Ish-mesfushori i Mançester Junajtid, Rajan Gigs, nuk ka kapërdirë lehtë sjelljen e futbollistëve të Mançester Junajtid pas humbjes 4-0 që pësuan përballë Çelsit. Uellsiani e ka cilësuar si të papranueshëm faktin se pas një disfate kaq të thellë, lojtarë të ndryshëm ishin larguar nga fusha duke qeshur apo duke ndërruar fanellat me kundërshtarët sikur të mos kishte ndodhur asgjë.
David De Gea u pa të fliste me Pedron, Ibrahimoviç dhe Mata po qeshnin me njëri-tjetrin, ndërsa shumë futbollistë po ndërronin fanellat pas mbylljes të kësaj ndeshje.
“Mund të mposhtesh në një ndeshje futbolli, por kur mundesh keq e pastaj ndërron fanella, më quani edhe të vjetër në mendësi po deshët, por mua kjo nuk më pëlqen”, tha Gigs pas përfundimit të takimit.
“Nëse mundesh 4-0, ti përgëzon kundërshtarin, falënderon tifozët dhe pastaj del nga fusha e lojës. Nuk qëndron në fushë duke ndërruar fanellat e qeshur me skuadrën që sapo të ka mundur”, ishte kritika e Gigs./panorama/a.k