Artisti i njohur, njëherësh ish-kreu i Shoqatës “Çamëria”, Abaz Hado vjen për lexuesin në një intervistë ndryshe, për aktualitetin dhe çamët, duke i bërë një skaner gjithë situatës. Zoti Hado e ka ndalur theksin tek zgjedhjet parlamentare të 25 prillit, aleancat mes partive politike dhe roli i tyre, alternativat që ofrojnë subjektet politike për qytetarët, roli dhe qasja e PDIU, etj., duke folur pa dorashka dhe shprehur mendimin e tij sa më objektiv. Gjatë një interviste për gazetën “SOT”, artisti Hado u shpreh se zhdukja e logos së PDIU në zgjedhje, sipas tij, është një tradhti ndaj çamëve. Prerë dhe qartë, zoti Hado theksoi se PDIU nuk përfaqëson më komunitetin çam, ndërsa shtoi se është e pafalshme të bësh koalicion me Dulen.
-Zoti Hado, ju jeni artist i njohur, por këtë intervistë deshëm ta fokusojmë te aspekti politik. Jemi në javën e fundit para zgjedhjeve. Si e shihni klimën politike ne vend?
Sigurisht jemi në fund të një fushate krejt ndryshe, ku bie në sy se është shpenzuar energji njerëzore dhe monetare. Pavarësisht të qënurit një artist i angazhuar me punë, kam dhe mendimet e mia dhe detyrimin qytetar t’i shpreh ato në një gazetë kaq të madhe si e juaja. Së pari duhet të kemi parasysh se gjuha e urrejtjes e forcës e baltës e dhunës dhe shkatërrimit është e papranueshme. Që për fat të keq brezin tim e ka shoqëruar përgjatë pjekurisë sonë njerëzore dhe artistike. Në vitin 1990 pastaj 1992 pastaj 1996, 1997, 1998, pastaj “21 janari” dhe molotovët dhe dhuna-t e fundit, ku për herë të parë u thyen dhe xhamat e Muzeut Historik Kombëtar. Që prej muajsh nuk janë zëvendësuar se kanë kosto të lartë. Le të ndalim tek momenti deklarata dhe kundër deklarata, madje dhe presidenti nuk po ndalon duke mbajtur qëndrime që prishin harmoninë e funksionit të institucionit të Presidentit të Republikës. Ndërkohë qe shohim nga TV se si përcillet nga njëra parti fushata dhe nga tjetra. Partitë mendojnë se po panë njerëzit militantë që bërtasin fort do të kenë ndikim tek ta. Unë kam mendimin se forma e respektimit të situatës së pandemisë është me efikase se dhjetra dhe mijëra militantë me flamuj e thirrje entuziaste, duke shpërfillur rregullat për këtë situatë. Çdo parti mund të mbledhë militantë aq më shumë partitë e mëdha.
– Ju dikur ishit pjesë e PDIU. Kjo parti sot është në koalicionin opozitar. Pra në një koalicion me PBDNJ. Si e shihni këtë aleancë?
Po është e vërtetë unë e konsideroj me fat veten që për disa vite u angazhova totalisht me çështjen e familjes time, patriotëve të mi, duke afruar mundësitë e mia ashtu siç kanë bërë të parët e mi si nga nëna dhe babai janë vrarë për çështjen e flamurit dhe Shqipërisë. Ashtu siç nisa të angazhohem që në fillim si firmëtar i letrës që i dërguam presidentit Ramiz Alia, ku i ngrinim disa çështje që duhet t’i trajtonte me presidentin grek që do të vinte në Shqipëri. Apo me shoqatën që formuam në Shijak fill pas Tiranës. Ne ishim disa intelektualë çamë të rinj dhe të moshuar, por personalitete në fushat përkatëse që ngritëm ëndrrën dhe ngjallëm amanetin. Ne kërkuam të ndërtonim një lëvizje që të mundësonte krijimin e instrumenteve ligjore që të kërkonim të drejtat e mohuara të të parëve tanë, të masakruar, vrarë, dhunuar dhe dëbuar nga shtëpitë e tyre nga gjenocidi barbar shovinist. Personalisht e kam kuptuar, por dhe krijuar bindjen se çështja çame nuk është e lehtë për situatat, ku ndodhet vendi ynë, por dhe Europa, por jo e pamundur. Nëse do ishim më idealistë, më të zgjuar dhe patriotizmin mos ta konsumonim vetëm në TV. Sipas perceptimit tim, patriot është ai që vepron si i tillë. Nëse ju pyesni si shoh këtë aleancë më duhet të jem konkret dhe të them më duket veprim politik i gabuar. Ne që në formim krijuan një platformë se si duhet të ishin veprimet tona në sistemin politik shqiptar, duke iu përmbajtur këtyre parimeve po rriteshim gjithnjë dhe më shumë. Por mesa duket kjo nuk i pëlqeu atyre që në skutat e errëta të politikës së shitur. Veprojnë nën presionin e interesave të çasteve politike dhe financiare.
