Sanksionet masive kundër Rusisë, në përpjekje për të ndalur luftën në Ukrainë, mund të kenë pasur efekt në ekonominë ruse, por jo në fushën e betejës. Në muajin e tretë të luftës, Rusia ka bërë që Ukraina të rijetojë disa nga tmerret më të këqija të shekullit 20. Mijëra njerëz të vrarë, miliona të zhvendosur, qytete të tëra nën rrënoja.
“Nuk e di çfarë të bëj. Pse kanë bombarduar këtu? Çfarë kemi bërë? Nuk kemi bërë asgjë”, thotë për agjencinë e lajmeve Reuters Valentina, një grua e moshuar nga rajoni ukrainas i Donbasit.
Forcat pushtuese ruse kanë bombarduar ndërtesa banimi, spitale, shkolla, stacione hekurudhore. Kanë rrethuar qytete dhe kanë mbledhur kufoma njerëzish në varre masive.
Ukrainasit, nën udhëheqjen e presidentit të tyre, Volodymyr Zelensky, dhe të mbështetur nga dërgesat ushtarake të Perëndimit, kanë treguar rezistencë të fortë. Rusët nuk kanë arritur të kapin Kievin, as të rrëzojnë qeverinë atje. Luftimet tash i kanë përqendruar në pjesën lindore të Ukrainës.
Perëndimi është zotuar se nuk do të përfshihet direkt midis dy vendeve. Ukrainën është duke e ndihmuar me armatim, ndërsa kundër Rusisë ka ndërmarrë një varg sanksionesh ekonomike e diplomatike, në përpjekje për ta detyruar që të tërhiqet nga Ukraina.
Mes tjerash, vendet perëndimore kanë ngrirë asetet e Bankës Qendrore Ruse, kanë bllokuar disa banka ruse nga sistemi i pagesave SWIFT, kanë mbyllur hapësirën ajrore për avionët rusë, u kanë ngrirë pasurinë mbi 1,000 individëve, përfshirë zyrtarë të Kremlinit dhe oligarkë.
Një tufë kompanish perëndimore, si: Apple, Netflix, Ikea, H&M, McDonalds, Coca-Cola, janë larguar po ashtu nga Rusia.
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, pasi ka shpallur sanksione të reja kundër Moskës, në fillim të prillit, ka thënë se presioni mbi presidentin rus, Vladimir Putin, nuk do të ndalet.
“Këto janë Shtetet e Bashkuara dhe ne do ndërmarrim hapa shtesë, në koordinim me aleatët dhe partnerët tanë, për të rritur presionin ekonomik mbi Putinin”, ka thënë Biden.
Si pasojë e sanksioneve, rubla ruse ka rënë fillimisht në vlerë, por është rikuperuar me kalimin e kohës, kryesisht për shkak të masave që kanë ndërmarrë autoritetet për mbështetjen e saj.
Putin ka minimizuar ndikimin e sanksioneve në Rusi dhe ka thënë se ato kanë dëmtuar ekonomitë e vendeve perëndimore.
“Kanë rritur inflacionin, papunësinë dhe kanë përkeqësuar dinamikën ekonomike në SHBA dhe Evropë. Kanë zvogëluar standardet e jetesës për evropianët dhe kanë zhvlerësuar kursimet e tyre”, ka thënë Putin.
Perëndimi ka kaluar në sanksione, si mjet presioni, qysh nga Lufta e Dytë Botërore. Disa vende, përshirë Iranin, Sirinë, Korenë e Veriut dhe Venezuelën, janë aktualisht të sanksionuara, për shkak të agresionit ose shkeljeve të ligjit ndërkombëtar. Megjithatë, këto masa ndëshkuese, historikisht, nuk kanë qenë efektive në ndryshmin e regjimeve apo të sjelljes së diktatorëve.
Andre Gerrits, profesor i studimeve ndërkombëtare dhe politikës globale në Universitetin Leiden në Holandë, thotë për programin Expose të Radios Evropa e Lirë se sanksionet kundër Rusisë – sado masive që janë – nuk kanë ndikuar në ndryshimin e qasjes së Kremlinit në Ukrainë.
“Rusia nuk e ka ndryshuar strategjinë. Ndryshimin që e ka bërë në fushëbetejë, nuk e ka bërë për shkak të sanksioneve. Ai ka qenë rezultat i rezistencës së ushtrisë ukrainase, sidomos në dhe përreth Kievit. Pra, [sanksionet] nuk kanë ende efekt të dukshëm, por kjo gjë nuk nënkupton domosdoshmërisht se ato nuk do të kenë efekte politike në të ardhmen”, thotë Gerrits.
Sipas tij, presioni i Perëndimit kundër Rusisë nuk i ka arritur limitet dhe ka ende hapësirë për të vepruar.
“Ne ende e mbështesim Rusinë. E mbështesim me para, për shkak të importit të gazit dhe naftës ruse. Ne i japim më shumë para, sesa që i marrim me anë të sanksioneve. Sanksionet e lëndojnë Rusinë deri në një masë të caktuar, por, në të njëjtën kohë, ka boshllëqe serioze”.
