Nga Ben Andoni
Një shoqëri përbëhet nga disa lloje elitash. Mund të ketë elitë kulturore falë standardeve të zhvilluara të saj në një vend; elitë qeverisëse, prej asaj që gjenerojnë partitë në drejtimin e vendit; një elitë pushteti, lidhet me ata që nuk i zbresin poltronit të autoritetit dhe kur zyrtarisht nuk e kanë; një elitë kombëtare, e vlerësuar me kontributet historike që jep e ka dhënë ndër kohë; elita që gëzojnë statuse të larta, falë trashëgimisë apo dinastisë etj. Në vende me demokraci të zhvilluar flitet edhe për elita shoqërore, elita mirëfilli politike në formë dinastish (rasti i Greqisë fqinje), elita ekonomike, që lidhen me kontribute në kohë të ndryshme të aktorëve të ndryshëm etj. Të gjitha llojet përshfaqin kontributet e tyre në hullitë, ku operojnë më së shumti. Zhvillimi i një vendi është shumë i ndërvarur prej tyre, për të mos thënë fizionomia jo rrallë është pasqyrë e punës së tyre. Në rastin tonë, duam apo nuk duam: Shqipëria politike e 30 viteve ka imazhin e politikave që ndërtoi Sali Berisha, Fatos Nano, Ilir Meta, Edi Rama e fare pak të tjerë. Po a mundet një elitë t’ia lerë vendin normalisht apo lehtë tjetrës? Asesi jo. Në Gjermani, znj. Merkel u bë atëvrasëse dhe i mori vendin Helmut Kohl, mentorit të saj dhe njërit prej arkitektëve të bashkimit të Gjermanive, duke ndërruar dhe futur frymën e një elite të re, që e drejton edhe sot e kësaj dite Gjermaninë. Shqipëria ka pasur një histori të hidhur me elitat e saj. Ahmet Zogu i vuri dërrmën njerëzve të ish-Perandorisë Osmane, që erdhën të jepnin kontributet e mbrame për Shqipërinë e pavarur, duke ngritur pushtetin e tij me një elitë krejt të re. Kurse regjimi komunist bëri të njëjtën gjë me të gjithë strukturën që kishte qenë gjatë pushtimit dhe asaj të Zogut. Kuptohet se përveç elitës qeverisëse, regjimi komunist gjeti një rezistencë edhe nga elita kombëtare, por mekanizmat e shtetit iu kundërvunë ”me sukses” edhe atyre me elitën e saj të sapokrijuar. Shpejt, vendi do të binte nën procesin e ndërtimit të kësaj elite të re, e cila mori fare pak ose aspak politikisht e kulturalisht nga trashëgimitë e shkuara.
“Ashtu si elita e Egjiptit të lashtë, shumica e njerëzve në mjaft prej kulturave ia kushtojnë jetën ndërtimit të piramidave. Vetëm emrat, format dhe madhësitë e këtyre piramidave ndryshojnë nga njëra kulturë në tjetrën”, shkruan te “Sapiens: Një histori e shkurtër e njerëzimit”, Yuval Noah Harari, duke e shpjeguar këtë mekanizëm.
Por pa e ngatërruar shumë idenë tonë. Ajo që po jetojmë në ditët tona është mungesa totale e vlerave dhe ngritja e vlerësimeve për autoritetet pa kontribute bazike. Është pikërisht ky kusht, që e mbath elitën e pandryshuar të vendit. Më ndërkombëtarisht: Ata që merren me liberalizmin sot i venë disa emra, por një përcaktim po i qëndron të gjithave bashkë, jemi në një botë që e ka kaluar periudhën e teorive liberale, sipas studiuesit të mësipërm. Në Shqipëri, elita politike ka lëvizur fare ngadalë, kurse rinovimi i saj është ende pjesë e debateve të mëdha dhe e bllokimeve të frikshme që po i bëjnë me marrëveshje dy partitë e mëdha, PS dhe PD. Në këtë sens, ishte Sali Berisha dhe Fatos Nano, që sollën respektivisht në skenë Lulzim Bashën dhe Edi Ramën, dy liderët e sotëm. Ku, ky i dyti u shqua për më shumë ambicie dhe pati kurajën për të ndryshuar. Kuptohet duke bërë atë që duhej dhe duke e shmangur pa asnjë klas paraardhësin e tij, Fatos Nano. Tek e fundit, Partisë Socialiste i duhej një stof i ri dhe vetë ish-kryeministri Nano ia blatoi një njeriu që mund t’i besohej frymës dhe ambicieve të PS. Këtë nuk e bëri Sali Berisha me klanizmin e tij, që vazhdon edhe sot por në forma më të sofistikuara në ushtrimin e tutelës së tij. Veçse, ai bëri një gjë më institucionale me krijimin e KOP-it, një nga ndërmarrjet më të mëdha politike, që e solli sërish në pushtet, PD-në. Veçse njerëzit e KOP-it, ku ai pikasi Lulzim Bashën nuk mundën kurrë të shkonin më tej, veç emrit. Socialistët e dorëzuan pushtetin, ashtu si Bashës iu dha një mandat si kryebashkiak i Tiranës, por ishte shumë vështirë që ky grupim i rinovuar i një elite sërish të vjetër të ndryshonte shumë. Tek e fundit, është pikërisht vegjetimi i së njëjtës elitë që e ka lënë vendin kaq pas. Zhgënjimi prej Bashës, që ende nuk e ka veshur kostumin e kryeministrit, vazhdon qoftë në diskurin e vet politik-social por dhe në aksionet e dështuara politike, përveç furisë së agresivitetit që e ka shumë më të matur nga Berisha. Por edhe kjo cilësi e fundit më 21 Janar të 2011 dështoi, ngaqë Basha u rreshtua me ata që goditën protestuesit, e tregoi si ishte thjesht numëror i një elite pushteti të egër, të etur vetëm për karrigen dhe ngulfatjen e regjimit.
