Ish deputeti i PD Halim Kosova është shfaqur tepër i zhgënjyer në emisionin “Open” për shkak të mosvlerësimit të Lulzim Bashës.
Teksa nënvizon faktin se Basha e kishte vënë sekretar të Albana Vokshit në departamentin për shëndetësinë në PD, gjë që e kishte refuzuar, Kosova nuk ka munguar t’i përgjigjet dhe gazetares e cila kërkoi të dinte nëse ishte kandidat për deputet me PD.
Kosova e mohoi një ftesë të tillë, ndërkohë që nënvizon faktin se gjithnjë e shmangin.
“Unë kam projekte të rëndësishme për shëndetësinë, reforma në të cilën nuk ka anësi politike por ëhstë në shërbim të qytetarëve.
Këto projekte, bashkë dhe me ato të USAID për Shqipërinë unë dua t’i ve me patjetër në shërbim të qytetarëve, në shërbim të shendetit të tyre, në shërbim të popullit tim.
Nëse PD nuk më therret, atëherë për hir të shëndetësisë dhe implementimit të projekteve në favor të saj, jam i detyruar të ndryshoj “ekip” dhe ti përgjigjem çdo ftese”, tha mes të tjerave Kosova.
Insistimit të moderatores nëse do të pranonte ftesën e kryeministrit Edi Rama për të kontribuar në PD, Kosova iu përgjigj: “Pa diskutim që po, edhe në PS. Edi Rama është politikani që më ka vlerësuar më shumë që kur ka qënë kryetar bashkie. Këtë ia kam thënë dhe Bashës, që pse nuk më vlerëson partia ime”!
Ish deputeti i Partisë Demokratike Halim Kosova gjatë një bisede televizive sqaroi se nuk do ta harronte momentin kur ishte vlerësuar nga kryeministri Rama. Ai u shpreh se Rama ka folur gjatë rreth kontributit të Kosovës në fushën e shëndetësisë.
Kosova nënvizoi se: “Nuk do ta harroj atë moment tek 15-katëshi. Kur ai foli për mua dhe donte të më prezantonte, po thoshte ‘tani e ka radhën mjeku Halim Kosova…’ dhe unë llogarita hapat për të shkuar deri atje.
Por, ai foli shumë gjatë dhe unë nuk e prisja që të fliste aq gjatë dhe mbërrita më para. Kur shkova pastaj, thashë duke qeshur ‘më falni por dukem si një fëmijë premature, se erdha para kohe’.
Dhe qeshëm içik. Unë u kam thënë edhe atyre të PD-së. Më vjen inat se unë përpiqem që të dalë mirë partia ime, aty ku jam unë, por u kam thënë që ‘më vjen inat se më shumë më vlerëson Rama se sa këta këtu ku jam.”