Monika Kryemadhi ka folur për gazetaren Alba Alishani për mënyrën se si LSI-ja ka planifikuar të maksimalizojë votën e saj në këto zgjedhje parlamentare.
Sipas Monika Kryemadhit, LSI ka në fokusin e saj socialistët e zhgënjyer nga Rilindja, të cilët në këto zgjedhje do të përfaqësohen po ashtu nga ish-zyrtarë të lartë të PS-së, të larguar së fundmi.
“LSI ka në fokusin e saj në këto zgjedhje socialistët e zhgënjyer të cilët në këto zgjedhje janë në një numër shumë të madh. Socialistët ndihen shumë komodë me Monika Kryemadhin, Luan Ramën dhe shumë të tjerë pjesë të LSI-së. Ka nevojë për përfaqësi. Në Tiranë kandidon Blerti Liçaj, i cili vjen nga PS, Etjon Joka që ka qenë kryetar i PS në njësinë 1 etj.”, tha Kryemadhi.
Gjithashtu, kryetarja e LSI-së shtoi se nuk ka për qëllim ta çojë Partinë Socialiste për skrap në zgjedhjet e 25 prillit, duke parashikuar se ajo me shumë mundësi mund të dalë dhe forcë e tretë.
“Qëllimi ynë nuk është të çojmë PS-në për skrap, por t’i rikthejmë identitetin e tyre dhe të largojmë atë ndotje që ka bërë sekti i Rilindjes, vlerave të saj. Unë e kam nisur jetën që 16 vjeç në PS. Socialistët e kanë të lehtë për të lexuar për kë punon Rilindja. Kush socialist është në qeveri? Kush biznes socialist përfiton nga vendimet e Edi Ramës? Bizneset socialiste sot janë më të egrit kundër Edi Ramës. Ky është një moment për t’u bërë bashkë kundër një sekti kriminal që ka bllokuar ekonominë. Përfaqësuesi i PS-së në Bashki akuzohet për lidhje me ‘Ndrangheta-n dhe pastrimin e parave të mafies”, përfundoi Kryemadhi.
/a.r