Nga Ben Andoni
Është një fakt i pamohueshëm se në dhjetëvjeçarët e fundit diasporat e vendeve të Ballkanit, por në rastin tonë ajo shqiptare është gjithmonë e më shumë prezente në problemet e brendshme të vendit. Kjo, jo thjesht duket si argument gjithnjë e më i pranishëm për ndikimin politik por edhe në problemet që ata rrahin. Në takimin e Diasporës në Tiranë, ata do të paraqisnin problematika reale, paçka se ministrat respektivë, të cilët mund t’u përgjigjeshin shqetësimeve të tyre më shumë erdhën në përshëndetje sesa do t’i dëgjonin kur u erdhi radha të flisnin. Gjithsesi, ndikimi i tyre është jo thjesht i madh por edhe shumë i pranishëm, pasi individë prej tyre erdhën dhe u katapultuan deri në krye të ministrive në qeverinë Ram pa lënë ndonjë impakt. Të tjerë kanë ardhur dhe kanë ikur shpejt, duke lënë të nënkuptohet mospërputhja jo vetëm e qëndrimeve por edhe e disnivelit të kulturës së tyre me atë që i pret në vend. Megjithatë, prezenca e tyre, thellësia e shikimit të problematikave, realitetet bashkëkohore dhe mbi të gjitha sensi për të ndryshuar vendin, që prezantojnë rregullisht, është jo vetëm i vlerësuar por edhe shumë i kërkuar. Ndaj, predispozita është përfshirja e tyre në zgjedhje dhe një sens për të treguar ndryshimin e vendit. Në një farë mënyre është bërë kredo politike. Kosova dhe Maqedonia e Veriut e kanë arritur deri më tani, prezencën e tyre në vota, madje kjo e fundit disi më të strukturuar.
Po pse diasporat janë bërë kaq aktive?! Literatura jep si argument kryesor procesin e globalizimit, i cili përveçse ka ndihur me komunikimin, shton edhe faktin e liberalizimit të linjave ajrore (më së shumti deri në vitin 2019, para pandemisë), por edhe faktin se tani interneti e përcjell tashmë vendin e origjinës 24h live. Një produkt i këtyre proceseve është një diasporë dixhitale, që mbështet interesat e përbashkëta kombëtarë dhe identitetin (merret shembulli i vendeve me kombësi shqiptare dhe sllave), shkruhet në artikullin ”The ambivalent role of diaspora engagement for the homeland in the Balkans” me autorësi të përbashkët të disa studiuesve në Ballkan. Për rolin e diasporave po flitet shumë dhe sidomos pas viteve 1990, kur Remitancat globale tejkaluan totalin e investimeve perëndimore për ndihmë bashkëpunimi. Remitancat, në mbarë botën, llogariten të jenë fluksi i dytë financiar më i rëndësishëm pas ndihmave ndërkombëtare, i referohemi po artikullit të mësipërm.
Kuptohet se një prirje e tillë nuk mund t’i linte indiferent shumë nga studiuesit, ndaj studimet lidhur me to u bënë një fushë në rritje e kërkimit në akademinë perëndimore në Evropë, duke përfshirë disiplinat e shkencës politike dhe marrëdhëniet ndërkombëtare në një hulli që ishte përqendruar deri më atëherë kryesisht në sociologji dhe antropologji, por që papritmas u bë e rëndësishme për çështjet e sigurimit dhe demokratizimit, sipas autorëve të lartpërmendur.
Për hir të së vërtetës, në muajt e fundit, remitancat kanë rënë. Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se të ardhurat neto nga ky zë në Bilancin e Pagesave për 9-mujorin 2020 kishin vlerën e 155 milionë eurove, të cilat konsiderohen në rënie me 30% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Ky është njëkohësisht niveli më i ulët i pesë viteve të fundit, kuptohet pas pandemisë dhe realiteteve të cilat po i kalon bota. Më parë, një raport i Bankës Botërore (2016), që i referohej vendeve të Ballkanit Perëndimor, shkruante se Shqipëria (12,12 përqind), Bosnja dhe Herzegovina (12,87 përqind) dhe Kosova (16,68 përqind), ishin ndër dhjetë vendet e para evropiane që marrin remitancat më të mëdha në krahasim me përqindja e produktit të tyre të brendshëm bruto (PBB), në një studim (Topxhiu & Krasniqi).
