18 Prilli është përcaktuar si data kur nga Aeroporti i Kukësit do të kryhet fluturimi i parë. Datën e zbuloi Ministrja e Infrastrukturës, Belinda Balluku.
“Në Aeroportin e Kukësit kemi bërë testet e para sa i përket procedurës së ulje-ngritjeve. Janë në fazën përfundimtare si pista, ashtu edhe terminali. Fluturimi i parë parashikohet të jetë diku në datën 18 Prill. Pavarësisht kohës së shpejtë dhe rekord në të cilën ky aeroport do të dorëzohet janë kryer të gjithë hapat e nevojshme për të pasur operime të sigurta”.
Një tjetër projekt ku po punohet intensivisht është Aeroporti i Vlorës ku pas shpalljes së kompanisë fituese të koncesionit është parashikuar tashmë edhe data kur do të nisin punimet.
“Në datën 20 Prill do të fillojnë punimet për Aeroportin Ndërkombëtar të Vlorës”.
Pas nisjes së punimeve për aeroportin e Vlorës do të fillojnë përgatitjet për aeroportin e Sarandës.
“Nga një aeroport po përgatitemi që të kemi të operueshëm një aeroport tjetër dhe pas 3 vjetësh një aeroport tjetër dhe me shpresë brenda 5-vjeçarit, edhe aeroportin e katërt”.
Një lajm i mirë është edhe nisja prej 28 Marsit e një linje të re fluturimesh Tiranë-Dubai.
“Falë kompanisë shumë të njohur Flydubai e cila ka vendosur që të fillojë fluturimet në Tiranë nga data 28 Mars për 2 herë në javë”.
Vendosja e një linje direkte fluturimesh me Dubain pritet, sipas ministres Balluku, të ketë një impakt direkt në sektorin e turizmit, por do të jetë një ndihmë e projekteve të tjera të mëdha që kompania Emar Grup do të realizojë në Durrës dhe në Tiranë.
/a.r