Procesi i rivlerësimit kalimtar, përveç mungesës së profesionalzimit, pasurive të pajustifikuara dhe lidhjet me krimin e organizuar të gjyqtarëve dhe prokurorë, po nxjerr gjithashtu në pah abuzimin me skemat e strehimit social gjatë dy dekadave të fundit.
Nga Elisa Gjerani, Ornela Manjani
Në vitin 2007, gjyqtari Ervin Metalla bleu një apartament në Tiranë nga ish-Ministri i Drejtësisë, Eduard Halimi, transaksion i cili u financua nëpërmjet një kredie tregtare dhe 4 vjet më vonë u rifinancua nëpërmjet një kredie të butë të subvencionuar nga buxheti i shtetit.
Sipas Komisionit të Pavarur të Kualifikimit – organit të vetingut që mori në sitë pasurinë e Metallës në korrik të vitit 2018, dy ish-zyrtarët e lartë të sistemit të drejtësisë përdorën dy kontrata për shtijën e shtëpisë, një kontratë paraprake me vlerë 75 mijë euro dhe tjetra me vlerë 55 mijë euro.
KPK nënvizon se kontratë paraprake me vlerë 75 mijë euro ishte fiktive, me qëllim që më vonë nëpërmjet një kredie të butë – e cila mbulonte vetëm 70 % të asetit, të financohej kosto reale e shtëpisë që ishte 55 mijë euro.
Kredia e marrë nga Metalla, kishte si kriter lehtësimin e strehimit të zyrtarit të lartë në vendin e punës gjatë kohës së ushtrimit të funksionit shtetëror. Megjithëse, Metalla në atë kohë mbante postin e kryetarit të Gjykatës së Durrësit, ai e përdori kredinë për të blerë shtëpinë e ish-ministrit demokrat në Tiranë.
“Subjekti i rivlerësimit ka ndryshuar destinacionin e kredisë lehtësuese në kundërshtim me kriterin e strehimit vetëm në vendin e punës,” nënvizoi relatorja e çështjes, Xhensila Pine gjatë seancës dëgjimore në KPK. “Ai ka aplikuar në mënyrë të pasaktë dhe ka përfituar në mënyrë të padrejtë kredinë lehtësuese, e cila financohet nga buxheti i shtetit,” shtoi ajo.
Problemet me kredinë e butë dhe pirueta të tjera financiare i kushtuan shtrenjtë ish-gjyqtarit të Gjykatës së Apelit Tiranë, i cili u shkarkua nga detyra. Metalla e ka ankimuar vendimin e KPK-së në Kolegjin e Apelimit, por ai nuk është gjyqtari ose prokurori i vetëm që është gjetur të ketë përfituar në mënyrë të paligjshme nga skemat e strehimit social.
Të dhënat e mbledhura nga BIRN nga monitorimi i procesit të rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve, tregojnë se të paktën 7 prokurorë dhe gjyqtarë kanë përfituar nga skemat e Entit Kombëtar të Banesave për strehimin social gjate karrierës së tyre dhe pjesa më e madhe janë përballur me pyetje të vështira në KPK.
Por hetimet e KPK-së janë vetëm maja e ajsbergut, pasi një auditi i EKB-së i siguruar nga BIRN, tregon se problemi me përfitimet e paligjshme nga skema e strehimit social mund të jetë shumë herë më i madh – jo vetëm në radhët e sistemit të drejtësisë por i shtrirë në të gjithë administratën shtetërorë.
Abuzimi nga drejtësia
Sipas një studimi të ndërmarrë nga Ministria e Zhvillimit Urban, nevoja për strehim social në Shqipëri mbetet e madhe. Të dhënat e mbledhura nga njësitë e qeverisjes vendore, tregojnë se në vitin 2016 numri total i raportuar i personave të pastrehë ishte 31,994. Megjithatë, numri i vërtetë i të pastrehëve mund të jetë më i madh, pasi gati 41 % e njësive të qeverisjes vendore nuk mbledhin të dhëna mbi numrin e personave të pastrehë. Për bashkitë që ka të dhëna, raporti i numrit të përfituesve kundrejt numrit të aplikantëve është më i ulët se 0.7 për qind.
