e vendit. Rezultatet kanë treguar se politikanët shqiptarë në këto 25 vite kanë qenë shumë grindavecë. Do të kishim ecur më shumë nëse s’do të kishin parë interesin personal. Unë i kam njohur shumë prej politikanëve dhe çuditem kur shoh që këta personalitete që me formimin e tyre kulturor janë për tu admiruar, në politikë sillen krejt ndryshe. Kush e di, politika ndoshta dikton të tjera rregulla. Ndoshta.
Po Basha?
Ai është një djalë i zgjuar, njeri që di më shumë dhe ka studiuar dhe punuar jashtë. E kam takuar dhe është një djalë i kulturuar. Për mënyrën se si po e bën kryetarin e opozitës, po më pëlqen. Ai duhet të synojë që të ndryshojë gjërat duke bashkëpunuar me qeverinë. E ka kapacitetin për ta bërë këtë. Ai ka këmbëngulje që t’u qëndrojë ideve të tij. Unë mendoj se ai deri tani nuk është për t’u kritikuar, sepse ka të tjerë që nuk kanë ide, hidhen nga një pozicion te tjetri. Ndërsa ai e ka të qartë se çfarë është duke bërë. Z. Agolli, a ka ndryshuar Shqipëria sipas jush? Vendi ka ndryshuar dhe po ndryshon çdo ditë. Jemi në kushte të tjera sot. Edhe Kosova më thonë se ka ndryshuar. Ekonomia e një shteti është prodhimi dhe një pjesë e produkteve kanë filluar të kultivohen këtu. Ky është lajm i mirë. Rrugët për të lëvizur janë bërë të mira, nuk ka baltë dhe pluhur si në vitet e para të tranzicionit. Por duhen shfrytëzuar edhe më shumë burimet natyrore që ka Shqipëria për të cilën vjershëronte Naimi. Në fund të fundit, Shqipëria para disa vitesh kishte një ekonomi që kishte prekur pikën zero. Por qeveria duhet të mbështesë bujqësinë dhe prodhimin. Kemi gjithë ato fusha që mund të mbillen me grurë. Nuk duhet të importojmë miellin dhe as domaten. Qeveria, në do vërtet të zhvillojë vendin, duhet të marrë masa për të zhvilluar prodhimin bujqësor. Turizmi është një tjetër potencial ku duhet investuar.
Z.Agolli, si ju duket Rama si kryeministër?
Ramën e kam ndjekur gjatë viteve ’90 kur shkruante, por edhe më pas. Ka stilin e tij dhe më ka pëlqyer stili i tij. Librin e tij “Kurbani” nuk e kam lexuar. Më ka bërë përshtypje gjithnjë e folura e tij. Rrezaton kulturë. Ndërsa si kryeministër duhet vlerësuar për përpjekjen për t’i rregulluar gjërat. Iniciativa nuk i mungon. Pastaj çdo gjë do kohën e vet. Edhe Rama reflekton dhe transmeton botë të pasur. Është artist dhe duhet të shfrytëzojë këtë pjesë dhe në politikë. Ai ka një rol frymëzues dhe po synon që të sjellë në politikë parimet dhe vlerat të cilat i ka përvetësuar. Të gjithë palët duhet të kujdesen për klimën politike në vend. Politika është fushë e realizimit të idealizmave dhe ai si artist duhet të bëjë përpjekje ta realizojë këtë. Rama me sa duket po mundohet ta bëjë shtetin të kontrollueshëm. Në këtë formë, ai, e ka konceptuar ndërtimin e shtetit. Ai i merr seriozisht gjërat dhe jo në mënyrë hipokrite, sepse i ka të vërteta. Nuk ka deklarata për “sy e faqe”. Edhe me reformat mirë bëri. Me universitetet bëri gjënë më të mirë, pavarësisht se ç’thonë. Të gjithë janë të mendimit, si dhe unë, që studentët që studiojnë në këto universitete, nuk kanë njohuritë e një nxënësi të shkollës së mesme.
