Përpjekja e një çami të mençur për pronat!
Nga Ben Andoni
A mund të ketë udhë tjetër për pronësinë çame në Greqi?! Politika, që janë duke ndjekur të dy qeveritë respektive, nuk na jep dot përgjigje. E drejta ndërkombëtare ka qasje të ndryshme, kurse problemi i mbartur çam prej vitesh helmon marrëdhënien e të dy vendeve. Po a ka vallë rrugë teknike për ta zgjidhur problemin?! Ka nëse në të dy qeveritë do kishte njerëz me vizion dhe që do të dinin të adresonin problemin. Një i tillë nisur në mes vitet ’90 deri në ‘00 u ndal prej nacionalizmit në të dy vendet, por sidomos ngjalljes së hidhur të propagandës kundër komunitetit çam prej grekëve. Historia e tij është një inspirim për mënyrën sesi mund të punohet ndryshe për pronat…
Pak vite më parë, qytetari Mihal Dalipi nisi një rrugë të vështirë, për të hedhur shtetin grek në Gjykatën e Strasburgut. Ish-ekonomisti, por që vite më vonë për të jetuar bënte mjekun popullor, kërkoi super-aventurën për ta mposhtur i vetëm Greqinë. Kur e kemi intervistuar 11 vjet të shkuara, ai pohonte se jetonte me vetëm 7.000 lek pension, dhe me një pasuri verbale që shtrihej në gati 1800 ha tokë!!! I bindur në drejtësinë e vendimit të tij, kur çamët e tjerë e qesëndisnin apo që e pyesnin me marifetllëk, kishte një përgjigje dhe vetëm një: dua të vazhdoj të luftoj, sepse…duhet për bijtë, nipërit… dhe se prona thërret që të mos vdesë kurrë…
Javaneës ka kontaktuar të martën e 7 Qershorit me komunitetin çam, ku ai banonte dhe ka marrë përgjigjen se z. Dalipi nuk jeton më. Duhet të nderohet realisht ky njeri, që duke lënë zhurmnajën e zakonshme dhe retorikën në të dy anët e kufirit bëri një akt vetmitar.
Ai, si të gjithë komuniteti çam, vuan stigmën e kolaboracionistit. Por, ç’kolaboracionist ishte njeriu që në kohën e shpërnguljes me forcë të grekëve ishte fëmijë? Për autoritetet greke, edhe pse pesë vjeç, ai ka qenë problematik! Kuptohet, me ata që nuk njohin ligjet e shtetit e gjitha ka një domethënie dhe ca më shumë me shtetin grek, i cili është boll i vëmendshëm ndaj problemeve me pronën. E kur flitet për pronat e çamëve, shumë më tepër i kujdesshëm dhe i vëmendshëm.
I ndjeri Mihal Dalipi, me një emër ortodokso-mysliman, e dinte fare mirë. Sprovën e parë e kishte bërë për inat të regjimit komunist…duke ndërruar emrin, pasi i dhanë një dënim të atit të tij. Mehmet siç njihet në dokumentet Greqi, ndërsa Mihali në Shqipëri…mbeti një luftëtar, në dukje i një kauze të mbaruar. Dhe, ndryshe nga komuniteti që mblidhej vetëm për protesta, ai gjeti mbështetje nga vetja dhe i inkurajuar nga disa gazeta prestigjioze greke…ka trokitur deri në Strasburg për të zgjidhur konfliktin e njohjes së pronësisë së tij në Greqi…
Por, që të nisej kjo rrugë duhej nënshtetësia greke dhe burri që i është dashur të pajiset me nënshtetësinë greke, një element që nuk e ka përfituar vetëm kur është marrë vesh se është çam, ka kuptuar se ishte hapësira e pronave, konfuzioni politik i komunitetit të tij dhe mosmarrëveshjet e mëdha që përcjell tash sa mot kjo çështje e mbetur pezull në mes të dy vendeve.
Dhe, sërish nuk është ndalur, por ka vijuar me forcat e tij dhe me ndihmën e avokatëve të vet duke sjellë siklete të pafund për helenët.
