Pas dëshmisë 3-orëshe në SPAK paraditen e 22 shkurtit 2023, Ilir Meta, në daljet e tij publike, mohoi lidhjet dhe implikimin e tij në aferën CEZ-DIA. Shqiptarja.com sjell të plotë dëshminë e Vojsava Ismalilajt, bashkëshortes së Kastriot Ismailajt, ish administratori i DIA-s, i vetmi i dënuar me 11 vite burg në tetor 2017 për skemën mashtruese dhe pastrim parash. Bazuar në rrëfimin e Vojsava Ismalilajt, Ilir Meta jo vetëm është i implikuar dhe përfitues i skemës së vjedhjes, por Meta del në pah si pronar i fshehtë i kompanisë DIA.
Në dëshminë e dhënë për gazetarin Fatos Mahmutaj, në tetor 2017, Vojsava Ismalilaj thotë se Ilir Meta, si pjesë e pushtetit të Berishës, ka ndikuar që ERE të ulëte çmimin e energjisë që KESH ia shiste CEZ, ndërsa CEZ ua shiste shqiptarëve. Në dhjetor të vitit 2010 ERE uli çmimin e shitjes së energjisë nga KESH tek CEZ me 27 për qind; nga 2.03 lekë në 1.48 lekë. Ky vendim u mor nga ERE në dhjetor të vitit 2010, pasi DIA ishte paguar 1.48 milionë euro nga CEZ.
Kujtomë që në shtator 2010, CEZ kishte hyrë në partneritet me DIA për të mbledhur faturat e papaguara të energjisë elektrike. Vojsava Ismalilaj thotë se Ilir Meta i kërkoi Kastriotit që t’i kërkonte CEZ shpërblim për këtë favorizim. Gjithashtu, Vojsava Ismalilaj thotë se Meta i kërkonte Kastriotit shuma të mëdha eurosh. Sipas saj, Kastrioti kishte lidhje me Metën që kohën e krijimit të FRESH. Vojsava Ismalilaj hedh dyshime të forta se Ilir Meta fshihet edhe pas mbylljes së kompanisë DIA dhe tërheqjes së Arbitrazhit pasi kishte plasur skandali. Ajo flet për lidhje mes Ilir Metës dhe Rebeka Gaski Gai, përfaqësuesja ligjore e DIA-s.
Vojsava Ismalilaj thotë se Rebeka Gaski Gai ka qenë në Tiranë në nëntor 2014, ku është takuar pikërisht me Majlind Lazimin, djali i hallës së Monika Kryemadhit, ish drejtor i LSI-së në krye të Postës. Dhe në fakt Majlind Lazimin rezulton se ka udhëtuar edhe me vetë Kastriot Ismailaj.
Më pas, sipas saj, Lazimi e ka çuar Rebeka Gaski Gai në takim tek shtëpia e Ilir Metës. Më pas, në skenë del Arjan Laçi, i cili sipas Vojsava Ismalilaj e ka çuar Rebeka Gaski Gai në takim tek ministri Gjiknuri dhe kryeprokurori Adriatik Llalla. Arjan Laçi ishte ortaku i Kastriot Ismailaj, i cili ka tërhequr edhe para nga llogaritë e DIA-s.
Sipas Vojsava Ismalilajt, Ilir Meta, prokuroria, Rebeka Gaski Gai dhe Arjan Laçi kanë bashkëpunuar për të bërë ‘kurban’ Kastriot Ismailajn, me qëllim për ta mbyllur historinë e korrupsionit, për të shpëtuar vetë Meta, Rebeka Gaski Gai dhe Arjan Laçi, të cilët kishin qenë bashkëpunëtorë me Kastriotin.
Pas këtyre lëvizjeve, Vojsava Ismalilajt thotë se në 1 dhjetor 2014, Rebeka Gaski Gai ndryshon administratorin e DIA-s, duke vendosur Ali Cenën, i cili pezullon kompaninë. Më pas, Rebeka Gaski Gai tërheq DIA-n nga Arbitrazhi pa vullnetin e Kastriot Ismailajt.
Nuk dihet nëse SPAK do t’i administrojë këto deklarata të Vojsava Ismalilajt dhe të kryejë në hetim nëse përputhen me veprimet në terren. Por, dëshmia e Vojsava Ismalilajt është në sinkronë me dëshminë e Jozef Hejsek, ish-shefi ekzekutiv i CEZ, i cili ka deklaruar se Ilir Meta kishte rekomanduar Kastriot Ismailajn si “njeriun e tij të besuar” për mbledhjen e borxheve të vjetra për llogari të CEZ Shpërndarje.
