Nga Artur Ajazi
Kur mediat e botës deklaronin me të madhe se “rusët po afrohen në kufirin me Ukrahinën, ukrahinas ku jeni”… ukrahinasit i shikoje në kronikat e kohës duke pirë birra dhe duke festuar në disko. Por duhet thënë se, Ukrahina mbetet një vend i mirëpajisur me vendstrehime.
Nuk i kishin prishur të paktën deri nga viti 2013. Dhe lufta nisi. Vetëm kur rraketat dhe predhat ruse nisën të bien mbi Kiev dhe zonat e tjera, atëhere ukrahinasit kuptuan se “ooo jemi në luftë reale”.
Tani, le ta lemë Ukrahinën, dhe të merremi me vehten tonë. Sa të mbrojtur jemi nga lufta, predhat, rraketat, dhe sulmet e tjera ajrore ? Deri në vitin 1992, kishim në çdo 5 pallate, një vendstrehim betoni, në çdo lagje kishim nga 2 ose 3 bunkerë, që rrinin “ashtu kot fare”, dhe mbi 3100 tunele në malet dhe kodrat e vendit.
I bëri ai që iku, “diktatori”, dhe nuk i mori me vehte, po ja la shqiptareve. Por çfarë bëmë ne pas 1992, kur ndryshuam sistemin dhe erdhi “dhemokracia”.
I prishëm, i shkaterruam nisëm të talleshim me vendstrehimet, me bunkerët, ulurinim duke thënë “ja çfarë bëri diktatori, ja si u harxhuan paratë e shqiptareve, një vend i mbushur me tunele dhe vendstrehime”, duke mos përmendur fjalorin vulgar dhe recitimet edhe nga medemek “intelektualë dhe ushtarakë”, të cilët thonin se “nuk na duheshin këto ngrehina betoni”.
Aq dritëshkurtët ishin qeveritarët e pas 1992, apo më keq akoma edhe ushtarakët, sa lëshuan kushtrimin “shkatërroni çdo gjë të diktatorit”.
Bunkerët u kthyen në WC publike, vendstrehimet u prishën dhe u ndertuan pallate në vend të tyre, ose u kthyen në kantina e vende ku prodhohej madje edhe …birra.
U shkatërua gjithçka, sepse pritej të na vinte “çeku i bardhë”. U prenë hekurat e bunkerëve, dhe u shitën për skrap ose u përdorën në ndertime hauresh. Shqipëria ishte i vetmi vend në Ballkan apo Europë, që shkaterroi me dashje dhe me mision të zbatueshëm antikombetar, gjithçka ishte pasuri e popullit.
Vitet rridhnin, dhe erdhi lufta e Kosovës në prag. Në Tropojë e Kukës, nisën ti pastronin me detergjente bunkerët e mbetur, vendstrehimet dhe llogoret, pasi serbët hynë në Kosove.
Të njëjtën gjë, nisën të bëjnë edhe në Peshkopi, apo dhe qyetetet e tjera të vendit. Frika dhe tmerri i luftës nisi ti shkundte shqiptarët. Hyrja e NATO-s në luftë me serbët, i qetësoi disi, dhe nisi sërish shkaterrimi edhe i atyre që kishin mbetur nga “diktatura”.
Dhe ku jemi sot ? Lufta gjithmonë mbetet opsion i pashmangshëm i fuqive të mëdha, kuptohet për interesat e tyre. Lufta e Lindjes së Mesme, nisi si “lojë 10 ditore”, por duket se shanset që ajo të mbarojë shpejt, janë të pakta.
Rraketat e Iranit arritën deri në Turqi e Qipro. Do të thoni ju se “nuk arrijnë deri tek ne”.
Dakort, por problemi qëndron tek fakti se, sa jemi ne të përgatitur, a kemi ne sistemi alarmi për popullatën, në rast lufte ? Jo nuk kemi, pasi edhe ato ishin të “diktatorit”, dhe i prishëm. Ka ardhur momenti që qeveria të mendojë seriozisht për situatën e krijuar nga lufta në Lindjen e Mesme, dhe të ketë në gatishmëri tunelet.
Askush sot në botë, nuk mendon se “ne jemi super të sigurtë, ne kemi NATO-n, ne kemi Greqinë që na mbron”. Qytetet duhet të pajisen me sisteme alarmi, dhe të jetë të menaxhueshme dhe kontrollueshme nga strukturat ushtarake të çdo qarku.
Gjithashtu nga strukturat ushtarake, duhet të nisë që tani propaganda ndergjegjësuese me qytetarët, të jenë të pergatitur moralisht dhe psiqikisht për çdo rast lufte, qoftë edhe sporadik.
Dihet se lufta, apo dhe një rast i veçuar i saj, ndikon negativisht tek psikika e qytetareve, tek jeta jonë e përditshme.
Ndaj, le të nisi puna pergatitore nga strukturat kompetente, që nesër të mos kapemi “gafil” dhe të themi se “nuk e prisnim”. Lufta gjithmonë ka qenë e paparalajmeruar.