Bazuar në ligjin e strehimit social Shqipëria ka disa programe të strehimit social, ku përfshihen programe për banesa sociale me kosto të ulët, programi i banesave sociale me qira, bonus ose subvencion qiraje dhe kredi lehtësuese. Procesi i rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve ka zbuluar se zyrtarët e sistemit të drejtësisë kanë përfituar kryesisht nga kreditë lehtësuese, por jo vetëm.
Sipas një raporti statistikor të publikuar nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, trupat e tij gjykuese kanë përfunduar nga shkurti i vitit 2018 deri në prill 2019 vetingun për 141 subjekte, nga të cilët 56 subjekte janë konfirmuar në detyrë, 52 janë shkarkuar nga detyra dhe në 33 raste procesi është ndërprerë ose është pushuar.
Një pjesë e gjyqtarëve dhe prokurorëve që janë përfshirë në procesin e rivlerësimit kalimtar, janë përballur me hetime administrative të thelluara për mënyrën se si kanë përfituar nga skemat e strehimit social për kredi të subvencionuara me interes të ulët apo banesa me kosto të ulët sociale.
Përveç gjyqtarit Ervin Metalla, me pyetje të vështira gjatë seancave dëgjimore në KPK janë përballur edhe prokurorët Dritan Peka, Arqile Koça, Dritan Rreshka, Besnik Cani, Arben Dollapaj si dhe ish-kryetarja e Gjykatës së Tiranës, Enkeledi Hajro. Nga këto 7 subjekte të rivlerësimit, vetëm prokurorët Dritan Peka dhe Arben Dollapaj janë konfirmuar në detyrë. Megjithatë, edhe për këto dy prokurorë Komisioneri Publik e ka ankimuar vendimin e KPK-së në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit. Ndërkohë, edhe prokurorët dhe gjyqtarët e shkarkuar e kanë ankimuar vendimin e KPK-së në KPA.
Hetimet administrative të KPK-së kanë zbardhur problematika të shumta me përfitimin e këtyre subjekteve nga skemat e ndryshme të strehimit social, si për shembull përdorimi kredive të buta për blerjen e një apartamenti në bregdet, mospërmbushjen e kritereve për të përfituar skema e strehimit si i pastrehë e deri tek përfitimi i apartamentit nga zyrtarë nën hetim – duke ngritur dyshime për një konflikt interesi.
Megjithatë, për shkak se Komisioni i Pavarur i Kualifikimit nuk ka ngritur akoma një jurisprudence të konsoliduar, ekspertët që monitorojnë procesin vërejnë se jo çdo problematike e evidentuar gjatë hetimit administrativ në KPK – përfshirë përftimet e dyshimta nga skemat e strehimit, duhet të çojë automatikisht drejt shkarkimit nga detyra.
“Komisioni ende nuk ka konsoliduar në jurisprudencën e tij vijën e kuqe, e cila në rast se tejkalohet nga subjektet që kanë pasur probleme me kriterin e pasurisë do të çojë automatikisht në shkarkimin e tyre,” tha Erida Skendaj, drejtore ekzekutive e Komitetit Shqiptar të Helsinkit.
“Mënyra se si është interpretuar dhe zbatuar parimi i proporcionalitetit evidenton një diskrecion relativisht të gjerë dhe në disa raste jo shumë të qartë për sa i takon shkeljeve të kriterit të pasurisë që çojnë në shkarkim dhe atyre që nuk çojnë në shkarkimin e subjektit,” shtoi ajo.
Skema strehoi administratën
Gjyqtarët dhe prokurorët përbëjnë vetëm një pjesë të vogël të zyrtarëve të lartë që kanë përfituar kredi lehtësuese, bazuar në një vendim të Këshillit të Ministrave të vitit 2007.
Mbështetur në VKM-në nr 600, ish-Kryeministri Sali Berisha ka nxjerrë dy urdhra në vitin 2010, dukë përcaktuar 215 kuota në 37 institucione qeveritare për kredi lehtësuese për strehim me interes vjetor 4%. Nga këto kuota nga viti 2010 deri në vitin 2013, janë lidhur 148 kontrata kredie lehtësuese nëpërmjet Bankës Kombëtare Tregtare.
Këto kontrata kredie janë bazuar në një marrëveshje trepalëshe të lidhur midis Ministrisë së Financave, Ministrisë Tregtisë, Transportit dhe Punëve Publike dhe Bankës Kombëtare Tregtare në shkurt 2009.
