Nga Artur Ajazi
Më në fund, ka dalë edhe ajo që pritej, dhe që dihej si do të ishte, lista e Partisë Demokratike. E gjitha e mbushur me ofiqarë, pashallarë dhe gërdecarë, e gjitha e stisur me taksidarë dhe zullumqarë, dhe fare pak, tek-tuk ndonjë qyqarë. Kjo pra ishte ajo që baza e asaj partie ? E një partie të kapur dhe të molepsur nga njeriu që veç përgjumjes së zakonshme, po luan kumar edhe me fatet e një force politike, e cila nuk është as e tij, dhe as e “senatorit të përjetshëm” që kërkon medoemos të jetë në Parlament edhe pas 30 vitesh. Një njollë e shtuar turpi për lidershipin e asaj partie, një shans më tepër për një fitore shumë të thellë dhe shumë bindëse për Edi Ramën. Ata që deri mesnatën e të hënës besuan se “Lulzimi kësaj here do të mbushë listat me emra dinjitozë” u zhgënjyen, u pezmatuan, dhe nisën të derdhin mllefin e tyre në rrjetet sociale dhe në celularin e kryetarit, duke vendosur pa asnjë mëdyshje, distancimin nga ajo parti.
Baza e Partisë Demokratike, nga mesnata e të hënës, është rrudhur edhe më shumë. Lulzim Basha e mbushi listën me çakenj, gërdecarë, me pazarexhinj që shesin dhe blejnë partiçka, me njerëz mbipeshë nga pasuria e madhe, dhe me emra të paskrupulltë, që janë damkosur në zonat e tyre elektorale si të korruptuar dhe pocaqi. Askush nga anëtarësia dhe militantët, nuk do të votojë emrat e Lulzimit, askush nuk do të mbushë oborret e lagjeve dhe kafenetë, ku pritet që kandidatët të lypin vota për “të rrëzuar pushtetin”. Pazotësia dhe pazari për “emrin në listë” ka qenë motua e kryetarit të asaj partie. Dhe kjo edhe për faktin e mësuar tanimë, se në minutat e fundit Lulzimi ka luajtur “shah-mat” me emra të cilët kurrsesi nuk duhej të ishin në listë në këto zgjedhje. Partia Demokratike e ka humbur shansin të fitojë ndonjëherë pushtet, me lista të tilla, që nuk të ngjallin as besimin dhe as shpresën e humbur.
Në Tiranë, Durrës, Elbasan, Fier dhe Korçë, Partia Demokratike po kandidon figura të konsumuara politikisht, aq sa baza e degëve në ato qytete, ka nisur distancimin dhe largimin nga ajo forcë politike. E mbajtur kaq gjatë dhe nën konspiracion të plotë, lista e kryetarit (pa mandat) natyrisht ka kryer disa “ecejake” mes zyrës së tij dhe asaj të Doktorit. Veç “haraçit” që kanë paguar si “kuotizacion partie” kandidatët e “rinj” do të jenë të detyruar të gjejnë para ku të mundin për të përballuar fushatën e pamundësisë. Një ç’organizim i padëgjuar, ka përfshirë pothuajse gjithë strukturat në SHQUP. E ndërsa Lulzim Basha duket sikur ka “larë duart” me listat, një gjë e papritur do të ndodhë së shpejti në partinë e tij. Reagimet dhe rebelimet nga baza (apo dhe të larguarit nga listat) pothuajse kanë trembur dhe po prishin qetësinë e kupolës drejtuese të PD.
Tanimë halli më i madh nuk janë “programi dhe premtimet”, por se si duhet të mbajnë të frenuara shpërthimet e një pjese të madhe të bazës së asaj partie, e cila përfundimisht duket se ka humbur besimin tek kryetari pa mandat, që sheh si “risi” futjen në listë të Doktorit……Tek një listë ku spikatin pashallarët dhe gërdecarët e politikës së vjetër, nuk ka si të mos ndjehesh i ofenduar dhe mashtruar.Përfundimisht, Lulzimi e ka kthyer partinë në një qendër biznesi me “kate të nëndheshme”, nga ku ai ka mbushur dhe vazhdon të mbushë thesin me “frutet” e majme të propogandës, akuzave dhe denoncimeve qesharake.