Një ditë më parë, Qeveria ka miratuar një Akt Normativ me anë të të cilit i jep të drejtën ministrave Arben Ahmetaj dhe Ogerta Manastirliu që të negociojnë për gjetjen e vaksinave Anti-COVID. Me këtë akt normativ, qeveria i hap kështu rrugë negocimit të shtetit tonë me kompani të tjera për siguruar vaksinën anti-COVID edhe nga shtetet që janë jashtë BE-së, konkretisht Rusia dhe Kina.
Ndërkohë që vendi pret mijëra doza nga Pfizer, AstraZeneca dhe përmes programit Covax, mjekët dhe autoritetet shtetërore janë treguar të hapur kohët e fundit në debatet publike për pranimin e vaksinave lindore në Shqipëri.
Nisur nga këto zhvillime, JavaNews iu drejtua zyrtarisht Ambasadës së Republikës Popullore të Kinës duke u interesuar nëse pala kineze do të ishte e gatshme për të ofruar një nga vaksinat e saj për Shqipërinë.
Përmes një përgjigje për JavaNews, ambasada në TIranë u shpreh se Pekini nuk ka ende një kërkesë nga qeveria shqiptare për të marrë vaksinat e prodhuara në Kinë.
Kjo përgjigjë nuk nënkupton refuzimin ose aprovimin e Pekinit për vaksinat kineze drejt vendit tonë, por lë të nënkuptohet se autoritetet shqiptare nuk kanë paraqitur një kërkesë formale për t’u furnizuar me to.
Kujtojmë se vaksinat e prodhuara nga Kina përdoren sot nga të paktën 25 shtete. Ndër më të përmenduar janë: CoronaVac, e prodhuar nga kompania bioteknologjike Sinovac; dy të tjera janë nga Sinopharm, pronë e shtetit, me njërën të zhvilluar në Institutin e Produkteve Biologjike të Pekinit, dhe tjetrën në Institutin e Produkteve Biologjike Vuhanit. Ndërkohë, CanSino ka zhvilluar një vaksinë efektive me një dozë të vetme – teknologji e ngjashme me vaksinat e zhvilluara nga Johnson & Johnson, Oxford / AstraZeneca dhe Sputnik.
/JavaNews/ A.Rada