Kryeministri Edi Rama, duke folur mbi procesin e rindërtimit pas tërmetit deklaroi se opozita është e njohur për shkatërrimet e bëra dhe nuk ofron garanci për njerëzit.
“A ka ndonjë që mendon se nëse ajo fatkeqësi, apo një çfarëdo fatkeqësi që bie në 3:00 të natës, mund ta zgjojë Lulzim Bashën?! A ka ndonjë që mendon se Basha ka fuqi të lërë gjumin dhe të shfaqet, jo thjesht për të dalë në TV, por të jetë aty derisa familja e fundit të strehohet?!”, pyet Rama duke thumbuar kryedemokratin.
Rama e ilustron dallimin mes tij dhe Lulzim Bashës, me atë të një mjeku me një infermier, apo të një mësueseje anglishteje me një mësuese arabishteje.
“Nëse në 25 prill fatet e vendit bien në duart e atyre që janë të njohur për shkatërrimet që kanë bërë…Nëse pyesim vetën çfarë garancie kanë dhënë këta njerëz për t’iu besuar ecurinë me sukses të këtij procesi transformimi nga ku ne po dalim më të fortë, nga ku çdo familje po del më e fortë, është e pamundur!
Më lejoni që t’ju them të gjithëve atyre që janë të pavendosur, që mendojnë se është më mirë të mos votojnë fare, pyetja ime është shumë e thjeshtë, nëse keni nevojë për një mjek dhe mjeku qëllon të jetë socialist, e ndërkohë aty pranë keni një veteriner që është demokrat që i përket partisë tuaj, kë do të merrni për të afërmit tuaj?”, pyet kreu i qeverisë.
“Po nëse doni të çoni fëmijën të mësojë anglisht, dhe mësuesja e anglishtes qëllon që të jetë e partisë së Edi Ramës, i atyre komunistave të padureshëm, dhe aty që keni një mësuese arabishteje.
Do të merrni mësuesen e arabishtes për të mësuar anglisht?! Çfarë rëndësie ka se çfarë jam unë, se cilën parti përfaqësoj unë, nëse unë dhe partia që përfaqësoj kemi dhënë të gjitha provat se nuk ka dikush tjetër që të bëj punën tonë, që të jetë aty kur bie tërmeti, kur pllakos pandemia”, vijon ai.
/a.r