Shqiptarët zgjodhën kryesisht tre vende mes të tjerave për largimin e tyre pas viteve ‘90, kryesisht prej afërisë dhe e dyta prej mikpritjes: Greqinë, Italinë dhe Gjermania. Do të ishin të ardhurat e sjella që do të kishin një impakt të madh në zhvillimin ekonomik, edhe pse ekonomia shqiptare mbetet ende me informalitet të lartë dhe është e pamundur t’i maten si duhet shumë indikacione. Remitancat ndihën një pjesë të madhe të qytetarëve të fillonin bizneset, të rregullonin mirëqenien e tyre dhe mbi të gjitha prej fluksit të remitancave të vitit 1997 erdhi një rimëkëmbje e shpejtë ekonomike, e cila dukej utopike në ato javë ferri që kaloi Shqipëria me prishjen e skemave piramidale. Veçse në kushtet shqiptare, emigrantët nuk zgjidhnin rrugët legale, por preferonin t’i përcillnin ato vetë dorazi ose përmes të afërmve dhe shokëve, që sipas dy studiuesve që e kanë referuar, ka krijuar edhe një aspekt negativ, që do të thotë dhe krijimin e një kulture të varësisë (Topxhiu & Krasniqi 2017: 34).
Veçse, a ka mundur Shqipëria dhe Kosova t’i vendosë në eficensë apo të bëjë politika që ato të kanalizohen si duhet? Në mendimin tonë, që i referohen më së shumti një sërë autorësh që merren me këtë fushë nuk gjen se ato përdoren si duhet, përderisa është e vështirë edhe të maten, megjithëse kemi tashmë evidenca më të mira se vite më parë.
Qëllimi ynë në fakt është tjetër: A mundet kjo diasporë që jep këtë ndihmesë të shprehi vullnetin e vet? Problemi është se KQZ-ja nuk po mundet në këto realitete, falë vonesave por edhe ngërçeve politike. Duket se procedura e regjistrimit të njerëzve tanë përveç aplikimit në e- Albania mbart edhe elementë të tjerë, ku problemi kryesor mbetet mungesa e një regjistri të saktë, të njësojë votën me vend-regjistrimin. Më saktë, e cilësoi kryetari i ri i KQZ-së, Celibashi, që tha se KQZ-ja ka si detyrim për të garantuar votimin por …vetëm për pak qindra shqiptarë që kanë deklaruar vendbanimin e përhershëm jashtë territorit të Shqipërisë. Ai konfirmoi se koha është e cunguar që kjo gjë të arrihet në zgjedhjet e 25 prillit. Ndër të tjera, ai theksoi se ndryshimet në Kodin Zgjedhor nuk kanë sjellë në përmirësimin e mëtejshëm të kësaj problematike. “Ne zyrtarisht sot kemi jo më shumë 854 shqiptar me vendbanim të përhershëm jashtë Shqipërisë. KQZ duhet të hartojë votimin për këto emigrantë. Për ligjin shqiptar qytetarë që kanë vendbanim jashtë territorit të Shqipërisë në mënyrë të përhershme janë vetëm 854 vetë. Këtë duhet ta bënin të gjitha qeveritë, por edhe vetë qytetarët shqiptarë që jetojnë jashtë Shqipërisë… Për KQZ-në lind detyrimi që t’i krijojë mundësinë për të votuar të gjithë personave që kanë deklaruar vendbanimin e përhershëm jashtë Shqipërisë. Kjo duhet deklaruar dhe certifikuar si gjë. Këtë e thotë ligji”, tha Celibashi në një format televiziv, një javë më parë.
Duket se edhe këtë herë koha është kinse mungesa e madhe për të treguar se ne jo thjesht nuk do ia dalim dot, por se sërish do t’u mbetemi një borxh jo të vogël atyre që kontribuojnë aq shumë për vendin. Edhe njëherë tjetër u treguam se na duhen paratë, por aspak realisht mëndja dhe vullneti i tyre. Dhe, të mendosh se çfarë fashe e popullsisë janë, atëherë me të vërtetë frikësohesh me papërgjegjshmërinë tonë… (Homo Albanicus)