Nga Dritan Hila
Për të qenë korrekt me historinë, Berisha asnjëherë nuk ka shkuar aty ku rrezikohej të binte në përplasje fizike me policinë dhe të turpërohej nga veprimet e dhunshme të ndonjë polici. As kur u sulmua me arkivolin e Hajdarit kryeministria dhe as më përpara. Prononcimi i tij është përmbajtur maksimumi në tribuna dhe zakonisht në media. Berisha ka ditur të ruajë gjithmonë pozicionin e liderit. Ishin ushtarët ata që sulmonin godinat dhe policinë.
Ndërsa dje ne pamë një skenë që vërtetoi edhe një herë kush është lideri i opozitës.
Pamë sesi Presidenti i Republikës shkoi t’i dalë zot zyrave të një ish-polici duke kërkuar sherr me policët nëpërmjet kontaktit fizik dhe fjalorit të rrugës. Edhe vetë Sali Shehu u habit pse po bëhej aq e madhe ajo punë, dhe vërdallosej i habitur pas Metës që ulërinte. Skena ishte mes tragjikes dhe komikes.
Pas tij shkoi edhe Lulzim Basha. Por ky kur kishin ikur policët pasi edhe i ruhet si djalli thimjanit ndonjë shkopi qorr.
Ana tragjike e kësaj historia ishte sesi ende gjenden shqiptarë që çmojnë veprimet prej halabaku kundër institucioneve dhe degradimin e figurës së kreut të shtetit.
Ana komike ishte sesi opozita zihet për zyrat e një ish-polici që askush nuk i mban mend ndonjë fjalim apo kontribut dhe që politikisht nuk thotë asgjë vetëm se ringjall historitë e “tokës së xanun”.
Ndërsa politikisht na rikonfirmoi se lideri i opozitës është Berisha. Të tjerët janë zara. Përfshirë presidentin.
Sa për Ramën, qar më të madh se ajo skenë, vështirë se do prodhojnë ditët e ardhshme.