“Doctor Bike” është një ndër stacionet unike të përdoruesve të biçikletave, sidomos atyre elektrike. Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, bashkëbisedoi në mjediset e këtij biznesi të themeluar nga dy të rinj, me një grup të rinjsh përdorues të biçikletave, por edhe frekuentues të kësaj hapësire, ku u shpreh krenar që sot korsitë e dedikuara të biçikletave janë kthyer në kapilarët kryesorë në çdo segment dhe lagje të Tiranës.
“Përpara 6 vitesh, të flisje për biçikletë në Tiranë ishte tabu. Po shikoja matësin e biçikletave që kemi vënë në Rrugën e Kavajës dhe shënonte 1500 përdorues vetëm në mëngjes. Qyteti humanizohet pak me korsitë e biçikletave dhe shoferët tregojnë pak më shumë kujdes, duke ulur shpejtësinë,” tha Veliaj, duke nënvizuar se dedikimi i korsive të biçikletave është edhe një mënyrë demokratike që njerëzit të ndihen të barabartë.
Ndërsa, këngëtari i njohur Roland Hysi, ftoi të gjithë të rinjtë të bëhen pjesë e nismës më të re “Tirana ecën, vrapon dhe pedalon”.
“Drejtoria e sporteve ka çelur për marsin një fushatë e cila quhet “Tirana ecën, vrapon dhe pedalon”, ku të gjithë janë të ftuar të bëhen pjesë, të hedhin rekordet e tyre, të sfidojnë shokët, të bëjnë “challenge””, u shpreh ndër të tjera Hysi.
/a.r