Gjithashtu, avokatët që përfaqësonin OSHEE-në në arbitrazhin ndërkombëtar në Vjenë, pretenduan se kishin prova që Ilir Meta kishte ryshfet nga biznesmeni i akuzuar për mashtrim dhe pastrim parash, Kastriot Ismailaj. Dritan Prifti, një nga njerëzit më të afërt të Ilir Meta, më pas armiku i tij më i përbetuar, ka rrëfyer se Meta ka udhëtuar pati udhëtuar në Çeki për të negociuar kontratën për Kastriot Ismailajn, të cilin e konsideronte si një person me dosje. Në shtator të vitit 2015, Sali Berisha deklaronte në Parlament se Ilir Meta nuk kishte pasur asnjë tagër për të negociuar kontratën CEZ-DIA në Pragë. Në qershor të 2019, Shqiptarja.com publikoi një investigim, ku Ilir Meta, një ditë para zgjedhjeve te 2009, i kërkon me urgjencë Kastriot Ismailaj një shumë prej 200 mijë euro.
Rrëfimi i plotë Vojsava Ismailajt
Jam larguar nga Shqipëria sepse pas arrestimit të bashkëshortit tim Kastriotit janë ndjerë e kërcënuar dhe e rrezikuar nga njerëz të veshur me pushtet. Bashkëshorti im është arrestuar me të padrejtë dhe kjo tregon qartë se arrestimi i tij është diktuar nga njerëz të veshur me pushtet. Çështjet për të cilat ai po hetohet janë çështje madhore, ku janë përfshirë dhe përfolur emra të pushtetshëm të politikës shqiptare, dhe unë si bashkëshortja e tij, ne si familje, mund të jemi të rrezikuar nga presione të njerëzve të pushtetshëm që nuk do të dëshironin që Kastrioti të sqaronte disa detaje gjatë hetimeve që po kryhen ndaj tij. Ka pasur direkt dhe indirekt kërcënime nga persona të njohur që më kanë thënë shprehimisht që Kastrioti të tërhiqet nga Arbitrazhi që të lirohet. Ky është kërcënimi që ka ardhur në mënyrë indirekte.
Direkt më kanë kërcënuar persona të panjohur për jetën time dhe të djalit tim. Më kanë ndjekur dhe ruajtur gjatë gjithë kohës persona të ndryshëm, kudo që shkoja, para shtëpisë, kudo që lëvizja. Jemi martuar që prej 17 vitesh. Kastrioti më ka mbajtur vazhdimisht të informuar për aq sa ishte e mundur për ecurinë e biznesit të tij, për njerëzit kyç me të cilët ai bashkëpunonte, për marrëdhëniet që mbante me ta, për ngjarjet më të rëndësishme të biznesit, për udhëtimet e tij jashtë shtetit etj., ashtu si çdo bashkëshort mund të mbajë të informuar gruan e tij.
Akuzat për të cilat Kastrioti është hetuar që nga viti 2008 kanë qenë kryesisht të pabazuara dhe Kastrioti ka besuar se kishin kryesisht si qëllim që t’ia vështirësonin punën dhe biznesin e tij. Megjithatë, Kastrioti me durim ka sqaruar të gjitha akuzat gjatë hetimeve, ku u është përgjigjur me korrektesë të gjitha pyetjeve dhe thirrjeve që ka bërë prokuroria. Dhe ato çështje janë mbyllur.
Për Kastriotin, por edhe për mua, ishte e qartë se ngritja e këtyre akuzave dhe rifillimi i hetimeve ndaj Kastriotit, pasi hetimet ndaj tij ishin pushuar tre herë në të shkuarën, kishin si qëllim vetëm të sulmonin Kastriotin për shkak të Arbitrazhit të filluar në Vjenë. Pra, Kastrioti duhej penguar me çdo kusht me vijimin e Arbitrazhit, jo vetëm për shkak të shumës së kërkuar, por kryesisht për shkak të informacioneve që po dilnin gjithmonë e më shumë gjatë procesit të Arbitrazhit.
Avokatët e të dy palëve kishin filluar të paraqisnin gjithnjë e më shumë detaje pranë gjykatës së Arbitrazhit dhe me sa duket kjo duhej ndaluar pasi përfshiheshin emra të pushtetshëm. Mund të përmend kryetarin aktual të Kuvendit, z. Meta, i cili ishte ndër personat e interesuar drejtpërdrejt që zhurma rreth të ashtuquajturës afera CEZ-DIA në Shqipëri, duhej shuar. Kjo lidhet edhe me aktivitetin e tij kur ka qenë ministër i Jashtëm apo ministër i Ekonomisë. Kastrioti, për shkak të aktivitetit të tij të hershëm jashtë Shqipërie, kishte lidhje miqsh në çdo vend të botës.
