Një tjetër “dush i ftohtë” në luftën kundër kohës për vaksinimin e popullatës brenda Bashkimit Europian erdhi sot nga gjiganti Johnson & Johnson.
Kompania farmaceutike amerikane i ka komunikuar sot Brukselit se sasia e dozave të garantuara prej tyre brenda vitit 2021, rreth 55 milionë vaksinat, për momentin nuk mund të sigurohet. Arsyeja e mungesës vjen nga vështirësitë që kompania ka për të siguruar lëndët e para të nevojshme për realizimin e vaksinës.
Lajm i hidhur për BE por edhe për vendet e tjera, nga momenti që vaksina e Johnson & Johnson, e miratuar nga Agjencia Europiane e Barnave më 11 mars, funksionon me një dozë të vetme dhe mendohej që do të ndryshonte betejën ndaj pandemisë në kontinent, veçanërisht në uljen drastike të vdekshmërisë.
Kompania nuk e tha fjalën e fundit, por pa dyshim vuri “duart përpara” në kapjen e afatit, që fillimisht mendohej të ishte qershori, dhe më pas fundi i vitit.
Bashkimi Europian është kritikuar për koordinimin e fushatës së vaksinave kundër COVID-19, aq sa disa vende po mendojnë të shkëputen nga mekanizmi i përbashkët dhe ti kërkojnë veçmas, në Izrael ose në Rusi.