Stefani: Ato që Agolli deklaroi janë një tjetër ilustrim i asaj sëmundjeje të neveritshme që ka infektuar gjerësisht dhe elitisht në këto 25 vjet shoqërinë.
Pas notave të qeta të Agollit, ka ardhur “dallga” e Stefanit, i cili në një shkrim për gazetën DITA, është shprehur se “Ato që Agolli deklaroi lidhur me Sali Berishën, Lulzim Bashën dhe Edi Ramën janë një tjetër ilustrim i asaj sëmundjeje të neveritshme që ka infektuar gjerësisht dhe elitisht në këto 25 vjet shoqërinë shqiptare. Dhe diagnostikuesi i parë i saj ka qenë Dritëroi, dora vetë. E ka quajtur shkërdhatokraci!
Berisha një lexues tepër i përkushtuar dhe një politikan impulsiv që ja ka dalë falë këmbënguljes? Po kujt i duhen këto mburrje, kjo “etikë” servile për politikanin më problematik të tranzicionit? Aq më pak në gojën e një poeti si Dritëroi! Nëse Saliu qenka lexues kaq i përkushtuar, megjithëse nuk e rrezaton as në fjalë as në vepër, kjo është një tjetër provë se sa pak ndikon për korrektim kultura në një karakter të keq, nekrofil apo desktruktiv. Dhe paska vetëm një mëkat të pafalshëm: s’paska bërë spitale luksoze dhe nuk i paska dhënë shumë prioritet arsimit!
Dhe kush i thotë këto?
Patriarku i socialistëve që në vitin e mbrapshtë ’97, një kob që Shqipëria e vuajti pikërisht falë “këmbënguljes” së Saliut “për t’ia dalë” pra, për të qëndruar me çdo kusht në pushtet, deklaronte: “Kur Sali Berisha, të bjerë nga froni, 8 milionë shqiptarë do ta dënojnë më shumë se çdo diktator dhe vetëm atëherë Shqipërisë do t’i buzëqeshë paqja”.
Dhe Basha është rasti tipik i të riut të katapultuar nga Berisha, deri edhe me manipulimin e zgjedhjeve për kryetarin e PD. Prandaj, përkundër asaj që thotë Dritëroi, ai nuk ka as edhe një ide të vetën. Prandaj ka vetëm këmbënguljen për t’i qëndruar ideve të Berishës. Prandaj jo vetëm nuk do bashkëpunojë me qeverinë, sikundër e këshillon Dritëroi, por do konfliktohet shumë shpejt me të. Dhe qenka i kulturuar?!
Një politikan që me copë letre përpara, e lexon emrin e shkrimtarit Orhan Pamuk – Orhan Pambuk, vetëm me librin nuk ka lidhje. Me letërsinë jo e jo!, kundërshton Stefani.
Hila – Stefanit: “O pika qe s’te bie”
Ndërkohë, i ashpër ka qenë reagimi i Hilës ndaj Stefanit. Në një postim në facebook, Hila duket i irrituar nga reagimi i Stefanit ndaj Agollit dhe përdhosjes që ai tenton ti bëjë intelektualit Agolli.
Reagimi i tij i plotë:
“Ne keta 25 vjet ju kemi lene pasardhesve një hiç trashegimi kulturore. Bën perjashtim gazetaria ku do ju leme Andrea Stefanin. Eshte ai qe sulmoi Dritero Agollin pse ky nuk i bashkohet korit te lehjeve ditore te politikes. Eshte shembulli me ekselent si injoranca ju sulet monumenteve me gure. Se Driteroi qe te jete i madh u dashka te plotesoje kriterin e vetem te Stefanit, qe eshte sharja e Berishes. O pika qe s’te bie. Keta nuk te lene as te vdesesh i qete”, mbyll reagimin Hila në Facebook.