-Çfarë mendimi keni sot për PDIU? A po lufton kjo parti për kauzën e çështjes çame dhe duke qenë se ka qenë pjesë e të gjitha koalicioneve, cili krah ka bërë më shumë?
Duke iu drejtuar patriotëve të mi, doja t’i kujtoj se realisht komuniteti ynë ka dhënë më shumë djathtas se majtas dhe çfarë kemi në realitetin kokëfortë disa deklarata me gjysmë zëri për çështjen çame. Ndërsa Edi Rama ka artikuluar dhe ka ndërmarrë disa lëvizje më të plota në momente të caktuara, duke prekur disa çështje tejet të nxehta. Sot vetëm në Tiranë janë në lista dy çamë, një djalë i ri që quhet Orlado Rakipi. Ky i fundit është një i ri që ka tërhequr vëmendjen e publikut për përgatitjen dhe mënyrën si artikulon. Po bën një fushatë që vërtet po krijon mundësinë, që sipas mendimit tim po fiton besimin e shumë patriotëve, që nesër mund të shohin një lëvizje të re pro çame. Sepse si po vinë situatat dhe si është gjendja e çështjes çame do të kërkohen zgjidhje në baze të kushteve të reja. Po kështu dhe Tak Muhedini që është dhe president i PDIU që ka popullaritet, apo në Fier ku Tatjana Pirro, kjo grua e fortë që u ngrit nga momente tragjike të familjes drejt jetës dhe angazhimit si grua e një familje me tradita patriotike çame. Ndërkohë që PDIU u afrua dhe dështoi me liderin, që nuk ka thënë një fjalë, një fjali, një rresht të shprehur nga goja e tij edhe kur ka qenë ministër i Jashtëm. Ndërkohë që ka pas Dulen, njeriun më anti-çam në historinë tonë. Duke ditur se platforma politike dhe e veprimtarisë PDIU ishte vendosja e interesit të çështjes çame, si baza e veprimtarisë politike dhe mbështetja e komunitetit çam në çdo aspekt. Edhe këtu kemi një realitet që vetëm drejtuesit aktualë nuk e morën parasysh. Vetëm në Bashkinë e Tiranës ka më shume çamë, se sa janë në PDIU. Erion Veliaj ka punësuar djem dhe vajza nga komuniteti çam, duke i besuar drejtoritë më të rëndësishme si Drejtoren e Urbanistikës, e cila është një vajzë që ka një personalitet profesional të lartë që ka studiuar jashtë. Po kështu drejtoren e projektimit, vajzë e mrekullueshme me aftësi të rralla si arkitekte me talent. Drejtoren e protokollit, vajzë fjalë pak me saktësi të orës zvicerane. Për të kaluar tek drejtoresha e rrallë e stoike me aftësi dhe seriozitet, që në pak muaj ndryshoi çerdhet dhe kopshtet e Tiranës si drejtoreshë e përgjithshme. Që na kujton konispolatet e bukura dhe serioze. Pa llogaritur disa këshilltarë, si dhe një nënkryetare e Këshillit Bashkiak që është një zonjë e aftësive maksimale dhe patriote. Apo disa këshilltarë, vajza çame që porsa u kthye nga një specializim afatgjatë në Itali apo doktorin human që ndihmon gjithë patriotët në klinikën laboratorike private. Gjithashtu tani në sheshin Skënderbej kemi gurin nga “Çamëria” bulevardin e ri sheshi ka emrin “Çamëria”, disa rrugë kanë emra të shquar patriotë çamë të tjerë po vendosen. Kjo është situata dhe këtë përgjigje kam.
-Në marrëveshjen e PDIU me PD nuk përmendet fare çështja çame. Mendoni se do ketë zhvillim në këtë aspekt nëse opozita vjen në pushtet?
