Nga ARTUR AJAZI
Edhe në ëndërr ndoshta i del, dhe nis ta ripërsërisë parrullën e stisur “më votoni mua,unë sjell ndryshimin”. Veç kësaj fabule, ndoshta kryetari i opozitës do ta kishte të vështirë të zgjidhte mes shumë e shumë “ofertave” të bëra nga Doktori, i cili në atë parti njihet si “njeriu fushatë”. Por kryetari i opozitës, as dëgjon nga ai “vesh”, dhe ka nisur rrugën drejt finishit, (me sytë nga pushteti) drejt një rruge të re dhe të vështirë që e pret. Pa e ditur edhe vetë, ai ka larguar dhe afruar në listat emërore të kandidatëve, njerëz pa gojë, sahanlëpirës, të implikuar në raste të shumta korruptive,ose ish-eksponentë të provuar dhe të akuzuar përgjatë 8 vjeçarit kur ai ishte në pushtet. Në lagjet e qyteteve, në takimet me ndonjë fermer apo biznesmen, në bisedat e “lira” me të rinjtë, kryetari i opozitës reciton veç një gjë “votomëni mua, dhe sjellim ndryshimin, votomëni mua dhe sjellim begatinë, largojmë pandeminë”. Një gjë nuk arrij të kuptoj, në gjithë meselenë që po mundohet ta shfaqë si “fushatë” kryetari i opozitës. Si ka mundësi të afrojë “ndryshim”, një ish-pushtetar nga më të rëndësishmit në atë parti pas Doktorit, si ka mundësi të afrojë “begati dhe zhvillim” një ish-ministër, një ish-kryetar bashkie, dhe aq më tepër një kryetar opozite që nuk ka arritur të ndryshojë në gjithë këto vite forcën e tij politike ? Si ka mundësi të ketë kurajo kaq të mbimjaftueshme, një njeri që hyri në politikë rastësisht, pa asnjë fije kontributi në partinë që e bëri me goxha poste, që veç ka rritur pasurinë e tij (pas 1 milion dollarëve që kishte gjendje ditën e parë) dhe që sot betohet në “himn dhe flamur” se do të sjellë “ndryshimin” ? Hyneret e këtij kryetari, nuk kanë as besueshmëri dhe as delikatesë. Ndryshe nga çfarë ngjet me Edi Ramën, i cili të bën ta besosh tek të tregon veprat dhe jo premtimet, me kryetarin e opozitës ndodh ajo që quhet “kompesim i shqisave”. Pra atij i mungon forca bindëse, por mundohet të zbukurojë formën dhe jo përmbajtjen e premtimit,i mungon argumenti dhe ripërsërit të njëjtat gjëra, ka probleme me shifrat dhe mundohet të fshihet pas “testimeve të ulta të qeverisë”. Sipas tij “ndryshimi, bagatia dhe zhvillimi, vijnë vetëm duke votuar atë për kryeministër”, duke harruar se rruga deri atje lart, është e mundimshme. Duke mos dashur ti dekurajojmë ambicjen e tij për tu rikthyer në pushtet, apo edhe për ta provuar njëherë postin e “kryeministrit”, dua ti kujtoj kryetarit të opozitës, se deri sot asgjë nuk ka arritur të ndryshojë përgjatë viteve që ndodhet në politikë. Nuk ndryshoi gjë kur ishte ministër në qeverinë e Doktorit, nuk ndryshoi gjë kur ishte kryetar bashkie, nuk ndryshoi gjë as kur erdhi kryetar partie, veç përkeqësimit të situatës. Të ndryshosh, do të thotë të punosh, të besosh, dhe guxosh. Në rast se këto veti nuk i ke, apo je munduar ti provosh dhe ke dështuar, atëhere ndryshimi nuk është trendi yt. Gjithçka tjetër mund të bësh ti , bie fjala, lista me emra kandidatësh çdo 4 vjet që të votojnë ty edhe në gjumë, apo dhe lobing në SHBA për interesin tënd, por jo të arrish deri në “ndryshim përmes fitores”. Në politikë, “ndryshimi” është sport i rëndë kryetar, do këllqe, ndaj më mirë mos e provo…….