Në një intervistë për Agjencinë e Lajmeve Zhurnal, Drejtori i Institutit të Studimeve Politike në Tiranë, Afrim Krasniqi, flet për fushatën më të gjatë në historinë e Maqedonisë, për rrezikun e mandateve të fragmentarizuara që dobësojn faktorin shqiptar dhe për nevojën e një plani B për situatën post-zgjedhore, në ndarjen e posteve drejtuese në Maqedoninë.
Zhurnal: Fushata elektorale në Maqedoni po shkon drejt fundit. Programet politike te partive shqiptare kane ne fokus më të madh të tyre një shtresë e shoqërisë, e që janë kryesisht të varfrit. A është teza daljes nga varfëria një karte politike qe sjell fitore?
Krasniqi: Në fakt kjo është fushata më e gjatë në historinë e Maqedonisë. Ka nisur rreth një vit më parë kur skandalet politike çuan në zgjedhje të reja, vijoi me shtyrjen e zgjedhjeve dhe tani me zgjedhjet zyrtare. Për një vend të vogël dhe me problematika të shumta kjo është një kosto e madhe, e pamatshme në shifra, por me siguri, me pasoja në cilësinë e demokracisë, shtetit dhe të standardeve të jetesës. Lidhur me varfërinë: kur politika fokusohet tek të varfrit d.m.th se nuk ka vend për politikë, as ide novatore dhe as për konkurrencë demokratike në stilin klasik. Varfëria e pamundëson demokracinë funksionale, dhe fakti se ajo mbetet temë dominuese do të thotë se pozita e shqiptarëve në Maqedoni, në aspektin social, është e vështirë, dhe se zgjidhja e kësaj problematike është komplekse, afatgjatë dhe kërkon reforma aq të thella dhe horizontale, sa palët aktuale në spektrin politik në Maqedonisë nuk janë në gjendje as ti ofrojnë dhe as i mbajnë. Për më tepër, unë nuk mendoj se Maqedonia do të dalë më e fortë pas këtyre zgjedhjeve, përkundrazi, kriza do vijojë, kontestimi politik do vijojë, elitat mbeten të njëjta dhe skepticizmi perëndimor do të jetë gjithashtu i njëjtë. Ndryshimet e mëdha vijnë rrallë dhe kërkojnë vizion, kurajë, sakrificë dhe aftësi, – tregues që në tërësi është e vështirë të gjenden sot në Maqedoni ose disa prej shteteve fqinje saj.
Zhurnal: Varfëria e qytetareve shoqërohet për antiteze nga bollëku i partive shqiptare ne skenën maqedonase. 21 parti politike shqiptare, 3 prej të cilave të sapo krijuara metojne te jene secila zgjidhja e vetme. A mendoni se vota shqiptare po përçahet për ti humbur peshën speficifike në vendimmarrje?
Krasniqi: Është tipar i demokracive të brishta në vende të varfra: kur qytetarët janë të varfër politika është burimi i vetëm i pasurimit, ndaj shqiptarët në Maqedoni, ashtu si në Tiranë e Prishtinë, vijojnë të jenë qytetarë të varfër me parti dhe liderë politikë të pasur, madje shumë më të pasur sesa p.sh, kancelaria në tre mandate e Gjermanisë apo vetë krerët politikë të Bashkimit Evropian. Dy partive kryesore shqiptare në Maqedoni kanë mbijetuar përmes kontrollit të votës dhe pushtetit që merret nga vota, – por në thelb, ato nuk kanë arritur të reformohen nga brenda, të bëhen periodikisht atraktive dhe të ecin me ritmin e qytetarëve, sidomos të brezit më të ri. Ndaj edhe ka pasur dhe me siguri do ketë edhe në vitet e ardhshme nisma për parti e lëvizje të reja. Kjo nga njëra anë i bën mirë përfaqësimit, rrit konkurrencën dhe numrin e programeve, por në kushtet e Maqedonisë mund të përsërisë pasojat që shqiptarët sapo provuan në Malin e Zi, ku fragmentarizimi në disa parti uli në minimim përfaqësimin parlamentar. Më 11 dhjetor mund të ndodhë i njëjti fenomen, siç edhe mandatet e fragmentarizuara do ta bëjnë faktorin shqiptar partner më të dobët në negociata me palën maqedonase që do të marrë mandatin për krijimin e qeverisë së re. Partitë shqiptare duhet të kishin edhe një plan B, një marrëveshje të brendshme për konkurrencë të forta në zonat e sigurta dhe për konkurrencë taktike në zonat e brishta dhe për më tepër, për një paketë problemesh në favor të pozitës shqiptare, e cila duhet promovuar e mbështetur në union nga secila palë, natyrisht, pa cenuar garën politike mbi atë se cila nga partitë shqiptare mund ta ketë aftësinë për ta jetësuar këtë paketë. Ky plan B mungon, siç mungon edhe plani B i shqiptarëve për situatën post-zgjedhore, në ndarjen e posteve drejtuese në Maqedoninë, – një vend që teorikisht është dy-etnik, por praktikisht shqiptarët janë ende të nën-përfaqësuar.
