Nga Adriatik Doçi
Të dënuar për vjedhje, të dënuar të shumëfishtë, zjarrvënës, njerëz më të shkuar të dyshimtë, të shkarkuar dhe të kallëzuar për shpërdorim detyre etj., do të garojnë në zgjedhjet e 25 prillit për t’u bërë pjesë e parlamentit të ri, me firmën Lulzim Bashës dhe nën siglën e Partisë Demokratike.
Madje, disa prej tyre, për shkak të renditjes në zona fituese, pothuajse e kanë të sigurt që sot mandatin e deputetit. Në Fier, Lulzim Basha ka vendosur të gjashtin në listë Agron Kapllanajn, i dënuar me dy vite burg për vjedhje, në vitin 2003, në Itali. Në formularin e dekriminalizimit, kandidati i PD thotë se është dënuar me 2 vite burg dhe 200 euro gjobë, për veprën penale të vjedhjes, parashikuar në nenin 624 të Kodit Penal Italian.
Ngjarja ka ndodhur 26 korrik të vitit 1995, ndërsa gjykata e ka dënuar në 7 prill 2003. Në të njëjtin formular, kandidati i PD-së thotë se është dënuar për veprën penale të pushtimit me dhunë të pronës private në Itali, parashikuar në nenin 634 të Kodit Penal Italian, por duket se kemi të bëjnë për një vepër penale, atë të vjedhjes. Edhe pse në dijeni të të kaluarës së Kapllanajt, Basha e ka kandiduar për deputet në Fier, duke propaganduar në të njëjtën kohë lista të pastra.
Ligji i dekriminalizimit nuk e ndalon Kapllanajn që të kandidojë për deputet, pasi vepra penale e vjedhjes nuk përfshihet në kriteret ndaluese, por kandidimi i tij, rrëzon ‘kauzën’ e PD-së për lista të pastra dhe kandidatë me integritet.
Lulzim Basha ka vendosur në krye të listës në Durrës, Edi Palokën, një personazh që shfaqet prej 30 vitesh në oborrin e PD-së, i dënuar disa herë. Përpos të tjerave, Paloka është dënuar në vitin 2001, për veprën penale të organizimit të manifestimeve të paligjshme, parashikuar në nenin 262/1 të Kodit Penal. Po në vitin 2001 është arrestuar për kundërshtim të forcave të policisë.
Në Durrës kandidon për t’u bërë deputet i PD edhe Rezart Tusha, i shkarkuar në vitin 2013 si drejtor i Burgut të Rrogozhinës dhe i kallëzuar penalisht, me akuzën se u jepte leje të paligjshme të dënuarve. Fatmir Mediu pritet të marrë mandatin e deputetit, pasi renditet i shtati në Tiranë, në një zonë të sigurt. Mediu është dënuar me 3 vite burg në Itali, në vitin 2000, për akuzën e përkrahjes së personave të inkriminuar, për t’i kaluar tranzit nga Shqipëria në Itali, me emër të rremë.
Ndërkaq, Alfred Rushaj do të jetë pjesë e parlamentit të ardhshëm, pasi renditet i treti në Tiranë. Rushaj e ka nisur karrierën në KESH, duke u shndërruar në nyje të privatizimeve të dyshimta gjatë qeverisë Berisha. Rushaj është kallëzua penalisht për aferën me CEZ, si ish z/ministër i Financave dhe anëtar i grupit të negocimit me CEZ-in, dosje e cila deri më tani ka të njëjtin fat si dosja e Gërdecit, Rrugës Durrës-Kukës dhe 21 Janarit.
Në Elbasan, Lulzim Basha ka kthyer Dashnor Sulën, një jurist i njohur, por i skeduar si një personazh problematik në stadiumet shqiptare. Në maj të vitit 2012, Sula arriri në ekstrem, pasi qëlloi me pistoletë në stadiumin e Peqinit, teksa po zhvillohej ndeshja Shkumbini-Flamurtari. Edhe pse në një pozicion jo fitues (në vendin e 19), në Tiranë është rikandiduar Gent Strazimiri, i cili doli me pistoletë në brez mars të vitit 2016, kundër ndërtimit të parkut të lojërave për fëmijë tek Parku u Liqenit. Strazimiri duhet ta kishte dorëzuar armën në polici. Ai u kallëzua në Prokurori dhe nuk dihet se si shpëtoi.
Në Korçë kandidon i treti në listë Ervin Salianji, i dënuar nga Gjykata e Shkallës së Parë ka dënuar me 1 vit burg për çështjen ‘Babalja’, por vendimi nuk është i formës së prerë, pasi është ankimuar në Apel. Lista e PD-së konfirmon synimin e Lulzim Bashës dhe Sali Berishës për strehuar në parlamentin e ardhshëm persona të botës së krimit, por është një mesazh i qartë se Berisha-Basha e duan pushtetin, për të përsëritur atë për të cilën u ndëshkuan në vitin 2013.(Shqiptarja.com)