Duket i pakuptimtë trajtimi i ashpër i tifozëve. Në Evropian, ku alarmet e sigurisë ishin shumë më të larta, ata u vlerësuan nga të gjitha mediat e huaja si shembull për masivitetin dhe sjelljen”. Kapiteni i Kombëtares, Ansi Agolli rreshtohet në anën e tifozëve pas ndeshjes me Izraelin dhe tensionin që e shoqëroi këtë përballje. Mbrojtësi kuqezi thotë në një intervistë për “Gazetën Shqiptare” se është pa precedent fakti që shqiptarët u ndaluan në kufi. Stadiumin e mbushur përgjysmë ai e quan trishtim. “I falënderojmë sinqerisht forcat e rendit që kujdesen gjithnjë për sigurinë tonë dhe të tifozëve. Por kujtoj, se kjo siguri nuk mund të bëhet në shkelje të të drejtave themelore të njeriut. Lëvizja e lirë është një prej tyre”, thotë Agolli. Ai shton se asnjë masë sigurie nuk mund ta justifikojë këtë veprim: “Urojmë që të mos përsëritet më!” Agolli pohon se udhëzimi i De Biazit me 10 lojtarë, ishte që të luanin me kundërsulm. “Pas kartonit të dytë të kuq, them që nuk mund të flitet më për futboll!” thotë ai për “GSH”.
Ansi, një humbje “e merituar” do të thoshim për ndeshjen me Izraelin. Nuk mund të themi që u mundëm nga fati. Çfarë shkoi keq?
Kishim rreth 6 ditë që përgatiteshim për këtë ndeshje, duke zhvilluar gati 2 seanca në ditë me seriozitetin më të madh, me përgatitje fizike tekniko-taktike, psikologjike, dhe vetëm për 15 minuta çdo gjë na u vështirësua. Do të kisha dashur shumë të flisja për një humbje të merituar apo të pamerituar, po kur luan në inferioritet numerik për gati 80 minuta, dhe kur skuadra jote nuk përballet e barabartë me një kundërshtar, është shumë e vështirë! Gjithsesi, pas kartonit dhe golit të parë skuadra u organizua dhe reagoi mirë, duke rrezikuar kundërshtarin. Vumë në lojë edhe karakterin dhe shpirtin e garës, e ishim në lojë akoma, por pas kartonit të dytë u bë e pamundur. Kudo që ktheja kokën kishte vetëm lojtarë të Izraelit, saqë një moment edhe arbitri m’u duk sikur kishte bluzë të bardhë si Izraeli!
Masa ekstreme sigurie dhe një tension në ajër shoqëroi gjithë atmosferën e ndeshjes. Tifozë nga trevat jashtë Shqipërisë u ndaluan në kufi dhe stadiumi ishte i mbushur përgjysmë. Sa ndikuan të gjitha këto në përgatitjet e ndeshjes?
Të them të drejtën jemi munduar të qëndrojmë sa më larg asaj situate që u krijua. U munduam të përqendroheshim te stërvitja dhe te studimi i kundërshtarit, por s’mund të mohoj faktin që, kur hyra në fushë dhe pashë stadiumin gjysmë të mbushur, ndjeva një trishtim të madh. Shiu nuk ishte motiv që stadiumi të ishte i përgjysmuar (në ndeshjen me Maqedoninë, shiu ishte akoma më i madh dhe tifozët qëndruan deri në momentin kur arbitri ndërpreu ndeshjen)! Do të kisha dashur shumë të mos ndikonte ajo situatë, por indirekt ka ndikuar edhe te lojtarët!
Çfarë ju tha trajneri De Biazi në dhomat e zhveshjes? A kishte Kombëtarja një plan ndryshe për pjesën e dytë, duke qenë se mbetëm me 10 lojtarë?
Ishte e qartë që nuk mund të luanim si donim ne pas kartonit të parë. Trajneri na udhëzoi t’i prisnim dhe t’i kundërsulmonim. Këtë gjë mendoj se e bëmë mjaft mirë, për aq minuta sa ishim me vetëm një lojtar më pak, madje tani që e kam riparë disa herë ndeshjen, edhe i kemi dominuar në qarkullimin e topit (flas për ato minuta që ishim me 10 lojtarë). Pas kartonit të dytë, them që nuk mund të flitet më për futboll!