“Një vendim i Ministrisë së Drejtësisë, kur unë doja nënshtetësinë, më thotë që UNË dhe fëmijët e mi, si bashkëpunëtorë të gjermanit nuk kishim të drejtë. Kërkoj vendimet gjyqësore. Nuk kemi, -më thonë verbalisht. Por, zyrtarisht jam bashkëpunëtor. Unë kam lindur në 1939 dhe jam regjistruar në 1940. Kurse në mars 1945, kur na solli flota anglo-amerikane në Sarandë isha vetëm pesë vjeç. Pra, kam qenë bashkëpunëtor i gjermanëve, që i mitur. Kërkoj një vendim zyrtar, por më thonë se je dënuar me vendim të Ministrisë së Mbrojtjes”. Këtu ishte momenti që është ndalur për ta na treguar disi xhunglën dhe morinë e dokumentave të veta. Me vete mbante një vandak të tërë me shkresa, libra të nënvizuar me highlightse, gazeta…dhe shkresa greqisht. Sqaronte xhunglën e shkresave, ndërsa shpjegonte vështirësitë ku përmes ecejakesh të shumta dhe hedhje-pritjesh në institucione të ndryshme të shtetit grek, nuk ka mundur të konkludojë. E gjithë kjo punë e ka një të mirë sepse kjo e ka bërë që të mendojë se në botë ka drejtësi, dhe kjo mund të merret, qoftë edhe nga grekët e vështirë, për të cilët ndryshe nga anëtarët e komunitetit çam, ruan një respekt të madh. “Më kanë mbajtur”, thotë. “Nuk janë të gjithë njësoj”.
Retro
Gjithçka kish nisur, kur pas një kërkese formale me shkrim dore i kish kërkuar zyrës së kadastrës kundrejt 13.000 dhrahmive kërkesën “për t’u pajisur me dokumentet e pronësisë”. Një avokat u ka kujtuar nëpunësve se ai, është çam dhe si i tillë, marrja e pronave të tij shkatërron të gjithë Paramithinë, pasi është latifondisti më i madh. “Por nxirrni Ligjin e Luftës ku janë të dënuar Çamët”, iu kujton ai nëpunësve për t’i nxjerrë nga situata.
“Nëse nuk zgjidhet çështja, atëhere ky është një pasivitet i vetë atyre”, thoshte për patriotët e tij, që tashmë rropaten në protesta dhe në mosmarrëveshje me njëri-tjetrin.
“Opinioni i rregullt çam duhet të dijë si duhet ta kërkojë problemin. Ai kërkohet si individ dhe si grupe dhe jo si masë e gjerë. Ashtu si fituan dhe qipriotët: Një e bëri, por fituan të gjithë. Duhet të organizohen, të bëhen si grupe fshatrash, të bëjnë kërkesë padi dhe të vënë në pozitë të keqe, por jo vetëm këta, por edhe që ky mision të shkojë në Çështjen e Greqisë”.
Por, ky “Sizif-çam” ende nuk llogariste, që duhej një mal i tërë për të kaluar me barrën e tij…Ndaj, me këtë sprovë ndryshe të jetës së tij vazhdonte dhe mundohej të futej në axhenda në Strasburg…se e vërteta vonon, por nuk harron.
-*-*
Problemi i Çamërisë, mbyllur prej moskoherencës së qeverive tona dhe çoroditjes së vetë komunitetit?!
Në këtë speciale për Javaneës, janë të gjithë elementët e Ligjit grek për regjistrimin e pasurive të patundshme. Në vitin 2003, ai do skadonte bashkë me funksionimin e Ligjit të Luftës me Shqipërinë, arsyeja me të cilën janë të sekuestruara prej dhjetra vitesh, tokat e shqiptarëve të cilësuar si armiq. Vlerësimi i detajuar i pasurive të shqiptarëve dhe lloji i tyre, referuar një asistence të kualifikuar juridike nga Greqia, që është vendosur në një të përditshme shqiptare. Pasuritë shqiptare në Greqi dhe vlerësimi i tyre janë një element i dossierit
Ja se çfarë i është propozuar kryeministrit Simitis nga institutet e specializuara apo nga zyrat që njohin mirë çështjen çame
10 vjet më parë një material i rezervuar ekskluziv është botuar n në lidhje me paketën greke për ligjin e luftës. Ky material i është konfirmuar një medie shqiptare (ajo nuk ekziston më-Korrieri) nga një burim gazetaresk dhe një avokat grek, të cilët nuk donin të identifikoheshin. Avokati grek është marrë me këtë çështje i nisur nga parimi i shenjtë i çdo avokati, fitimi, por ka hasur në një mur të lartë të pakapërcyeshëm. Projekt-paketa është kjo: Paranteza që paraprin propozimet thotë se: “Në thelb gjendja e luftës përfundoi (pra gjendja është tjetër koncept dhe Ligji i Luftës është tjetër koncept) me Marrëveshjen e Paqes midis Greqisë dhe Italisë.
