Interneti ishte gjëja e vetme që pati sukses në pandemi. Linja nuk ra kurrë dhe ashtu siç tha dhe profesor Yuval Harari ishte fakti se interneti e përballoi shtimin e trafikut, çka mundësoi të vazhdojmë jetën tonë në një dimension virtual që na lejoi të mbrohemi ndaj virusit. Nëpërmjet teknologjisë dhe veçanërisht internetit ne kemi arritur të tejkalojmë sfidat dhe pengesat e pakapërcueshme për njerëzimin deri pak vite më parë.
Takimet virtuale dhe konferencat në Zoom, komunikim social me miq dhe të afërm online, porosi nga shtëpia, ishte një lloj çlirimi, komoditeti dhe formë mbijetese në kushtet e një kërcënimi vdekjeprurës.
Në këtë valë RCC me shqiptaren Majlinda Bregun hapi dyert për inovatorët e rajonit duke dhënë mundësi për punë, por sidomos ide të reja që sjellin me pranë vendet e rajonit dhe më shumë inovacion.
Balkathon dhe Futourismo ishin dy iniciativat e RCC, të drejtuar nga Majlinda Bregu gjatë vitit pandemik. E para ishte një thirrje për idetë inovative të të rinjve të fushën e teknologjisë dhe fituesve u garantohej një partneritet me RCC për të zhvilluar deri në fund idetë e tyre duke pasur të gjithë mjetet logjistike dhe financiare të nevojshme për të arritur këtë qëllim, në një rajon ku kjo mbështetje është shumë e nevojshme.
Ndërkohë, Futourismo ishte një thirrje e ngjashme, por ashtu si dhe mund të kuptohet nga emërtimi i projektit kishte të bënte me inovacionin teknologjik në fushën e turizmit, një sektor i cili vuajti së tepërmi nga situata e pandemisë dhe lockdown-et që e shoqëruan.
Sot u ndanë fituesit, të cilët paraprakisht ishin parashikuar të ishin 6, por në fund u vendosën 7 për shkak të ideve shumë të mira dixhitale që u ofruan dhe që nuk mund të diferencoheshin nga cilësia.
Idetë fituese nga grupet e Ballkanit Perëndimor të cilët morën pjesë në konkurs ishin:
– Guidi, me projektin Veni, Vidi, Guidi.
– BIB Team, me projektin Be in Balkan Mobile Application
– Digital Clinic, me projektin e-Health Tourism
– TED Team, me projektin Safe Traveling western Balkans
– Sanatec7, me projektin VIRTUAL CULTURE
– Meanderbug, me projektin Meanderbug App
– BALKAN SPECIALISTS, me projektin WB6 BALKAN DAILY TOURS
Bëhet fjalë kryesisht për aplikacione që do të integrojnë dhe do e bëjnë më të aksesueshëm sektorin e turizmit si dhe promovimin e vlerave të rajonit nëpërmjet marketingut virtual.
“Unë i përgëzoj fituesit, por dhe të gjithë pjesëmarrësit e Futourismo-s. Pandemia u shpërnda në të gjithë botën si një zjarr në një natë të nxehtë vere dhe mori jetë, punë, plane, ngriu gjithçka. Dhe turizmi në rajonin tonë pagoi një kosto shumë të madhe. Ballkani Perëndimor është zona më e prekur në kontinent për nga rënia e numrit të udhëtarëve të huaj. Pjesa më e madhe e rezervimeve u anuluan çka vuri në rrezik mbijetesën e pjesës më të madhe të agjencive.
RCC do të vazhdojë të krijojë rrjete profesionistësh në rajon. Konkurrueshmëria e gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor në turizëm është i lidhur ngushtësisht me qendrueshmërinë dhe do të mbështetet edhe më tepër nëpërmjet Tregut të Përbashkët Rajonal. FUTOURISMO do të vazhdojë të rritet në të ardhmen dhe do të ftojë profesionistët e rinj të investojnë energjinë dhe kreativitetin e tyre për të gjeneruar zgjidhje dixhitale që mund të ndihmojnë turizmin. Të shohësh kaq shumë talent dhe aftësi dixhitale na jep sigurinë se e ardhmja e turizmit në rajonin tonë është në duar të sigurta.”- ka thënë Bregu.