Ilir Meta, por edhe të tjerë, janë përpjekur vazhdimisht që të shfrytëzojnë këto lidhje, për të nxjerrë përfitime. Për shembull lidhja e kontratës me CEZ-in në Pragë është krijuar falë lidhjeve të tij dhe jo ndikimit të politikanëve shqiptarë. Ilir Meta në mënyrë të veçantë ka shfrytëzuar lidhjet e Kastriotit për të krijuar më pas lidhje me persona të rëndësishëm të biznesit apo të politikës. Kështu ka ndodhur edhe me rastin e CEZ-it. Kastrioti e kishte mik Ilir Metën deri në fund të vitit 2012. Marrëdhëniet e tij me Metën kanë qenë tepër të ngushta që në kohën para se të bëhej kryeministër. Ilir Meta bashkë me bashkëshorten e tij Monikën, shpeshherë kanë ardhur në shtëpinë tonë, kemi kaluar së bashku dreka dhe darka.
I kishte forcuar lidhjet me Kastriotin që në kohën e krijimit të FRESH-it. Kastrioti kishte ndërmjetësuar edhe pajtimin e Ilir Metës me Fatos Nanon. Dhe ky është një fakt i njohur publikisht. Për t’ju rikthyer historisë së CEZ, po ju sjell vetëm një shembull, ku ka qenë pikërisht Ilir Meta që pasi kishte realizuar uljen e çmimit të energjisë, i kërkonte Kastriotit, që t’u kërkonte çekëve, që ta shpërblenin atë. Mjafton që të shikosh SMS-të që Ilir Meta i ka dërguar Kastriotit në vitet 2010-2012, dhe e kupton lehtësisht. Kastrioti ka qenë shpesh nën presion për të dhënë para nga bizneset e tij për të ushqyer fushatat elektorale. Di shumë, jo vetëm një. Por këto i di më mirë Kastrioti.
Atë që mund të them unë është se, në kohën që u prish kontrata mes DIA dhe CEZ, Kastrioti ka qenë shumë i shqetësuar sepse Ilir kërkonte një shumë të madhe eurosh. Kastrioti është njeri shumë punëtor dhe gjithnjë i ka ndjekur me shumë përkushtim të gjitha bizneset e tij. Bizneset që ai ka ngritur kanë qenë të mëdha dhe të ndërlikuara, por Kastrioti nuk ka pasur asnjëherë qëllim që të përfitojë përmes mashtrimit apo të krijojë për vetë përfitime të padrejta. Sigurisht të bësh biznes të tillë është e vështirë dhe komplikuar, sidomos në një vend Si Shqipëria, ku ndesh çdo ditë e pengesa.
Arbitrazhi është një mundësi e ligjshme si çdo marrëveshje e këtij niveli. Siç edhe thash, Kastrioti besonte se akuzat ishin të lidhura me Arbitrazhin dhe rrjedhën që procesi po merrte në Arbitrazh. Kastrioti nuk ka kërkuar asnjëherë që të mbështetet në miqësitë e tij me njerëzit e politikës për të bërë biznes. Kanë qenë ata që kanë ofruar mbështetje dhe kanë kërkuar prej Kastriotit që të jenë të përfshirë. Si mund të refuzohen njerëz me pushtet kur japin sinjale që ata kanë në dorë dhe janë po ata që të fundosin?!
Ishe CEZ që kishte dëmtuar DIA-n. Padia në Arbitrazh u ngri kundër CEZ, jo shtetit shqiptar. Kontrata nuk ka qenë korruptive. Unë besoj se të jesh vazhdim nën hetim nga prokuroria pa asnjë provë dhe bazë, është thjeshtë formë presioni, është një sinjal që duhet të mbash marrëdhënie të mira me njerëzit e duhur të veshur me pushtet.
Para tërheqjes së DIA-s nga Arbitrazhi në dhjetor 2014, edhe Kastriotit i janë ofruar për ta zgjidhur me marrëveshje në këmbim të një shume më të vogël se ajo që kishte kërkuar në Arbitrazh. Kastrioti nuk e pranoi sepse nga ana tjetër iu kërkuar që në këtë shumë që do të merrte, do ta ndante me njerëz të veshur më pushtet. Edhe të qenit i izoluar ka ndikuar, pasi ai nuk kishte asnjë mundësi komunikimi. Llogaritë kishin para që buronin nga shumë biznese më përpara, pra para kontratës CEZ-DIA.