Si u shprehën Gjimshiti dhe Berisha pas ndeshjes, a thanë që vepruan gabim në fushë, apo menduan se kartonët e kuq ishin të tepruar?
Shiko, ajo që i ndodhi Berishës dhe Beratit është pjesë e lojës. I ndodhi Berishës, më ka ndodhur edhe mua, e u ka ndodhur edhe lojtarëve më me emër në botë. Kam dëgjuar shumë specialistë që mundohen të gjejnë fajtorët apo fajtorin. Fajtorë jemi të gjithë, duke filluar nga mua për sa u përket kartonëve; rasti i Beratit sipas rregullores së re duhej të ishte karton i verdhë, kurse rasti i Berishës ishte një provokim nga ana e kundërshtarit, që Berisha me eksperiencën që ka duhej ta evitonte! Gjithsesi, siç e thashë edhe më lart, faji është i të gjithëve neve, duke filluar nga unë!
Disa tifo-grupe apo tifozë individualë kanë bërë thirrje për bojkot të ndeshjeve të Kombëtares. Si e shihni reagimin e tifozëve?
Siç përmenda edhe më lart, tensioni i shtuar na preku edhe ne si futbollistë. E imagjinoj dhe e kuptoj që ka qenë tmerrësisht e vështirë për mbështetësit tanë. Duket i pakuptimtë trajtimi i ashpër i tifozëve. Ata janë vërtet të mrekullueshëm, siç kanë treguar në të gjitha ndeshjet e Kombëtares, me mbështetje të zjarrtë dhe korrekte me kundërshtarët. Dua të përmend që, në Evropian, ku alarmet e sigurisë ishin shumë më të larta, ata u vlerësuan nga të gjitha mediat e huaja si shembull për masivitetin dhe sjelljen. I falënderojmë sinqerisht forcat e rendit që kujdesen gjithnjë për sigurinë tonë dhe të tifozëve. Por kujtoj, se kjo siguri nuk mund të bëhet në shkelje të të drejtave themelore të njeriut. Lëvizja e lirë është një prej tyre dhe ndalimi në kufi i tifozëve shqiptarë nga FYROM, është një rast i paprecedent. Asnjë masë sigurie nuk mund ta justifikojë këtë veprim. Urojmë që të mos përsëritet më! Thënë kjo, uroj edhe që tifozët të kthehen në stadium, sepse duam t’i bëjmë krenarë me paraqitjen tonë. Fundja, futbollin për ta e luajmë.
Në përfundim të ndeshjes u komentua që “Kombëtarja u kthye në origjinë”. Mendoni se do të përfundojmë në vendet e fundit të tabelës?
Është një përjetim që ndodh rëndom sa herë ekipi ka rezultat negativ, pa marrë parasysh nëse kundër kemi Spanjën apo Izraelin. Shpërthen një pesimizëm i madh. Kam qenë dhe jam gjithmonë i hapur për kritika. Jam ndër ata që besojnë se kritika e rrit më shumë profesionalisht një futbollist! Në sa vite luaj me ekipin kombëtar, kemi pasur kritika gjithmonë, në humbje, por edhe në fitore gjithashtu. Në një mënyrë jemi mësuar me to. Por dua të theksoj se ajo që vërehet mbas Evropianit është që ka një organizim kritikash dashakeqe në drejtim të ekipit. Shoh që ka shumë analistë që flasin vetëm për të dëmtuar ekipin. Sigurisht që, asnjë nga ne në fushë, stafi e shikuesit, nuk jemi të kënaqur me rezultatin e ndeshjes së fundit. Jemi të vetëdijshëm që ka nevojë për punë dhe do punojmë akoma më shumë që të sjellim paraqitje të mira në ndeshjet e radhës. Në këto momente skuadra ka nevojë më shumë se kurrë për qetësi, e që të jemi të bashkuar. Është një situatë që e kemi kaluar edhe më parë, dhe jam i bindur që do ta kalojmë edhe kësaj here./GSH/a.m.