Agjërimi ditor rezulton efektiv për humbje të peshës.Agjërimi ditor është një mjet efektiv për ta zvogëluar peshën dhe për ta ulur shtypjen e gjakut, sipas një studimi të ri të publikuar nga hulumtuesit e universitetit Illinois në Chicago, në revistën Nutrition and Healthy Aging.
Studimi është i pari që e ekzaminon efektin e ushqyerjes së kufizuar kohore – një formë agjërimi që e kufizon konsumin e ushqimit në orë të zgjedhura çdo ditë – në humbjen e peshës tek individët obesë.Për ta studiuar efektin e këtij lloji të dietës, hulumtuesit kanë punuar me 23 vullnetarë obesë, të cilët e kishin një moshë mesatare prej 45 vjeç dhe indeks mesatar të trupit (BMI) prej 35.
Mes orëve 10 në mëngjes deri në 6 të pasdites. ata mund të hanin çdo lloj dhe sasi ushqimi që e dëshironin, por për 16 orët e mbetura ata vetëm mund të pinin ujë ose pije pa kalori. Studimi i përcolli pjesëmarrësit për 12 javë.
Kur u krahasua me një grup të përputhur historik nga një studim i mëparshëm i humbjes së peshës me një lloj tjetër të agjërimit, hulumtuesit zbuluan se ata që e ndoqën dietën me kohë të kufizuar konsumuan më pak kalori, humbën peshë dhe kishin përmirësime në shtypjen e gjakut, transmeton Koha.net.
Mesatarisht, pjesëmarrësit konsumonin rreth 350 më pak kalori, e humbën rreth 3 për qind të peshës së trupit dhe presioni i tyre sistolik i gjakut ra për rreth 7 milimetra të merkurit (mm Hg), matje kjo standarde e shtypjes së gjakut. Të gjitha masat e tjera, duke e përfshirë masën yndyrore, rezistencën ndaj insulinës dhe kolesterolit, ishin të ngjashme me grupin e kontrollit.
“Mesazhi që mund të nxirret nga ky studim është se ekzistojnë opsione për humbje peshe që nuk e përfshijnë numërimin e kalorive ose eliminimin e disa ushqimeve”, tha Krista Varady, profesoreshë e kineziologjisë dhe të ushqyerit në Kolegjin UIC të Shkencave të Aplikuara Shëndetësore dhe autore korresponduese në studim.
Derisa ky është studimi i parë që e hulumton dietën 16:8, e emërtuar sipas 16 orëve të agjërimit dhe 8 orëve të ngrënies, Varady thotë se rezultatet përputhen me hulumtimet e mëparshme mbi llojet e tjera të dietave të agjërimit me ndërprerje.
“Rezultatet që i pamë në këtë studim janë të ngjashme me rezultatet që i kemi parë në studimet e tjera për agjërimin alternativ ditor, një lloj tjetër diete,” tha Varadi, “por një nga përfitimet e dietës 16:8 mund të jetë që ajo është më e lehtë për njerëzit që të mos e braktisin. Kemi vërejtur se më pak pjesëmarrës e kanë braktisur këtë studim në krahasim me studimet për dietat e tjera agjëruese”.
Varady thotë se derisa hulumtimi tregon se agjërimi ditor funksionon për humbje peshe, nuk ka pasur ende studime për të përcaktuar nëse ai funksionon më mirë se dietat e tjera, megjithëse hulumtuesit konstatuan se humbja e peshës është pak më e vogël se ajo që është vërejtur në studimet e dietave të tjera me agjërime me ndërprerje.
“Këto të dhëna preliminare janë premtuese për përdorimin e ushqyerjes me kufizime kohore, si një teknikë e humbjes së peshës tek të rriturit obesë, por nevojiten provat e kontrolluara afat-gjata në shkallë të gjerë”, shkruajnë Varady dhe kolegët e saj.
“Dieta 16:8 është një mjet tjetër për humbjen e peshës për të cilën tani kemi dëshmi preliminare shkencore për ta mbështetur,” tha Varadi, përcjell Koha.net. “Kur bëhet fjalë për humbje peshe, njerëzit duhet ta gjejnë atë që funksionon për ta, sepse edhe sasitë më të vogla të suksesit mund të çojnë në përmirësime në shëndetin metabolik”.
Qendrat për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve vlerësojnë se më shumë se një e treta e të rriturve në SHBA janë obesë, gjë që e rritë ndjeshëm rrezikun prej sëmundjeve metabolike si sëmundja koronare e zemrës dhe diabeti i tipit 2 dhe se obesiteti është më i përhapuri në mesin e individëve zezakë jo-hispanikë dhe të rriturve të moshës së mesme, përgatiti Koha. (b.an)