Jozefina Topalli tha mbrëmjen e së premtes se vendimi për krijmin e “Lëvizjes për Ndryshim” erdhi pas analizimit të situatës në vend.
Për “Java në RTSH”, Topalli u shpreh se sot Shqipëria drejtohet nga njerëz të pa shkolluar dhe pa vlera në shoqëri. Ish-kryeparlamentarja theksoi se opozita e Lulzim Bashës ka dezertuar nga detyrat e saj.
Ajo tha se treshja Rama-Basha-Meta merren vesh mirë bashkë, apo e shantazhojnë mirë njëri-tjetrin duke krijuar një situatë të paprecedentë në politikën shqiptare.
“Ne kemi një qeveri që nuk qeveris, por edhe një opozitë që ka dezertuar nga detyra e saj dhe e ka lënë të lirë Edi Ramën duke ia dhuruar të gjithë Parlamentin, bashkitë dhe Këshillat Bashkiakë. Pra opozita është larguar nga beteja dhe ska më asnjë hapësirë për t’ia kufizuar qeverisë epshin për të abuzuar” – tha Jozefina Topalli.
Duke komentuar vendimin për të krijuar një forcë të re politike, ish numri dy i Partisë Demokratike tha:
“Ndryshimi bëhet ose duke ndryshuar brenda për brenda një forcë politike, ose duke krijuar një forcë të re. Sepse duke mos pasur alternativë tjetër përveç Lulzim Bashës, Ilir Metës dhe Edi Ramës, ekziston rreziku që qytetarët rrijnë në shtëpi dhe të mos votojnë” – u shpreh ajo për ‘Java në RTSH’.
g.kosovari