Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha ka folur për “mafien e ndërtimit” që po tenton të përfitojë nga procesi i rindërtimit pas dëmtimeve të shkaktuara nga tërmeti i dy viteve më parë.
Duke komunikuar me qytetarët në Facebook gjatë rrugës së tij drejt Durrësit për t’u takuar me kandidatet gra të PD në këtë qytet, Basha bëri akuza ndaj Kryeministrit Edi Rama dhe ministrit të Rindërtimit Arben Ahmetaj.
Sipas kryedemokratit, procesi i rindërtimit po ecën me ritme të ngadalta, ndërsa fatkeqësia e tërmetit, sipas Bashës, por shfrytëzohet nga Rama për zgjedhjet e 25 Prillit.
“Rama edhe rindërtimin e ka parë në funksion të dy gjërave, vjedhjes dhe në funksion politik. Për Ramën rindërtimi ka qenë një mundësi më shumë për të grabitur para dhe për ta përdorur politikisht këtë fatkeqësi. Në Durrës po bëhen përpjekje për të grabitur trojet e ndërtesave që janë shkatërruar në funksion të mafies. Ne kemi një ekip të veçantë të përbërë nga ekspertë më të mirë të arkitekturës. Rindërtimi ka ngecur në vend, është mbajtur peng, ne do ta çlirojmë rindërtimin nga kthetrat e Ramës dhe do ta përshpejtojmë këtë proces. Do të çlirojmë edhe fondet e BE që vazhdojnë të mbeten pjesërisht të bllokuara sepse pjesa tjetër nuk mund t’i jepet një qeverie që ka marrë damkën si qeveri e korruptuar. 25 Prilli është një ditë për të votuar për përshpejtimin e procesit të rindërtimit në të gjitha fushat. Ju jeni 2 vjet në çadra, Shqipëria është e ngecur 8 vjet në vend sepse është në dorën e një njeriu që mendon vetëm për veten e tij. Shikoni kush i ka marrë tenderat e rindërtimit. 37 milionë Euro vëllai i Safet Gjicit. Në Kombinat duan t’i zhvendosin nga pronat e tyre sepse pronat duan t’i grabisin për projektet me mafien e ndërtimit dhe për pastrimin e parave. Keni ngelur në çadra se Edi Rama nuk e çan kokën për ju. Kjo do të marrë fund. Unë do të kem një ekip të veçantë”, u shpreh ndër të tjera Lulzim Basha.
/a.r