Ervin Salianji refuzon t’i përgjigjet pyetjes nëse do të garonte përballë Sali Berishës për drejtimin e PD. I ftuar në Report Tv, Salianji i përgjigjet me ironi pyetjes se çfarë do të bëjë pas prillit, kur Berisha do të fitojë sërish në krye të partisë, duke thënë se nuk do të ketë garë, pasi kryeministri Edi Rama do të bie duke qenë se PD është në kilometrin e fundit për rrëzimin e tij.
“Nuk është çështje gare, po e bëj betejën për ta bërë PD fituese. Thelbi është ta bëjmë PD fituese. Cili është interesi? Që të rrijë Rama? Të vijë PD në pushtet, nuk ka një garë në këtë moment. Në këtë moment unë jam në këtë lëvizje. Kjo është faza që unë po takoj demokratët. Ne jemi në kilometrin e fundit, unë pres të bie Rama. Si mund të flas unë për prillin. Ka një muaj që është kilometri i fundit. Nuk ka për të pasur garë se bie Rama. Mund të jenë metrat e fundit, se u bë një muaj. Unë do jem në politikë dhe në PD gjithë kohën”, tha Salianji në Report Tv.
Ish-deputeti demokrat tha më tej se partia nuk është pronë publike dhe nuk e përjashton dot njeri për shkak të mendimit.
Salianji thekson se në takimet me demokratët janë thënë të vërtetat dhe problemet me të cilat përballet PD, duke shtuar madje se sallat u mbush me shumë se vetë kreu i PD.











