Ekspertiza në banesën e shkrumbuar ku vdiqën babë e bir konkludon ngjarje aksidentale. Sipas ekpertëve, zjarri është shkaktuar nga një masë elektrike nga furnela për ngrohje e lënë në prizë.
Ekspertën e Repartit Zjarrëfikës dhe policisë së Beratit, pas këqyrjes së banesës së shkrumbuar nga flakët e zjarrit në lagjen “Muzakaj”, ku u dogjën babë e bir, dolën në përfundimin se zjarri është shkaktuar nga një shkëndijë elektrike nga furnela me korent për ngrohje.
Sipas ekspertëve, ka qenë masa e shkaktuar në rrjetin elektrik nga furnela për ngrohje e harruar në prizë ajo që solli edhe rënien e zjarrit të menjëhershëm në orët e para të mëngjesit të djeshëm në banesën e 61-vjeçarit Jani Vangjeli, në lagjen “Muzakaj” në qytetin e Beratit.
Si pasojë e zjarrit të rënë, shtëpia u shkrumbua totalisht dhe u shemb, duke zënë brenda babë e bir: Jani e Mateo Vangjeli, përkatësisht 61 dhe 37 vjeç, të cilët u gjetën të djegur në rrënojat e banesës, pas disa orë kërkimesh nga repartet zjarrëfikëse dhe policia.
Ekpertiza ka nxjerrë edhe dëmet e shkatuara në dy banesat përreth banesës së shkrumbuar të familjes Vangjeli, ku rezultojnë të djegura mure dhe disa orendi shtëpiake. Arkmortet e dy viktimave të kësaj tragjedie, babë e bir, Jani e Mateo Vangjeli, janë përcjellë sot për në banesën e tyre të fundit, në varrezat e Suelasit.
Në banesën e shkrumbuar jetonin vetëm dy viktimat e tragjedisë dhe djali tjetër më i vogël se Mateau, Krios Vangjeli, i cili ndodhet në burgun e Peqinit, ku po vuan dënimin për tentativë vrasjeje, me dashje.
/a.r