Në janar 2014-të, Enti Kombëtar i Banesave ndërmori një auditim tematik të brendshëm për periudhën 2010-2013, ku përfshihen dhe kreditë lehtësuese për zyrtarët e lartë të administratës.
Ky audit ka konstatuar se në 45 raste të kredive të lidhura, EKB ka evidentuar probleme me institucionet, të cilat nuk kanë plotësuar dokumentacionin përkatës për kredimarrësit. Në 52 raste auditi ka konstatuar se ka mungesë dokumentacioni nga ana e kredimarrësve, si shkresa të institucionit përkatës, vërtetime nga tatim taksat, nga ZRPP, dhe institucione të tjera. Sipas auditit të EKB-së gjatë viteve 2009-2013, kjo skemë i ka kushtuar taksapaguesve shqiptarë 861 milionë lekë.
Raporti i EKB-së evidenton 16 zyrtarë të sistemit të drejtësisë që kanë përfituar nga skema e kredive lehtësuese për zyrtarët e lartë. Megjithatë, Drejtori i Përgjithshëm i Entit Kombëtar të Banesave, Stefan Çipa i tha BIRN se problematika e evidentuar nga raporti shkon përtej gjyqtarëve dhe prokurorëve.
“Theksojmë se shkeljet e konstatuara nuk i përkasin vetëm rastit të organeve të drejtësisë, por edhe institucioneve të tjera,” tha ai.
Bazuar në gjetjet e raportit në mars 2014, Enti Kombëtar i Banesave bëri një kallëzim në Prokurorinë e Tiranës. Pas dy vjet hetimesh, Prokuroria e Tiranës e pushoi çështjen në shtator 2016, me argumentin se fakti nuk ekziston.
“Mbi bazën e kallëzimit penal të Ministrisë së Zhvillimit Urban dhe Turizmit, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë ka regjistruar procedimin penal nr. 2344 date 27.03.2014. Me vendimin e datës 01.09.2016, Prokuroria ka vendosur pushimin e hetimeve, bazuar ne nenin 328/1/b të Kodit të Procedurës Penale”, tha organi i akuzës në një përgjigje me shkrim.
Probleme me bashkitë
Përveç skemës për strehimin e zyrtarëve të lartë me kredi lehtësuese, auditi i EKB-së ka marrë në sitë edhe një program të ngjashëm me kredi me interes vjetor 3% që është menaxhuar nga njësitë e qeverisjes vendore për kategori të ndryshme të pastrehësh.
Sipas EKB-së nga viti 2009 deri në vitin 2013, nëpërmjet kësaj skeme të strehimit social janë lidhur 2561 kontrata kredie. Lista e familjeve të pastreha që kanë përftuar nga ky program është miratuar me vendime të Këshillave Bashkiak, brenda kuotave që janë miratuar çdo vit nga ministria e linjës.
Gjatë auditimit nga Enti Kombëtar i Banese janë kontrolluar proceduarat e ndjekura në 5 njësi të qeverisjes vendore për përzgjedhjen e përfituesve nga fondi i kredisë lehtësuese për strehim me interes vjetor 3 % – përfshirë bashkinë e Fierit, Pogradecit, Kamzës, Vlorës dhe Sarandës.
Nga verifikimi i dokumentacionit, EKB ka konstatuar se në bashkinë Kamëz janë konstatuar se në 11 raste kanë përfituar familje në shkelje të normave të strehimit, në bashkinë Vlorë ka pasur 27 raste, në Sarandë 21 raste, në Pogradec 17 raste dhe në Fier janë konstatuar 27 raste të tjera.
Vendimet e bashkisë së Fierit kanë qenë në mënyrë të veçantë të debatueshme. Kallëzimet në prokurori nga qytetarë të Fierit, të cilët ankoheshin se janë mënjanuar në mënyrë të padrejtë nga listat e të pastrehëve të Këshillit Bashkiak edhe pse i përmbushnin kushtet, e çuan në vitin 2014 ish-kryebashkiakun e Fierit, Baftjar Zeqaj dhe 6 zyrtarë vendorë përpara gjykatës, të akuzuar për shpërdorim detyre dhe falsifikim dokumentesh.
Zeqaj u shpall i pafajshëm në maj 2015 dhe çështja u mbyll në Gjykatën e Fierit vetëm me dënim e një prej të pandehurve, Mimomza Kolçinaku me 3 vjet burgim me kusht për falsifikim dokumentesh.