Nga Mero Baze
Eduard Halimi u tregua deputeti më inteligjent i legjislaturës që po shkon. Në vitin 2018, ai ndjeu se Lulzim Basha nuk kishte ndërmend të rrinte në Parlament, dhe i hapi rrugë deputetit pasardhës, duke shëndoshur dhe financat e tij.
Disa muaj më pas, të gjithë shkuan në shtëpi, por jo aq të kënaqur sa Eduard Halimi.
Për të maskuar ikjen, ai njoftoi se ishte “angazhuar në një projekt rajonal”, me pretendime të forta profesionale. Në fakt ishte e gjitha një gënjeshtër.
Ai u kthye në punën e tij private si avokat, ku është dhe sot.
Sot njoftoi se do të kthehet si Koordinator Special për zgjedhjet në PD. Ky është një post i shpikur, njësoj si arsyet që shpiku kur iku tre vite më parë.
Por në ndryshim nga shpikja e tij gjeniale, që i la mandatin e shtrenjtë në dorë Astrit Veliajt, kjo është edhe shpikje e Lulzim Bashës, e ngjashme me Komisionin “Ruli-Nishani”.
Komisioni “Ruli-Nishani” u formua që t’i hiqte ngarkesën Lulzim Bashës për listën që do të shpallë nesër dhe për ta devijuar presionin tek Komisioni.
Për fat Komisioni e mori seriozisht Lulzim Bashën dhe filloi të sillej si Komision. Por sapo mbaroi punë Komisioni, filloi punë Lulzim Basha dhe e hodhi poshtë gjithë punën e Komisionit. Ai thjesht u përdor si një mekanizëm për të shmangur presionin e listës, për shkak të përvojës së keqe të vitit 2017.
Tani e njëjta gjë po ndodh me Halimin.
Emërimi i tij si Koordinator Special për Zgjedhjet, është një vendim që nuk mbështetet, as në statutin e PD, as në ndonjë vendim të veçantë të Kryesisë, apo Këshillit Kombëtar.
Eshtë një shpikje e Lulzim Bashës për krijuar institucione fallco gjatë zgjedhjeve, që në fund përgjegjësia të mos bjerë mbi të, por t’i qetësojë Halimi.
PD e ka një ‘Drejtor Fushate’, pasi ka emëruar si të tillë Alfred Rushajn. Ka dhe koordinatorë politikë në gjithë qarqet. Ka dhe koordinator për KQZ-në që është Oert Bylykbashi. Ka dhe një kryetar partie, që është Lulzim Basha.
Pra është e qartë që nuk ka nevojë për një shpikje të tillë, por Lulzim Basha ka nevojë për të shpikur një detyrë që të duket se po punon për sigurinë e zgjedhjeve ndërsa Eduard Halimi ka nevojë të shfaqet sërisht në oborin e PD, si njeri që ka ndihmuar për zgjedhjet.
Në fakt kështu e pati filluar dhe në vitin 2003. Shfaqej në oborrin e PD sa herë dëgjonte që ndonjë kandidat i PD në zgjedhjet e 2003 s’kishte avokat në gjykatë.
Dhe e dërgonin të ishte aty. Falë kësaj, më 2005 kapi postin e zëvendësministrit të Drejtësisë dhe pasi dha ‘prova” në konfliktin me Shkëlzenin dhe ortakun e Shkëlzenit për një tokë tek Liqeni, duke ja fal pjesën e tij ortakut të Shkëlzenit, kaloi ministër Drejtësie ndërsa ortaku i zyrës së tij Nikolin Jaka, që refuzoi, përfundoi në burg.
Prandaj mos vrisni shumë mendjen se çfarë është posti i ri që mori Eduard Halimi. Eshtë “një shishe bosh në radhën e qumështit”, që ai vë para çdo palë zgjedhjesh. Një radhë që ndoshta nuk do vijë më 25 prill.