Vettingu dhe largimet nga detyra po fusin në kolaps Gjykatën e Apelit në kryeqytet. Numri i gjyqtareve është ulur ndjeshëm. Në Apel aktualisht ushtrojnë detyrën 9 gjyqtarë, kur në organigramën e saj duhet që të jenë 31.
Por edhe nga ata që janë në detyrë, Elona Toro, Genti Shala dhe Valedete Hoxha, e kanë kaluar vettingun në Shkallë të Parë, por janë ankimuar nga Komisioneri Publik në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit. Ndërsa Elbana Lluri është konfirmuar nga KPK, por akoma nuk ka marrë vendim të formës së prerë vendimi.
Ndërkohë vetëm Zegjine Sollaku nuk është përballur me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit. Ndërsa të konfirmuar në detyrë me vendim të formës së prerë janë Edlira Petri, Ridvan Hado, Asim Vokshi dhe Artur Kalaja.
Aktualisht në Apel mund të formohen vetëm 3 trupa gjykuese, por nëse do të vijojnë shkarkimet, atëherë kjo gjykatë do të dalë jashtë funksioni dhe mund të mos shqyrtohen as ankimet e vendimeve të dhëna nga Shkalla e Parë.
Burime zyrtarë thonë për Klan News se në sirtarët e kësaj gjykate janë rreth 15 mijë dosje që presin për t’u shqyrtuar. Çështjet më të vjetra që rrinë në arkivë janë ato të vitit 2016. Disa herë është shpallur vakanca nga Këshilli i Lartë Gjyqësor, por interesi ka qenë shumë i ulët.
Po ashtu edhe Gjykata e Posaçme e Apelit është me 5 gjyqtarë, disa prej të cilëve kanë kandiduar për në Gjykatën e Lartë. Edhe kjo gjykatë është në rrezik të madh pasi nuk ka kandidatë dhe për çështje të caktuara janë deleguar gjyqtare nga Apeli te e thjeshta. Thuajse në të njëjtën situatë është edhe Gjykata Administrative e Apelit. Stoku i dosjeve ka kaluar mbi 16 mijë.
Ndërkohë numri i gjyqtarëve vjen duke u ulur për shkak të vettingut. Ndërsa Apeli i Korçës është vetëm më një gjyqtar, Olsi Xhavellën, i cili do të përballet me shkallën e parë të vettingut në 3 Mars. Në Gjykatën e Apelit Korçë janë zhvilluar gjyqet me gjyqtarë të komanduar.
/a.r