Nënkryetarja e Kuvendit, Evis Kushi, ishte në Pogradec në kuadër të punës së Komisionit Parlamentar për Nismat Qytetare, Bashkëpunimin dhe Mbikëqyrjen Institucionale, ku zhvilloi një takim me stafin dhe nxënësit e gjimnazit të qytetit.
Gjatë takimit u diskutua për sigurinë në shkolla, problematikat me të cilat përballen nxënësit, si dhe bashkëpunimin mes institucioneve për garantimin e një mjedisi të sigurt.
Kushi tha se një nga shqetësimet kryesore të ngritura nga mësuesit dhe prindërit lidhet me sigurinë online dhe rreziqet që u vijnë nxënësve nga rrjetet sociale.
“Shqetësim i jashtëzakonshëm i mësuesve, por edhe i prindërve, është rreziku apo rreziqet që u vijnë nxënësve, veçanërisht nga rrjetet sociale apo në përgjithësi nga rrjetet online”, u shpreh Kushi.
Sipas saj, kjo përbën një sfidë për shkollat, pasi jo të gjitha problematikat që lidhen me aktivitetin online të nxënësve mund të identifikohen dhe parandalohen në kohë.
“Kjo është sfida: se si të bëhemi bashkë dhe t’i parandalojmë këto rreziqe që vijnë nga këto burime që janë shumë të vështira që t’i identifikosh dhe t’i parandalosh në kohë”, tha ajo.
Gjatë takimit u diskutua gjithashtu për masat e sigurisë në shkolla, përfshirë vendosjen e kamerave, si dhe për bashkëpunimin me Policinë, Bashkinë dhe institucionet e tjera.
Kushi u ndal edhe te programi “After School”, duke e cilësuar si një nga nismat që synon t’u mundësojë nxënësve qëndrimin në ambientet e shkollës edhe pas përfundimit të orarit mësimor, për aktivitete artistike, sportive, zeje dhe veprimtari të tjera jashtëkurrikulare.
Ajo tha se programi ka nisur në shkollat që plotësojnë kushtet infrastrukturore, ndërsa synimi është shtrirja e tij në të gjitha shkollat.











