Tashmë nuk është risi që Shqipëria ka tërhequr vëmendjen e mediave në mbarë botën. Këtë herë kureshtjen e ka marrë Muzeu i Forcave të Armatosura të Shqipërisë, i cili u hap vitin e kaluar në Berzhitë, të cilit agjencia prestigjioze franceze e lajmeve AFP i ka kushtuar një reportazh.
Muzeu ndodhet në të dalë të kryeqytetit dhe hedh dritë mbi të kaluarën e trazuar të vendit ballkanik dhe sesi ai u nda nga e kaluara e tij mbi 40-vjeçare komuniste – shkruan AFP.
“Të gjitha objektet që ndodhen në muze kanë një rëndësi të veçantë për kujtesën e ushtrisë shqiptare dhe historinë e vendit. Është një hapësirë publike e cila tregon historinë politike të vendit përmes historisë së ushtrisë shqiptare”- thotë për agjencinë drejtori Arben Skënderi.
“Muzeu i Ushtrisë Shqiptare në Berzhitë, pranë kryeqytetit Tiranë, shfaq gjithçka, nga tanket sovjetike dhe silurhedhësit kinezë deri te armët e prodhuara në vend dhe flamujt e NATO-s.- shkruan AFP, e cila kujton se vendi ynë është quajtur “Koreja e Veriut e Europës” për shkak të izolimit të tij nga diktatori komunist Enver Hoxha.
“Vendi përqafoi Perëndimin pas rënies së regjimit komunist në vitin 1990 dhe, 30 vjet më vonë, është pjesë e NATO-s dhe shpreson të bëhet anëtar i Bashkimit Europian.” – shkruan AFP.
Muzeu i Forcave të Armatosura u hap dhjetorin e kaluar. Ai është i ndarë në 5 pavione të veçanta në një hapësirë prej 100 mijë metrash katrorë.
/a.r