Nga Skënder Minxhozi/
Ambasadorja amerikane në Tiranë Juri Kim ka postuar në orët e fundit një mesazh sfidues ndaj Kinës, në vijim të një deklarate të Sekretarit Amerikan të Shtetit Blinken për të njëjtën temë. Në kushte e rrethana të tjera, një postim i tillë i zonjës Kim do të ngjante thjesht si një paralajmërim rutinë ndaj Kinës, si ato që administrata Trump ka prodhuar thuajse çdo javë në katër vitet e shkuara.
Por kur dihet se Shqipëria ndodhet këto orë në një kërkim të dëshpëruar për vaksina kundër pandemisë së Covid që e ka goditur gjithnjë e më seriozisht vendin tonë, ky postim i ambasadores ngjan si një paralajmërim i kriptuar për përpjekjet që thuhet se po bëhen këto orë nga qeveria jonë, si shumë vende të tjera evropiane, për të gjetur vaksina alternative, ndaj atyre të prodhuara në vendet perëndimore.
Juri Kim dhe SHBA kanë gjithë të drejtën e tyre të mbrojnë interesat dhe tregun e madh amerikan nga mallrat kineze, ashtu si edhe vendet e punës në SHBA, nga kostot e ulëta të prodhimit që ofron tregu gjigand kinez. Këto dhe të tjera çeshtje, që kanë të bëjnë edhe më sigurinë e garën e zonave të influencës në zonën e Paqësorit e më gjerë, janë normalisht në optikën dhe shqetësimin e një fuqie globale si Shtetet e Bashkuara. Në këtë përplasje gjigandësh edhe Shqipëria e vogël do të duhej të mbante pozicionin e saj modest si anëtare e NATO-s dhe aleate e SHBA.
Por nëse mesazhi i fundit i ambasadores Kim përfshin në një mënyrë a një tjetër edhe garën aktuale botërore për vaksina, ky do të ishte një gjest jo mbështetës dhe pozitiv për shqiptarët. Prej muajsh qeveria e jonë është pozicionuar fort në fokusin për të thithur dhe përdorur vetëm vaksina të prodhuara në vendet perëndimore. Ka qenë një sakrificë me kosto për jetët e shqiptareve, por që respektonte angazhimet strategjike të vendit tonë në një kontinent si Evropa dhe në një rreshtim shtetesh perëndimore që ndajnë vlera dhe aspirata të përbashkëta.
Por vetë pandemia dhe mungesa therëse e vaksinave, duket se ka shbërë shumë nga ky angazhim i Shqipërisë, duke e kthyer atë në një pozicionim të njëanshëm, që nuk gjeti përgjigjen e vendeve të BE apo edhe të SHBA. Në kushtet kur vende si Kanadaja kanë porositur pesefishin e vaksinave që ju duhen, në kushtet kur administrata e re Biden po kërkon të bllokojë daljen jashtë të vaksinave që prodhohen në tokën amerikane, apo kur vendet evropiane janë në kaos total sa i përket shpërndarjes dhe aplikimit të vaksinave në popullatat e tyre – çfarë mund të bëjë një vend i varfër dhe i dobët si Shqipëria?!
Covid 19 e vuri botën përballë sfidës së jetës. Dhe kur gjërat krahasohen me vlerën e jetës, në rastin më të mirë relativizohen. Në të dalë të dimrit, edhe në shqiptarët, që kemi marrë deri më sot tre apo katër çanta shpine me vaksina Pfizer, kemi të drejtën të shohim rrotull për zgjidhje të tjera.
Rivaliteti SHBA-Kinë nuk preket askund nga fakti nëse ne shqiptarët, ashtu si hungarezët, sllovakët, serbët, turqit apo nesër edhe gjermanët e italianët, i hapin derën vaksinave lindore. Ka vend dhe kohë plot, për ta treguar besnikërinë tonë ndaj Perëndimit. Të dalim një herë gjallë nga kjo e keqe e madhe që na ka mbyllur brenda.
Mobile Jeter nuke kapsalis pazar