“E para, ne vazhdojmë të blejmë produkte të energjisë nga Rusia dhe, e dyta, sanksionet nuk janë të plota. Disa banka janë shënjestruar, të tjerat jo. Dhe, çka është më e rëndësishmja, disa ekonomi të mëdha nuk janë pjesë e regjimit të sanksioneve, përfshirë: Indinë, Turqinë dhe natyrisht Kinën. Andaj, ideja që mund ta kemi ne në Perëndim, se e kemi izoluar me sukses Rusinë, nuk është e vërtetë, nuk është reale”, thotë Gerrits.
Shtetet e Bashkuara kanë ndaluar importin e naftës dhe gazit rus. Por, Bashkimi Evropian, i cili merr çerekun e naftës së tij nga Rusia, ashtu si edhe 40% të gazit, vazhdon furnizimet, edhe pse është zotuar se do të pavarësohet nga energjia ruse para vitit 2030.
Nga 27 prilli, vetë Rusia ka ndaluar rrjedhjen e gazit në Poloni dhe Bullgari dhe ka kërcënuar edhe vende të tjera me ndërprerje të furnizimeve. BE-ja e ka cilësuar si shantazh këtë veprim.
Profesori Gerrits thotë se Evropa duhet t’i zgjerojë sanksionet e saj edhe mbi naftën dhe gazin rus. Ngjashëm shprehet edhe Taisa Markus, eksperte e tregjeve në Universitetin e Illinoisit, por shton se SHBA-ja duhet ta ndihmojë Evropën në marrjen e këtij vendimi.
“SHBA-ja e ka shumë lehtë të thotë se po e ndalon naftën dhe gazin rus. Ne jemi të pavarur sa i përket energjisë dhe kjo nuk ndikon te ne. Por, për Evropën, [ndërprerja e gazit dhe naftës ruse] ka efekt të madh, sidomos për Gjermaninë, dhe do të shkaktonte tkurrje të ekonomisë në vende të ndryshme”, thotë Markus.
- Pikëpamjet e moskovitëve për përfundimin e luftës në Ukrainë
- Video-ditari i një ushtari rus në Ukrainë
Duke folur për Exposenë, ajo shprehet e sigurt se bruto-prodhimi i brendshëm i Rusisë do të bie ndjeshëm këtë vit për shkak të sanksioneve. Ajo thotë se populli rus do të përballet edhe me mungesa të mallrave të konsumit. Megjithatë, shton Markus, sanksionet nuk do të mjaftojnë për ndaljen e agresionit në Ukrainë.
“Do të duhet mbështetje ushtarake dhe humanitare [për Ukrainën] dhe një fushatë strategjike kundër dezinoformimit, për të dobësuar mbështetjen për regjimin [rus]”, thotë Markus.
Opinioni publik në Rusi informohet kryesisht nga televizioni shtetëror, i cili kontrollohet nga Kremlini dhe, rrjedhimisht, e arsyeton – pa asnjë bazë – ndërhyrjen e ushtrisë ruse në Ukrainë.
Profesori Gerrits pajtohet se vetëm sanksionet nuk do të mund ta ndalin Putinin.
“Ne duhet të vazhdojmë t’ia sigurojmë Ukrainës mjetet e nevojshme ushtarake për t’i rezistuar në mënyrë efektive Rusisë, sepse vetëm një luftë e zgjatur, në të cilën Rusia nuk mund të arrijë qëllimet e saj politike, mund të shkaktojë trazira në shoqërinë ruse”.
“Kemi parë shenjat e parë, nëna që kërkojnë djemtë e tyre [ushtarë], dhe nuk marrin asnjë lajm nga autoritetet. Mund të ndodhë pastaj që disa pjesë të elitës ruse të nisin t’i rimendojnë aleancat e tyre në Kremlinin dhe të vënë në dyshim, nëse Putin u shërben ende interesave të tyre”, thotë Gerrits.
Ish-këshilltari ekonomik i Putinit, Andrej Ilarionov, nuk pajtohet plotësisht. Ai thotë se shanset që dikush nga rrethi i Putinit të bëjë puç, janë të barabarta me zero. Luftën mund ta ndalë vetëm embargoja e Evropës mbi naftën dhe gazin rus, thotë Ilirianov për Radion Evropa e Lirë.
“Situata do të ndryshonte nëse Perëndimi do të vendoste embargo të plotë ndaj importeve të naftës dhe gazit nga Rusia. Kjo, pastaj, do të mund të ndikonte në vendimin e Putinit për të bërë luftë, sepse ai do të mbetej pa miliarda dollarë nga Perëndimi – mjete me të cilat po e financon pushtimin e Ukrainës”, thotë Ilarionov.
Shefi i politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, ka thënë më 6 prill se BE-ja ka shpenzuar 35 miliardë dollarë për energjinë ruse, që nga fillimi i luftës, ndërsa në Ukrainë ka dërguar një miliard dollarë në formë të ndihmave. Ukraina ka nevojë për më shumë armë për të luftuar, ka thënë Borrell para Parlamentit Evropian./