Zhurnal: Në një intervistë të fundit për Zhurnal ju keni thënë se është shqetësuese që partitë politike të kenë prapavijë ekstremiste fetare pasi është një lajm negativ afatgjatë për shqiptarët. Në fushatën e fundit zgjedhore është thirrur në skenë edhe Allahu për të mbështetur programet politike. A janë këto sinjale të një retorike të re ndër shqiptarë?
Krasniqi: Personalisht ndaj të njëjtin mendim që kishin që prej vitit 1920 elitat politike shqiptare që nga Noli, Konica, Zogu, Fishta, Frashëri e të tjerët, sipas të cilëve, përdorimi i fesë për qëllime politike përbën një akt kundër interesave dhe identitetit shqiptar. Gjërat kanë ndryshuar, por mesazhi mbetet i njëjtë, sidomos kur pala përballë ka interes që shqiptarët të identifikohen me fenë, dhe të paraqiten si modele politike e kulturore orientale. Dëmi që krijohet në aspekt afatgjatë është shumë më i madh sesa fitorja që merret në vota afatshkurtra. Gjithsesi, unë nuk e shoh përcaktues dhe as dominues ndikimin fetar në zgjedhjet brendashqiptare në Maqedoni dhe as nuk e shoh me shqetësim lëvizjen e re politike në rivalitet me dy partitë tradicionale. Në botën shqiptare konkurrenca ka qenë dhe është më e mirë sesa kulti i një partie apo i individëve në politikë.
Zhurnal: Roli shtet-formues i shqiptarëve është determinant për integrimin e Maqedonisë në struktura euroatlantike. LSDM-ja, ashtu si më parë VRMO-DPMNE po i shkel syrin partive shqiptare në fushatë dhe flirtuar me premtime. A janë këto premtime të realizueshme? A përkojnë me interesin e shqiptarëve.
Krasniqi: Në rrethana të tjera do të duhej që palët maqedonase të ishin shumë më tepër aktive dhe më të interesuara për votën shqiptare. Në fakt, unë e shoh me shqetësim se nuk janë aq të interesuara. Ata nuk kanë përballë një platformë për të cilën duhet të negociojnë, por kanë disa grupime që janë në garë se cila do hyjë më shpejt në koalicionin e ardhshëm qeverisës. Kjo e dobëson palën shqiptare dhe e forcon unin e palës tjetër. Nëse shohim në retrospektivë, kur shqiptarët kanë qenë më të fortë në përfaqësim situata e pozita e shqiptarëve në Maqedoni ka qenë më e fortë sesa në kushtet kur shqiptarët kanë qenë të ndarë, në konflikt dhe të dominuar nga një rrjet i ngushtë elitash politike e ekonomike, që ka të bëjë pak ose aspak me konceptin e interesit shqiptar, interesit kombëtar apo interesit integrues. Gjithsesi brenda partive ende ka personalitete politike, të cilat kanë rrezikuar shumë në karrierë, në familje, në jetën e tyre dhe në statusin shoqëror për të promovuar e mbrojtur këto të drejta. Ata dhe elitat e reja me formim më liberal e perëndimor, janë shpresa e vetme se brenda partive shqiptare interesat madhorë nuk do të sakrifikohen në favor të interesave afatshkurtra të pushtetit/pushteteve.
Zhurnal: Pyetja e fundit: Çfarë do ti thoshin një votuesi shqiptarë në Maqedoni?
Krasniqi: Duhet të votojnë, por përpara se të votojnë duhet ta mendojnë votën, ta vlerësojnë atë dhe më shumë se apriori emrat e veçantë apo partitë e veçanta, uroj të zgjedhin parimet, vlerat dhe potencialet reale për realizimin optimal të kërkesave dhe të drejtave të tyre kushtetuese. Uroj shumë të ketë një pakt etik midis palëve për evitim të incidenteve dhe për bashkëpunim në administrimin e votës dhe sidomos të rezultateve postzgjedhore. E përsëris, zgjedhjet vijnë e shkojnë, por interesat, shqiptarët, kërkesat dhe problemet e tyre mbeten aty, ndaj kërkohet trajtim serioz i tyre, oferta zgjidhjeje dhe mekanizëm legjitim për jetësimin e tyre. Dhe një detaj simbolik, është e pafalshme që shqiptarët – shtetas maqedon në Shqipëri e vende të tjera nuk po arrijnë të unifikojnë votën për të paktën një prej tre mandateve të parlamentit për diasporën. Përse pakica maqedonase në Shqipëri, e cila përfaqësohet e mbështetet nga cdo qeveri në Tiranë, nuk arrin të zgjedhë dot një deputet shqiptar në parlamentin e Maqedonisë? Dhe një sugjerim të fundit, do të doja shumë që Tirana zyrtare e politike të ishte më prezente në Maqedoni, jo për tu bërë palë midis palëve politike, përkundrazi, por për të treguar se vërtetë interesohet për pozitën shqiptare në rajon dhe për detyrimin e saj kushtetues për këtë.
Zhurnal/d.i.