Përfundimi i saj u vërtetua dy herë më pas: me vendosjen e marrëdhënieve diplomatike në 1971 dhe me vendimin e njëzëshëm të Këshillit të Ministrave të vitit 1987 “Mbi heqjen e gjendjes së luftës”. Ndërkaq në aspektin e të drejtës së brendshme, Shqipëria mbetet vend armik.
Ka dy mundësi për zgjidhjen e problemit:
- Shpallja me anën e një dekreti presidencial, i cili do të mbarojë edhe formalisht “Gjendjen e Luftës”, për analogji të dekretit mbretëror të vitit 1940, i cili e kishte vendosur. (Një nga arsyetimet apo kleçkat juridike për të cilën kanë qenë të vetëdijshëm autoritetet greke është pikërisht kjo: “Ligji i Luftës është shpallur me dekret mbretëror”. Vendimi i Këshillit të Ministrave është shprehje e vullnetit tonë të mirë politik, por nuk e abrogon atë). Në rastin e shpalljes së dekretit presidencial mund të ndahet në dy pjesë, duke evituar edhe përcaktimin e datës së përfundimit të gjendjes së luftës (1971 dhe 1987) në mënyrë që të mos ketë fuqi prapavepruese. Më pas, të nisin kërkesat (të çamëve dhe të shqiptarëve të tjerë) “për ç’dëmtime dhe kompesime”, me mbingarkesa për fitime të pamarra, për shkak të mosshfrytëzimit të pasurive prej 50 vitesh.
- Shpallja në formën e një ligji. Në këtë rast, trajtimi i pasurive do të parashikohej në atë ligj. Për shkak të rëndësisë së çështjes, duhet të japin mendim të gjithë institucionet kryesore politike, që të shihet edhe kërkesa analoge për pronat e vorioepiriotëve edhe interesa të tjera.
***
Ligji grek i regjistrimit të pasurive të patundshme
Mbeten vetëm 2 vjet kohë, për pretenduesit shqiptarë të tokave në Greqi
Shkrimi i mëposhtëm, i cili është marrë nga shtypi grek i vitit 1999, jep atmosferën që e shoqëroi daljen në skenë të këtij ligji, i cili u jep pronarëve të tokave në Greqi, vetëm 5 vjet kohë pas 1999-ës për pretendimet e tyre. Me vitin e skadimit të tij, pikërisht në 2003, lidhej edhe mbajtja në fuqi e Ligjit të Luftës, i cili ka sekuestruar tërë pasuritë e shqiptarëve në Greqi, si shtetas grekë me origjinë nga një vend armik, siç konsiderohej Shqipëria. Ky ligj konsiderohet si ligj me efekte të brendshme saktësisht, që lidhen me pronat, dhe jo me ndonjë gjendje reale lufte me Shqipërinë. Këtu qëndron një pjesë e dredhisë greke.
Në vitin 1998, Greqia botoi një ligj sipas të cilit, deri më datë 5 tetor 1999 duhej bërë riregjistrimi i të gjitha pasurive të paluajtshme. Ato prona që nuk do të regjistrohen brenda këtij afati do të konsideroheshin prona publike dhe pronarët pretendues duhet që brenda 5 vjetësh t’u drejtohen gjykatave për t’iu njohur e drejta e pronësisë. Për çështjen regjistrimit të pronave, në vitin 1999, media greke ka bërë një publicitet të madh. Me anë të kanaleve të ndryshme të komunikimit, qeveria greke lajmëroi të gjithë pronarët që banonin jashtë Greqisë.
