Muharrem Xhafa, ish-shef i Sektorit të Edukimit në aparatin e KQ të Partisë së Punës ka komentuar situatën politike në Shqipëri, ndërsa ka hedhur akuza të forta në adresë të politikanëve kryesorë që kanë drejtuar vendin në këto 30 e ca vite demokraci. Në një intervistë për gazetën “SOT”, Z. Xhafa, rrëfen një panoramë tronditëse të situatës politike dhe sociale në Shqipëri pas 30 vitesh demokraci. Ai tregon se pas maskës së demokracisë fshihet një sistem që mbron elitën dhe injoron popullin, ku drejtësia është e manipuluar dhe e pambrojtur. Xhafa komentoi edhe rolin e Sali Berishës në periudhën e pas ’90-ës dhe lidhjet e tij të hershme me Partinë e Punës dhe shërbimet e dikurshme sekrete.
Ai hedh dritë mbi skemën e Ramiz Alisë për të kontrolluar Berishën dhe postet që ai kishte pasur në spitale dhe politikë para viteve 1990. Ndërkohë ai flet gjithashtu për korrupsionin e përhapur, pasojat e kapitalizmit dhe mënyrën sesi pushteti i elitës mbron vetveten duke lënë popullin në varfëri. Madje Xhafa nuk kursen kritika për Ilir Metën, Sali Berishën. Ai kujton me dhimbje ngjarjet e 21 Janarit 2011 dhe nënvizon se pa një sistem të drejtë ligjor, asnjë llogaridhënie nuk është e mundur. Sipas tij, organet e drejtësisë janë të varura nga borgjezia dhe nuk mund të jenë të pavarura. Sakaq ai thekson se problemi nuk qëndron te individët, por tek një rrjet i tërë pushteti dhe pasurie që mbron vetveten, ku sipas tij, populli mbetet shpesh i pafuqishëm përballë elitës së korruptuar.
-Z. Xhafa, pas më shumë se tri dekadash në sistem demokratik, a është Shqipëria realisht një vend demokratik që i afrohet standardeve europiane, apo aspirata e viteve ’90 për “ta bërë Shqipërinë si gjithë Europa” ka mbetur thjesht një slogan?
Unë nuk jam dhe nuk do të jem dakord me atë slogan. Për mua, “Ta bëjmë Shqipërinë si gjithë Europa” ishte një mashtrim i madh i kapitalizmit amerikan dhe europian. Qëllimi nuk ishte zhvillimi i popullit shqiptar, por shkatërrimi i rendit socialist në vendin tonë. Pas kësaj, populli le të bënte ç’të donte. Shqipëria ishte pjesë e Europës edhe në socializëm, por jetonte në një rend tjetër, ku nuk i bëhej padrejtësi askujt dhe askush nuk guxonte ta cenonte. Kur ndodhi një sulm ushtarak ndaj nesh, kundërshtari e pa mirë se çfarë e priste. Europa kapitaliste atëherë ishte plot sëmundje e plagë sociale dhe kështu mbetet edhe sot. Me hyrjen tonë në kapitalizëm, këto plagë u shfaqën hapur: droga, krimi, korrupsioni. Sot ato marrin jetë njerëzish dhe shkatërrojnë shoqërinë. Nuk them që nuk kishim probleme edhe më parë, por ato ishin në nivele të papërfillshme. Në kapitalizëm, demokracia funksionon për të pasurit, jo për të varfrit. Është një demokraci për të nënshtruar dhe shfrytëzuar ata që punojnë. Përrallat për liritë dhe të drejtat janë thjesht mbulesa për një realitet ku pasuria dhe pushteti përqendrohen në duart e pakicës, ndërsa shumica e popullsisë lufton për mbijetesë.
-Pse korrupsioni në Shqipëri është kaq i përhapur? Faji qëndron tek një sistem drejtësie që nuk funksionon, apo tek mentaliteti ynë si popull, që shpesh kërkojmë të përfitojmë pa shumë mund?
Ka mbi 30 vjet që sidomos të rinjtë marrin rrugën e emigrimit, dhe ky fenomen vetëm sa është përkeqësuar. Ndërkohë, miliarda euro ndihma nga jashtë nuk dihet ku kanë përfunduar. Janë futur në xhepat e shpuar të popullit, apo në xhepat e pushtetarëve të korruptuar e të fuqishëm, të cilët shteti bën sikur nuk i sheh? Sa më i korruptuar të jetë shteti, aq më i korruptuar bëhet vendi, institucionet dhe e gjithë shoqëria. Në kapitalizëm nuk ka vende pa korrupsion, kjo është sëmundje e vetë sistemit, e të pasurve, jo e atyre që mezi sigurojnë bukën e gojës. Po, ka vende kapitaliste ku luftohet më shumë kundër korrupsionit, por as atje nuk zhduket. Pse?
Sepse shteti kapitalist dhe pushtetarët e tij nuk pasurohen ndryshe. Sa për drejtësinë, ajo lind nga Kuvendi i borgjezisë, dhe shërben borgjezinë, jo punëtorinë. Shihni se kush dënohet: një i varfër që ka vjedhur pak energji elektrike, ndërsa një milioner që ka grabitur miliona euro ikën “në rrugë të paditur”, me biletë të paguar nga shteti. Organet e drejtësisë nuk janë të pavarura, sepse janë vënë aty nga të pasurit dhe të fuqishmit. Edhe media? E varur nga borgjezia dhe partitë e saj. Për çështjet thelbësore, nuk ka të majtë e të djathtë, ka vetëm një borgjezi të pasur që mbron interesat e veta. Në kapitalizëm, shteti dhe pushteti janë të borgjezisë; popullin e kujtojnë vetëm për vota, pastaj harrohet. Sa për idenë se shqiptarët duan të përfitojnë pa punuar, kjo është një ironi e hidhur. Borgjezia e pasur nuk e lejon popullin të pasurohet. Dhe kur populli mbahet në varfëri, korrupsioni dhe abuzimi bëhen mjet kontrolli.
