Ndonëse së fundmi është përfolur si kandidat i mundshëm për President të Kosovës, kreu i LDK Lumir Abdixhiu mohoi sot që të jetë diskutuar për emra konkret me kryeministrin Albin Kurti. Abdixhiku tha se fokusi kryesor është bashkimi i spektrit të djathtë brenda LDK-së, dhe jo marrja e një posti shtetëror prej tij personalisht.
“Kam dëgjuar shumë spekulime dje. Ato janë vetëm spekulime, nuk janë të vërteta. Ne nuk kemi folur për emra, aq më pak për emrin tim. Pra, kemi folur për dy propozimet aktuale që janë të Lëvizjes Vetëvendosje dhe dje në mëngjes i kam kthyer përgjigje që LDK-ja nuk mund të mbështesë një skenar në të cilin të tri kandidaturat, të tri pozicionet shtetërore, i takojnë një partie politike”, deklaroi ai.
Ndër të tjera Abdixhiku tha se është takuar me Bedri Hamzën për të diskutuar pozicionin e PDK-së, ndërsa tha se Ramush Haradinaj ka refuzuar takimin.
“Po, jam takuar me zotin Hamza. Kam zhvilluar diskutime për të parë pozicionin e tyre. Zoti Haradinaj e ka pasur refuzim takimi. Me thënë të drejtën është qërim i tyre që s’duan të takohen, po mos të ankohen më pas, sepse takimi është parakusht i diskutimeve normale njerëzore”, u shpreh ai.