Ja seç shkruan gazeta greke “Avriani i së djelës”për çështjen e riregjistrimit të pronave, në datë 2 maj 1999 fq.12.
Shkruar nga Jorgo Findikaqi
***
Tre javë para mbarimit të paraqitjes,25000 reklamime (kundërshtime) për kadastrat.
25.000 ishin reklamimet, kundrejt 500.000 pronarësh të thirrur, për të deklaruar në Zyrat e Kadastrës. Kaq kanë numëruar deri më sot, nëpunësit e Zyrave të Kadastrave të Bashkive.
“Dhe rruga është akoma e gjatë”-vuri në dukje z.Nikos Jalidhaqi, Këshilltar drejtues i “Kadastrave AE.”, duke kujtuar gurin filozofik të Grekut të ri “që i lë të gjitha për në fund”. Mbeteshin akoma edhe tre javë deri më 26 maj të këtij viti (1999), kur përfundon afati i paraqitjes së deklarimeve për banorët vendas (brenda Greqisë) dhe deri më 26 qershor për ata jashtë shtetit (Greqisë).Sipas të dhënave numri i “akuzuesve” do të zmadhohet akoma.
Nga përpunimi i të dhënave të para, kampionët me më shumë kundërshtime identifikoheshin pensionistët.
Gati 70% e tyre ose 17.500 ishin të paaftë për të jetuar. Mosha e tretë nxitoi qysh në javën e parë për në Zyrat e Kadastrave për të “denoncuar” më 26 mars 1999 me dhjetëra kundërshtime, kundrejt atyre që u deklaruan nga ato që paraqesin hartat kadastrale.
Skeptrat, për arsyet e reklamimeve,i mbajnë ata me ndryshimet në sipërfaqe dhe kufinj.
“Aty ku ekziston diagrama topografike është e pamundur të rakordohet edhe sipërfaqja (të jetë e njëjtë) me atë që kemi regjistruar ne”-theksonte zoti Jalidhaqi. (Por, ai vë në dukje se vetëm një përqindje e vogël pasurish të patundura, shoqërohen me harta topografike.) Këto janë ato prona, që katër vitet e fundit janë transferuar dhe vlera e tyre i kalon të 5 milion dhramitë.
Stafetën e marrin ndryshimet nëpër kufinj. Reklamimet për kufijtë vijnë si shiu (me shumicë) me argumentet se, të tjerë janë kufijtë realë dhe të tjerë janë regjistruar nëpër harta. “Ka raste që akoma edhe vetë pronarët nuk i dinë se ku fillojnë dhe ku mbarojnë pasuritë e tyre”. Gjetiu nëpër botimin topografik të një leje ndërtimi,kanë përfshirë në sipërfaqet e truallit edhe murin që ndan dy trojet. Kjo ndodh në zona me koefiçient të lartë në mënyrë që Urbanistika t’u miratoj përqindje më të lartë ndërtimi. Sidoqoftë dokumentet topografike të dhënies së lejeve nuk krijojnë rezultat të ligjshëm. Të gjitha këto, nëpër zonat urbane dhe periurbane “lëvizin” nga 5-8 metra…
Por edhe gratë nuk mbeteshin prapa. Reklamimet nëpër kadastra kanë marrë karakter epidemik . Ka raste që gratë kanë paraqitur reklamime sepse në formularin që u është dërguar më të dhënat e pronarit, nuk përmendet numri i regjistrit themeltar të tatimeve të tyre, por të burrit te tyre..
Akoma edhe diçka tjetër për pensionistët. Përveç se janë kampionë për reklamime, janë edhe ata që kanë pasuritë e Greqisë nëpër duart e tyre, sikurse tregoi kontrolli nëpër Kadastrat.
“Përveç kësaj, për moshën e tretë, zotërimi i pasurive të patundura është regjistruar në nënvetdijen kolektive si qëllim primar”-vë në dukje, Këshilltari Bashkiak i Shoqërisë. “Fakt që, shumica e krahinave të pasura bëhen me bllokim dhe ndalim të shfrytëzimit”
***
Dokumenti i 16 viteve të shkuara
Pyetje dhe përgjigje
1.A do të njihen tapitë që kam sot?
