Vojo Bregu, ish-sekretar i përgjithshëm i institucionit të ministrisë së Bujqësisë, është kallëzuar në Prokurori rreth tre javë më parë .
Shkak i këtij kallëzimi janë shkeljet dhe abuzimet me detyrën kur ministria e Bujqësisë drejtohej nga Edmond Panariti, por në fakt në atë kohë ministër thonin se ishte Vojo Bregu, sekretari i përgjithshëm i institucionit, i cili tashmë ka përfunduar në prokurori.
CNA.al ka mësuar se rreth 20 ditë më parë është kallëzuar në prokurori nga ministria e Bujqësisë Vojo Bregu, për shpërdorim detyre dhe shkelje të barazisë në tendera.
Auditimi i KLSH-së ka nxjerrë në pah abuzimet e Bregut në disa tendera. Sipas KLSH-së, Bregu ka bërë shkelje të rënda ligjore në prokurime të zhvilluara kryesisht me negociim pa shpallje paraprake dhe fond limit 525 milion lekë pa tvsh të këtij tenderi.
Abuzime janë gjetur edhe në prokurimin e “blerjes së pajisjeve për shërbimin veterinar”, ku fondi i përcaktuar është dy herë më i lartë se ai i tregut. Procedura është sërish negociim pa shpallje paraprake të njoftimit të kontratës. Shkelja më flagrante e konstatuar është mosargumentimi i nevojave të emergjencës, pasi fondet ishin të parashikuaar dhe nuk ndodheshin para rastit të nevojës immediate.
Në tenderin për “sistemin e monitorimit me kamera të hidrovoreve”, KLSH ka vërejtur problematika të mëdha për plotësimin e kritereve nga kompania fituese. Katalogët e pajisjeve nuk janë të përkthyera në gjuhën shqipe dhe nuk është argumentuar ftesa për negociim. Oferta fituese është në vlerën 99% të fondit limit, duke krijuar dyshime se kjo garë ka qenë me fitues të paracaktuar.
Po ashtu, edhe në procedurat e prokurimit “blerje kafshe të llojit gjedh për dëmshpërblimin e fermerëve të dëmtuar nga dermatoza nodulare e gjedhit” janë vërejtur shkelje. Në këtë tender mungon baza ligjore për miratimin e fondit, që është dy herë më i lartë se çmimi i tregut.
Nga auditimi është gjetur se tenderat janë fituar nga bashkimi i operatorëve “Arli International” dhe “Genap Group”, në kundërshtim me ligjin, pasi rezulton se nuk janë plotësuar kushtet, duke qenë se operatori ka pasur mungesë të eksperiencës, detyrime të papaguara ndaj strukturave shtetërore, mungesë të punonjësve të kualifikuar dhe nuk ka dorëzuar dokumentacionin e nevojshëm si vërtetimi i bilanceve.
Menjëherë pasi është njohur me auditimin dhe me shkejet e lartpërmendura, ministria e Bujqësisë ka kallëzuar penalisht Vojo Bregun.
Ky është një tjetër zyrtar i LSI që përfundon pas akuzave për shpërdorime me detyrën. Ai shpesh ka qenë një personazh i përfolur për korruspion dhe me shumë bëma e gjëma në ministrinë e Bujqësisë, por tashmë akuza duket e qartë, ministria ka bërë kallëzimin e tij, i cili është marrë për tu proceduar nga Prokuroria.
Ditët e fundit Bregu është shfaqur nëpër media duke kërcyer nga belaja. Në ekrane ai është shfaqur sikur po bën opozitarizëm, por mesa duket për të shpëtuar lëkurën nga akuzat edhe Vojo kërkon ta çojë vëmendjen te politika pasi dosja e akuzave ndaj tij përmban rreth 500 faqe dhe Vojo Bregu duket i zhytur deri në fyt./ CNA.al