Nisur nga çfarë thashë më sipër, kjo marrëveshje nuk ka ndonjë pritshmëri për çështjen çame. Por në rastin më të mirë do i shërbejë kryetarit aktual për një mandat deputeti. Të tjerat do jenë thjesht disa lëvizje me karakter pragmatist që do të shpërdorohet në mënyrë vulgare në përfundim me shishe uji bosh në rrotat e makinës të ndonjë zyrtari grek që do vizitojë Shqipërinë. Apo duke luftuar me ndonjë minoritar hallexhi që merr ndonjë projekt nga grekët, duke harruar se rrengu është tek vetja dhe e vërteta që kaplon ndërgjegjen e secilit. Mua personalisht më duket një veprim që nuk shkon përtej një marrëveshje që rëndom ndodhin në politikën shqiptare dhe mbetem me shpresë mos qofsha i gabuar.
– Në gjykimin tuaj çfarë duhet bërë sot për çështjen çame? Cilat janë çështjet që duhet të zgjidhen?
Për mua në gjykimin e ftohtë heqja e siglës së PDIU nga konkurrenca politike është tradhtia e mundit e amanetit dhe shpirtit çam. Le ta quajnë si të duan, ta justifikojnë, sipas çdo gjykimi është thjesht interes i vogël që sjell pasojë në të ardhmen. Këtu do jemi! Kjo ishte realizimi i një projekti shpërbërës që nisi duke larguar të gjithë çamët, kryetarin e shoqatës “Çamëria” dy nënkryetarët, kryetaren e forumit të gruas çame dhe duke i denigruar përmes një goje që mbante arome jashtëqitje banale. Në këtë rast po informoj patriotët e mi që këto që thashë do jenë të detajuara në një libër që po shkruaj për 10 vjetët në PDIU dhe disa kujtime mbi shoqatën çame. Do kuptoni më mirë udhëheqësin aktual në sms origjinale. Por le të dalim për çështjet që pyetët. Sipas mendimit tim, por dhe profesorëve të fushës së të drejtës ndërkombëtare me të cilët ndaj fakultetin. Së pari duhet të kemi një Shqipëri të fortë ekonomikisht-politikisht të qëndrueshme pjesëtare në Europë dhe duke shfrytëzuar të drejtat dhe konventat ndërkombëtare me zgjuarsi dhe ekspertizë ligjore të realizohen kërkesat kryesore. Duhet të tregohemi të zgjuar, pra pragmatistë politikë.
– Duke mbetur në këtë linjë, sot që flasim, në PDIU ka mbetur vetëm Shpëtim Idrizi, ndërsa shumë figura me rëndësi të madhe në çështjen çame nuk janë më. Tahir Muhedini, Dashamir Tahiri, ju, jeni larguar. Çfarë ka ndodhur brenda PDIU?
Unë shpreha dyshimet e mia që PDIU është tradhtuar në mënyrën më të keqe. Heqja e siglës e asaj partie që mban përpjekjet e mijëra shpirtrave të trazuar nga amaneti i të parëve. Penën e palodhur të atyre intelektualëve që krijuan shoqatën “Çamëria” në vitin 1990. Ku janë sot ish-deputetët e kësaj partie që kishin me vete besimin e patriotëve të tyre, ku janë?! Janë në sigla partish që nuk e dinë që drejtuesit e tyre nuk e dinë nga bie Çamëria. Kryetarit i ka mbetur vula thatë dhe kauza e fikur. Kjo duhet të shoqërohet padyshim me një lobim me aleatë ndërkombëtarë dhe personalitete publike. Duke mos përjashtuar një rigrupim të gjithë elementit komunitar patriotik ribashkim i fuqisë. Duke shpresuar të jenë disa deputetë çamë me gojë artikuluese që të shtrojnë të ardhmen. Në fund vetëm një mbeti stoik dhe besnik, Omer Mamo si patriot i palëkundur.
– Si e shihni klimën politike para zgjedhjeve? Ka akuza. Ka debate.
Sigurisht për disa orë do fillojnë zgjedhjet dhe sovrani vendos. Ka përpara njerëz të punës që kanë dhe gabime, ka dhe të tjerë që kërkojnë ndryshimin. Tani mu kujtua një histori e ndodhur me një shkrimtar të njohur para viteve 1990. Në atë kohë ishin në modë palltot e mëdha dhe pasi i mbanin disa vite i çonin tek rrobaqepësi për t’i kthyer. Por kur i çoi pallton, mjeshtri e pa dhe i tha: “Po e keni kthyer njëherë”, përgjigjja ishte s’ka gjë ktheje dhe njëherë se duket më e re se kjo. Kështu mund ta mbyll këtë intervistë me ju. Sigurisht kam dhe gjëra të tjera për të thënë, por kaq këtë herë.
Intervistoi: Rigels Seliman