“Plotësisht”
2.A ka të ngjarë që të ndryshohet statusi i pronësisë sime?
“Në rast se, të gjitha dokumentet vërtetuese-justifikuese që do të depozitohen, do të jenë ligjore,atëherë statusi nuk ndryshon. Si rrjedhim pronësia do të mbrohet”.
3.Çfarë vërtetim-justifikime do të duhen?
“Është një formular specifik që do të merrni, do t’a plotësoni dhe do t’a dorëzoni në Zyrat e veçanta të zonës. Në këtë formular do të regjistrohen të dhënat e pronës së patundur mbi të cilën keni të drejtën dhe llojin e së drejtës. Do të bashkangjitni edhe tapinë e pronësisë, diagramën topografike dhe çdo lloj dokumenti tjetër që keni”.
4.Sa afat kam për të paraqitur dokumentat justifikuese?
“Nëse je banor i Greqisë tre muaj. Gjashtë, nëse je banor jashtë Greqisë”.
5.Nëse përfundimisht tapitë nuk do të njihen, atëherë cilat do të jenë të drejtat e mia?
“Keni të drejtën e reklamimit në Komisionet përkatëse (të shkallës së parë, të dytë dhe natyrisht mundësinë e korrigjimit të dokumentave fillestare nëpër Kadastrat).”
6.Çfarë privilegji fitoj me kadastrën kombëtare?
“Ligjërisht, forcohet përfundimisht dhe pa revokim statusi i juaj mbi pronësinë. Regjistrimi do të krijojë dëshmi të pakundërshtueshme në favor të pronarit”.
7.Në çfarë faze gjenden sot Kadastrat kombëtare?
“Kadastrat kombëtare sot funksionojnë në 450 Bashki dhe Komuna në të gjitha prefekturat e vendit, për një sipërfaqe prej 11 milion dynymësh”.
8.Si mund të informohen bashkëkombësit për procedurat e hartimit të Kadastrës kombëtare?
“Nga ambasadat dhe konsullatat në të gjitha vendet, nga radiot dhe televizionet shtetërore, nga programet satelitore dhe nëpërmjet internetit nga materiali Informativ i Ministrisë së Jashtme”.
Për këto zona (krahina),të interesuarit kanë të drejtën të paraqesin reklamimet deri në 26 maj për banorët brenda Greqisë dhe 26 qershor për banorët jashtë Greqisë.
Shkruar nga Jorgo Findikaqi
***
Pasuritë shqiptare në Greqi dhe vlerësimi i tyre
Deri në vitin 1991 nën sekuestro kanë qenë:
Shtëpi, godina, apartamente, dyqane (pasuri të patundshme në qytet)- gjithsej 370
Troje ndërtimi- mbi 60
Toka bujqësore- 30.000 hektarë
Pyje- 65.000 hektarë
Kullota- 105 parcela=110.000 hektarë
Vlerësimi financiar për këto prona në 1991 është afërsisht 1 miliard dollarë amerikanë.
Burimi- zyra avokatore e zotit Agim Tartari
Ne 1991, 1 miliard dollarë, ose me 500 leke metri katror. 2000 km 2 ose 200 000 ha vetëm toka dhe terrenet, një sipërfaqe sa 7 përqind e sipërfaqes së Shqipërisë .
***
Presion ndërkombëtar ndaj Greqisë për problemin çam
Reagim i Ministrisë së Jashtme të Turqisë
Greqisë i duhet ushtruar presion nga vendet e Këshillit të Evropës dhe të BE-së për të ndaluar persekutimin e saj, ndaj shqiptarëve etnikë dhe për të shpërblyer humbjet e tyre materiale. Çdokush që përkrah supermacinë e ligjit dhe të vlerave humanitare bashkëkohore, duhet të zgjerojë mbështetjen e tyre te shoqatat shqiptare të Çamërisë. Ato kërkojnë njohjen e 4000 shqiptarëve, të cilët janë shfarosur nga Greqia. Kërkojnë gjithashtu të drejtën e 100.000 shqiptarëve, të cilët janë dëbuar nga tokat e tyre dhe që nuk kanë as mundësinë të shohin varret e të parëve të tyre, si dhe 100.000 shqiptarëve që jetojnë aktualisht në Greqi.
