Punonjësit e dy aeroporteve të Berlinit nisën një grevë të re këtë të hënë, duke i përshkallëzuar kështu veprimet e tyre në mosmarrëveshjen mbi pagat, që ka çuar deri më tani në anulimin e rreth 1.000 fluturimeve.
Një zëdhënës i aeroporteve sqaroi se do të anulohen pothuajse të gjitha fluturimet e caktuara për datën 13 mars; 194 prej tyre janë në Aeroportin “Schoenefeld” dhe 448 në “Tegel”.
Në deklaratën e Sindikatës “Verdi” thuhet se, greva mund të zgjasë deri mëngjesin e së mërkurës. “Lufthansa” njoftoi pezullimin e të gjithë fluturimeve të saj nga Frankfurti e Mynihu për në Berlin dhe anasjelltas, pa sqaruar numrin e tyre të saktë.
Pështjellimi i udhëtarëve është i madh.
“Ky është një lëmsh që më dëmton shumë, sepse më duhet të shkoj patjetër në Lisbonë për çështje pune. Ti vjen këtu dhe sheh që askush nuk punon, nuk të japin as informacion. Thjesht po rri këtu ulur, duke pritur që dikush të vijë e të na thotë se çfarë do të ndodhë”, tha Teresa Paive, udhëtare.
“Ndihem sikur më kanë marrë peng. E kuptoj që kërkojnë të paguhen më shumë, por ne jemi krejtësisht të jashtëm në këtë problem. Nuk më duket e drejtë që ta pësojmë ne”, tha Karl Koenigstaedt, udhëtar.
Sindikata kërkon që rroga e stafit në tokë të rritet në 12 euro ora, nga gati 11 euro që është aktualisht. Dy aeroportet e bllokuara përdoren rëndom jo vetëm nga “Lufthansa”, por edhe nga kompani të tjera ajrore si “Air Berlin”, “EasyJet” dhe “Ryanair”.