Në fakt, argumenti ynë qëndron te elitat dhe fati i tyre në shoqërinë postmoderne, sidomos në demokracinë shqiptare, ku elitat politike që i janë mbivendosur nuk po ndryshojnë prej fillimi. Në një studim, që bënte pak kohë më parë Instituti i Studimeve Politike, në rezultatet e saj gjen individë që janë në politikë qysh në fillim apo në mes të viteve ’90, si Berisha, Ruçi, Meta, Mediu, Kryemadhi, Shehi, Rama, madje disa nga ata syresh do na drejtojnë drejt zgjedhjeve të vitit 2021 janë po markë e ‘91, veç Lulzim Bashës, që gjithsesi po bëhet i vjetër në politikë. Dhe pse këmbëngulet te këto emra, pasi janë këta të cilët etiketohen si elita politike e vendit e që favorizojnë të gjitha politikat që po prodhojnë antivlera dhe fatkeqësisht i mbajnë aq të dobëta standardet e vendit. Do të mjaftonte një dalje e fundit e Nanos, që duket një trokitje sërish për t’u rikthyer në politikën aktive shqiptare, për të besuar se edhe në rastin më të mirë si ai, që dha dorëheqjen nga PS, për të besuar sesa thellë i kanë rrënjët njerëzit e kësaj elite. Për të mos harruar Berishën që edhe duke iu drejtuar të 80-ve nuk di të largohet e me radhë pastaj shembujt e kryetarëve të partizave më të vogla, kryetarët e të cilëve i kanë hipotekuar partitë.
Po pse vallë riciklohen të njëjtë njerëz? Kjo sepse puna e tyre nuk kuptohet dhe nuk matet, ndërsa ata mbijetojnë falë një sistemi që e kërkon dhe i jep vlerë kotësisë. Koha po tregon se elitat ushtrojnë pushtet dhe ndikim sepse ato posedojnë disa cilësi superiore si: aftësi intelektuale, kapacitet administrativ, pozicione më të larta, fuqi ushtarake, legjitimitet dhe besueshmëri popullore ose autoritet moral. E nëse ky përcaktim i literaturës është i vërtetë, atëherë është i vërtetë edhe fakti se shqiptarët e prodhuan vetë një elitë të tillë. Përvoja e huaj është sërish e hidhur. “Deri më tani ne kemi parë dy nga tre kërcënimet praktike të liberalizmit: së pari, që njerëzit do të humbin vlerën e tyre plotësisht; së dyti, se njerëzit do të jenë akoma të vlefshëm kolektivisht, por ata do të humbin autoritetin e tyre individual dhe në vend të kësaj do të menaxhohen nga algoritme të jashtëm. Sistemi do të ketë ende nevojë që të kompozohen simfoni, të mësohen histori ose të shkruhet kod kompjuterik, por sistemi do t’na njohë më mirë sesa e dimë vetë, dhe për këtë arsye do të marrë shumicën e vendimeve të rëndësishme për njeriun – dhe do të jemi plotësisht të kënaqur me këtë. Nuk do të jetë domosdoshmërisht një botë e keqe; sidoqoftë, do të jetë një botë post-liberale.
Kërcënimi i tretë ndaj liberalizmit është se disa njerëz do të mbeten të domosdoshëm dhe të padeshifrueshëm, por ata do të përbëjnë një elitë të vogël dhe të privilegjuar të njerëzve të azhurnuar. Këta mbinjerëzorë do të gëzojnë aftësi të padëgjuara dhe krijimtari të paparë, të cilat do t’i lejojnë ata të vazhdojnë të marrin shumë nga vendimet më të rëndësishme në botë. Ata do të kryejnë shërbime thelbësore për sistemin, ndërsa sistemi nuk mund t’i kuptojë dhe menaxhojë ato. Sidoqoftë, shumica e njerëzve nuk do të azhurnohen dhe për pasojë do të bëhen një kastë inferiore, e dominuar nga algoritmet kompjuterikë dhe mbinjerëzit e rinj”, bën një parashikim të hidhur te ‘Homo Deus: Një histori e së nesërmes’, – Yuval Noah Harari. Vallë janë sërish Nano i ricikluar, Berisha i padorëzuar, Rama si mbajtës pushteti, Basha si mëtonjës, e Meta mbinjerëzit e këtij vendi?! Me sa duket po. Provoni hapni televizorin dhe do ta kuptoni! ( Homo Albanicus)