Një nga figurat më të diskutueshme të ditëve të fundit në skenën kulturore franceze është një vajzë e re që punon si menaxhere e dy galerive të njohura arti në Paris, por që mediat e pavarura dhe artistët në mërgim e identifikojnë si Elizaveta Vladimirovna Krivonogikh, vajza e dyshuar e Presidentit rus Vladimir Putin.
Zbulimi ka shkaktuar polemika të mëdha në rrethin e artistëve që angazhohen kundër luftës në Ukrainë.
Elizaveta, e njohur me pseudonimin “Liza Rudnova”, është menaxhere pranë asociacionit “L”, që drejton dy galeritë pariziene, Studio Albatros dhe L Gallery.
Pikërisht këto galeri janë kthyer në hapësira ekspozimi për artistë rusë dhe ukrainas që janë shprehur kundër luftës në Ukrainë dhe regjimit të Kremlinit.
Ky fakt, për shumë vetë, e bën të papranueshme praninë e dikujt që dyshohet të jetë bijë e një prej arkitektëve të luftës.
Denoncimi i parë publik erdhi nga artistja ruse në mërgim, Nastja Rodionova, e cila përmes një postimi në Facebook rrëfeu se kishte dëgjuar zëra për identitetin e vërtetë të “Liza Rudnovës”.
Ajo thotë se e kishte verifikuar këtë informacion përmes një takimi me presidentin e asociacionit “L”, Dmitrij Dolinskij, i cili i kishte pohuar se menaxherja quhej Elizaveta Rudnova, një emër që shumë media të pavarura e lidhin me vajzën e fshehtë të Putinit.
Sipas një hetimi të vitit 2020 nga platforma ruse investigative Proekt, Elizaveta ka lindur më 3 Mars 2003 dhe është vajza e Svetlana Krivonogikh, një ish-pastruese nga Shën Petersburgu që për një kohë të gjatë thuhet se ka qenë partnere intime e Vladimir Putinit.

Që prej kësaj periudhe, Krivonogikh është bërë pronare e resorteve luksoze, aksionere në Bankën Rossija dhe zotëruese e pasurive të paluajtshme në Moskë dhe në ishullin Kamennyj, një pasuri e vlerësuar nga mediat në mbi 100 milionë Dollarë.
Hetimet e mëparshme kanë zbuluar se Elizaveta përdor pseudonimin Rudnova që prej vitit 2010, një mbiemër që mund të jetë një homazh për mikun e ngushtë të Putinit, Oleg Rudnov, i vdekur në vitin 2015.
Në vitin 2023, televizioni ukrainas TSN raportoi se Elizaveta studioi në ICART School of Management and Art në Paris duke përdorur një pasaportë me mbiemrin Rudnova, të njëjtën datë lindjeje dhe numër telefoni si Krivonogikh.
Edhe gazetari investigativ Andrej Zakharov, autori i hulumtimit origjinal të Proekt, ka pohuar se Elizaveta ka jetuar në Paris, duke theksuar se gjatë vitit 2022, llogaria Instagram e markës së saj të veshjeve është etiketuar në disa revista franceze të modës.
Në një intervistë për mediat e pavarura, presidenti i asociacionit “L”, Dolinskij, deklaroi se Liza Rudnova është pjesë e një programi francez të alternimit shkollë–punë për arsimin e mesëm dhe të lartë.
Ai theksoi se “vajza jeton një jetë shumë normale, udhëton me autobus dhe jeton në një lagje të zakonshme të Parisit”, duke shtuar se asociacioni i paguan asaj vetëm abonimin për transport publik, siç parashikohet në kontratë.
Dolinskij konfirmoi gjithashtu se ajo ndihmon në organizimin e ekspozitave dhe mbledhjen e materialeve për katalogët artistikë. “Asgjë në kontaktet tona me të nuk sugjeron ndonjë privilegj apo ndikim të pazakontë,” tha ai.
Megjithatë, artistja Rodionova ka shprehur hapur shqetësimin e saj.
“Unë besoj në prezumimin e pafajësisë dhe se fëmijët nuk duhet të mbajnë përgjegjësi për krimet e prindërve. Por në mes të një lufte, një konflikt mes atyre që kanë përfituar nga regjimi dhe viktimave të tij është i papranueshëm”.
Rodionova, e cila jeton në Francë që nga shpërthimi i luftës në Ukrainë dhe është autore e romanit “Kill Linin”, finalist për çmimin letrar rus “Bolshaja Kniga”, është bërë zë i rëndësishëm i diasporës intelektuale ruse kundër regjimit të Putinit.
Putini është zyrtarisht beqar që prej vitit 2003, kur u divorcua nga Ljudmila, ish-stjuardesë me të cilën ishte i martuar për më shumë se 30 vjet.
Ai ka mohuar vazhdimisht thashethemet për lidhjet me ish-gjimnasten Alina Kabaeva, me të cilën i janë atribuuar edhe dy fëmijë.
Zyrtarisht, Putini ka dy vajza nga martesa me Ljudmila; Maria Vorontsova dhe Ekaterina Tikhonova.
Por sipas hetimeve të pavarura, Krivonogikh dhe vajza e saj Elizaveta përfaqësojnë një tjetër kapitull të fshehtë të jetës personale të Presidentit rus.