Në këtë kontekst, realizimi i pikave të mëposhtme janë të një rëndësie jetësore për një zgjidhje të drejtë të çështjes së shqiptarëve etnikë në Greqi.
- Mbledhja e një konference ndërkombëtare, me pjesëmarrjen e qeverisë shqiptare, për rivendosjen e të drejtave të minoritetit shqiptar në Greqi dhe për njohjen e genocidit ndaj çamëve.
- Njohjen nga ana e Greqisë të identitetit etnik të shqiptarëve ortodoksë dhe çamëve, në të njëjtën mënyrë me të cilën qeveria shqiptare njeh dhe respekton të drejtat e minoritetit grek në Shqipëri.
- Shpërblim për pronat e popullsisë çame nga qeveria greke.
- Leje për themelimin e një kishe të pavarur për shqiptarët ortodoksë në Greqi, e cila është një e drejtë që u është dhënë nga Traktati i Sevrës, nënshkruar në vitin 1920.
- Riatdhesimi në Greqi i popullsisë çame, të dëbuar në Shqipëri dhe dëmshpërblim për humbjet e rezultuara nga konfiskimi i pronave të çamëve në 55 vitet e fundit.
- Ridhënia e shtetësisë greke, popullsisë çame, që i është hequr në mënyrë të paligjshme
- Dhënia fund e trajtimit diskriminues kundrejt shqiptarëve në Greqi dhe kthimin e pronave të tyre, të konfiskuara në mënyrë të paligjshme nga autoritetet greke.
***
Kanë thënë publikisht për çështjen çame:
Ramiz Alia, ish-president
Në një takim me Micotaqisin, i pyetur nga gazetarët për këtë çështje, ai ka deklaruar: “Do të shihet në kohën e duhur dhe në momentin e duhur”.
Sali Berisha, në vitin 1996 firmos Traktatin e Miqësisë, Sigurisë dhe Bashkëpunimit reciprok me Greqinë.
Në nenin 15 të tij, thuhet se: “Secila nga palët kontraktuese duhet të përballojë mundësinë brenda kuadrit ligjor të heqjes së pengesave për gëzimin e pasurive të shtetasve të njërës palë në territorin e palës tjetër”. Nuk është ratifikuar nga Parlamenti grek.
Rexhep Meidani ish President. Në takimin me Presidentin grek, Stefanopulos, më 9 mars të vitit 1998
“…të punojmë për të zhvilluar më tej së bashku liritë dhe të drejtat e njeriut, veçanërisht ato të komunikimit, të besimit, të pronës, të drejtën pasurore…”
Meidani me Xoaxopulosin ministër i Mbrojtjes i Republikës Greke . në 7 korrik 2000
“..Për njerëzit e biznesit grek apo shqiptar, apo për njerëzit e thjeshtë në përgjithësi, është e papranueshme mbajtja akoma në fuqi e gjendjes së luftës që frenon investimet, shkëmbimet midis dy vendeve, proceset e vrullshme integruese etj. Le të përpiqemi pra, t’u japim zgjidhje pozitivisht atyre për këtë problem, duke i parë në përgjithësi mbi një bazë të re”.
Rexhep Meidani në Sesionin e përhershëm të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, në Nju Jork, SHBA, 7 shtator 2000
“…Por, pyetja që duhet t’i bëjmë vetes është kjo: A mund të arrijmë limitin e pranueshëm të qeverisjes së mirë ndërkohë që ekzistojnë akoma anëtarë brenda Kombeve të Bashkuara, të cilët insistojnë në mbajtjen e gjendjes së luftës me anëtarë të tjerë? Përgjigja është sinqerisht, Jo”.
(Materialet janë marrë nga shtypi i kohës)
George Papanderu (1995), ministër i Jashtëm i Greqisë në një intervistë për Zërin e Amerikës në shqip.
“Dallohet racizëm edhe në vendin tonë. Tashmë, arsyet për Greqinë ndryshojnë nga ato të vendeve fqinjë. Ka racizëm, i cili lulëzon nga kontakti me një racizëm tjetër. Por, ka racizëm, i cili është rezultat i tabuve dhe paragjykimeve pa një kontakt të drejtpërdrejtë me njëri-tjetrin”.