-Ndërkohë Z. Xhafa, ndër vite janë hedhur akuza se ish-kryeministri Sali Berisha ka qenë bashkëpunëtor i ish-Sigurimit të Shtetit, madje edhe i UDB-së. Si e komentoni këtë? Sa bazë kanë këto akuza?
Unë kam qenë dhe mbetem i bindur se çelja e dosjeve të ish-Sigurimit duhet të bëhet për të gjithë ata që kanë shkelur ligjet e kohës. Por kjo nuk mund të bëhet me paragjykime, me gjykime të shpejta apo me ligje politike. Një proces i tillë, përveçse do të ishte thellësisht i padrejtë, do të ushqente ndjenja hakmarrjeje dhe vetëgjyqësie, duke e futur shoqërinë në një rrëmujë edhe më të madhe. Çdo rast duhet të trajtohet veçmas, me gjykim të veçantë, duke respektuar ligjet e kohës kur ka ndodhur ngjarja, jo duke aplikuar ligjet juridike të kapitalizmit të sotëm. Sepse, nëse do të ecim në këtë rrugë, rrezikojmë që të dalin “të dënuar politikë” edhe hajdutët, edhe vrasësit, edhe ata që e kanë shkatërruar vendin me duart e veta. Sot, “pastërtia e figurës” është kthyer në farsë. Çfarë vlere ka një certifikatë pastërtie, kur cilido mund ta blejë, mjafton të ketë para?
Kjo nuk është drejtësi, kjo është pazar. Pastërtia e figurës së një parlamentari apo një shtetari duhet të jetë, para së gjithash, përgjegjësi e partive politike, e atyre që bëjnë propozimet, dhe e vetë individit që kandidon. Nuk mund të mbetet si përgjegjësi ekskluzive e KQZ-së. Le të bëjë KQZ-ja punën e saj, por përgjegjësia politike dhe morale nuk blihet me para. Sa i përket pyetjes suaj – a ka qenë Sali Berisha spiun, agjent i Sigurimit të Shtetit, apo bashkëpunëtor i shërbimeve të huaja, përfshirë UDB-në? Unë nuk kam prova dhe nuk mund ta konfirmoj një gjë të tillë, sepse nuk kam qenë pjesë e atyre strukturave. Por nuk e fsheh se për Berishën është folur dhe flitet shumë në këtë drejtim. Kjo është çështje që duhet hetuar nga organet përkatëse, me dokumente dhe fakte. Por megjithatë me bindje të plotë, mund të them vetëm atë që është e sigurt: Sali Berisha ka qenë anëtar i Partisë së Punës së Shqipërisë. Ai ka qenë mjek i oborrit dhe sekretar partie i spitaleve, dhe në krye të vendit e ka sjellë Ramiz Alia. Ky është fakt, jo thashethem. Dhe ky fakt flet vetë, për këdo që e njeh mirë historinë e atyre viteve.
-Nga ana tjetër, Ilir Meta dhe Sali Berisha janë nën hetim nga SPAK, por pothuajse çdo ditë ata godasin me akuza të ashpra kreun e Prokurorisë së Posaçme, Altin Dumanin dhe prokurorët specialë. A ka ardhur, sipas jush, momenti që çifti Berisha-Meta të përballet realisht me drejtësinë? Ndërkohë, dosja e “21 Janarit” po hetohet nga SPAK. Si e kujtoni ju atë ditë dramatike, kur 4 protestues u vranë në bulevard në vitin 2011? Kush duhet të mbajë përgjegjësi për gjakun e atyre qytetarëve dhe a mund të quhet e mbyllur kjo plagë pa një gjykim të drejtë?
Përtej këtij aspekti formal dhe ligjor, realiteti i thellë është më i errët: sa të jetë Dumani i sotëm, apo kur të vijë një Duman tjetër nesër, çështja e Berishës, e Metës dhe e Ramës me gjithë bashkëpunëtorët e tyre, nuk do të gjejë një zgjidhje të drejtë. Këta nuk do të dënohen kurrë, sepse së pari janë të lidhur fort midis tyre, një rrjet që mbron interesat e përbashkëta; së dyti, ligjet i kanë hartuar vetë dhe për vete, duke krijuar një mburojë ligjore që i mbron nga çdo gjyq; dhe së treti, organet e drejtësisë, përveçse shpesh të korruptuara, janë ngritur nga borgjezia, për borgjezinë, dhe nuk mund të dalin kurrë kundër saj.
Ndërkaq, ata që nuk janë pjesë e këtij rrjeti të fuqishëm, ata që nuk kanë lidhje politike ose ekonomike me pushtetarët, ata janë të parët që përfundojnë të dënuar. Çdo shkelës i vogël paguan, çdo qytetar i pambrojtur ndëshkohet, ndërsa elitës politike i falen gjithçka. Kjo është realiteti tragjik i një shteti ku drejtësia nuk ekziston për të varfrit dhe të zakonshmit, por vetëm për ata që kontrollojnë pushtetin dhe pasurinë. Ky nuk është thjesht një problem i individëve, por një sistem i tërë i lidhur, ku politika, ligji dhe ekonomia shërbejnë një elitë të vogël, ndërsa populli mbetet i pambrojtur dhe i dorëzuar në fatin e tij. Deri sa ky sistem të sfidohet rrënjësisht, nuk mund të ketë drejtësi reale, dhe asnjë “Duman” i vetëm nuk mjafton për të ndryshuar këtë realitet.
Intervistoi: Rigels Seliman, SOT