Zonja Rebeka Gaski Gai (përfaqësuese ligjore e DIA-s) ka pasur marrëdhënie të ngushta me Kastriotin. Ajo ishte përfaqësuese në të gjitha bizneset e tij. Besoj se ka pasur një marrëveshje të fshehtë për të mos marrë diçka në këmbim. Ndryshe ajo nuk kishte pse të tërhiqej nga Arbitrazhi. Ajo duhet të ishte gjithashtu si Kastrioti e arrestuar dhe nën akuzë.
Dua të sqaroj gjithashtu se Rebeka ka qenë disa herë në Shqipëri. Ajo ka qenë edhe në fund të nëntorit 2014. Ajo është pritur nga z. Majlind Lazimi, i cili është një i afërt i Monika Kryemadhit dhe më pas nga Arjan Laçi, si dhe nga njerëz të OSSHEE.
Më pas ka takuar z. Ilir Meta në banesën e tij. Dhe fiks në datën 1 dhjetor të vitit 2014, ajo ka ndryshuar në QKR administratorin, duke vendosur një person i quajtur Ali Cena. Ky i fundit, në datë 1 dhjetor, ka pezulluar aktivitetin e shoqërisë DIA. Gjithçka është bërë e koordinuar pasi mjafton të shohësh dokumentet e paraqitura në QKR, ato janë pranuar, dhe nuk kanë qenë në formën e kërkuar nga ligji.
Madje administratori i sapoemëruar ka shërbyer edhe si përkthyes i dokumenteve në gjuhë të huaj. Ka qenë z. Laçi, i cili më pas e ka shoqëruar Rebekën tek ministri Damian Gjiknuri dhe tek Prokurori i Përgjithshëm. Në datën 03.12.2014 është realizuar edhe marrëveshja e famshme që është paraqitur në Arbitrazh. Kjo është mbajtur e fshehtë nga publiku shqiptar.
Arjan Laçi është ortaku i Kastriot Ismailajt, por falë lidhjeve të tij me persona të pushtetshëm, dhe në mënyrë të veçantë me prokurorin e Përgjithshëm, Adriatik Llalla dhe Ilir Meta, ai me kujdes është ruajtur dhe mbrojtur nga Prokuroria. Kjo e fundit kishte si qëllim të fundoste vetëm Kastriotin.
Prokuroria ka kursyer personazhe të tjerë, si z. Laçi apo si zonjën Rebeka. Në gjendjen në të cilën ndodhet drejtësia në Shqipëri, unë mund të them se nuk kam fare besim se do të ketë një gjykim të drejtë. Edhe hetimi ka qenë abuziv, tendencioz dhe jo i plotë.
A mund të besojë ndokush se Kastrioti ka qenë krejtësisht i vetëm në këtë biznes kaq të madh?! Atëherë pse nuk është hetuar më shumë? Pse tentohet të mbyllet çështja me shpejtësi duke e bërë Kastriotin kurban? Unë mendoj se prokurori është nxituar dhe nuk ka kryer një hetim të plotë. Sigurisht që akuzat nuk qëndrojnë pasi Kastrioti asnjëherë nuk ka pasur qëllim të fitojë nëpërmjet mashtrimit dhe të pastrimit të parave.
Nga ana tjetër, besoj se Kastrioti është frenuar për të dhënë sqarime të detajuara pasi unë dhe djali kemi qenë krejt të vetëm në Tiranë dhe pa asnjë mbrojtje. Besoj se ai natyrshëm ka qenë i frikësuar për ndonjë rrezik për jetën tonë. Do ketë një gjykim të drejtë dhe të paanshëm vetëm po të hetohen të gjitha detajet e kësaj historie, duke përfshirë të gjithë personat e përfolur dhe atyre të veshur me pushtet politik. Ndryshe Kastrioti do të jetë thjeshtë kurbani për ta mbyllur këtë histori si shumë të tjera.
Unë vetë vendosa të largohesha nga Shqipëria pasi nuk gjeta asnjë siguri apo mbrojtje. Në këto kushte më mbetet vetëm të bëj thirrje përfaqësuesve diplomatikë, veçanërisht Ambasadës Amerikane… Sigurisht që kam prova dhe fakte, që mund të faktoj këtë që thash. Provat do t’i publikoj në një moment kur duhet të dalin provat./Adriatik Doçi-shqiptarja.com/m.j