Shqiptarët shohin më shumë Edi Ramën se sa Lulzim Bashën si të përshtatshëm për të qenë kryeministër, ndërkohë që më shumë se çereku i tyre – kryesisht të rinj – nuk vlerëson asnjërin si të tillë.
Kjo u vu re nga sondazhi i dytë i Euronews Albania kryer nga kompania prestigjioze MRB dhe publikuar në emisionin Barometri Politik.
Për Ramën 42.4% e të pyeturve janë shprehur se e shohin atë të përshtatshëm për të drejtuar qeverinë e vendit, ndërsa për Bashën 28.1%.
Kryeministri aktual pati mbështetje më të madhe në grup-moshën 25-34 vjeç, (47.1%) dhe grupmoshat 55-64 e 65-75 vjeç (46.5 dhe 44.7%).
Kryetari i PD-së, edhe pse me një përqindje më të vogël, mbështetjen më të madhe e ka në grup-moshat 45-54 vjeç (35%) dhe 55-64 vjeç (31.2%).
Ndër personat që i shohin të papërshtatshëm të dy udhëheqësit politikë (27.95% e të pyeturve), bie në sy se grup-mosha 18-24 vjeç, e cila përmban edhe kategorinë e votuesve të parë në këto zgjedhje parlamentare. Kjo grup-moshë ka përqindjen më të madhe refuzuese ndaj dy liderët (43.9%), ndjekur nga grup-mosha 35-44 vjeç (31.7%).
Të pyetur për partinë më të përshtatshme sipas tyre për të qeverisur vendin, shumica janë përgjigjur për PS-në (46.4%), me një rritje prej 1.7% krahasuar me sondazhin e parë të 21 janarit, ndërsa për PD-në janë përgjigjur thuajse njësoj sa në sondazhin e parë (30.1%) – me rritje prej vetëm 0.1%.
Në këtë pyetje bie në sy rënia e LSI-së në 7.2% (-4.1% nga 11.3% që ishte) dhe rritja e PDIU-së në 2.8% (+1.3% nga 1.5% që ishte).
Metodologjia
Sondazhi i kombëtar i Euronews Albania në bashkëpunim me kompaninë prestigjioze MRB zhvilloi 1,600 intervista ballë për ballë me persona me të drejtë vote (mbi 18 vjeç) në 12 zona elektorale urbane dhe rurale nga 25 janari deri më 12 shkurt.
Nga të intervistuarit, diçka më shumë se gjysma ishin femra (51%).
Preferenca për koalicionet, performancën e qeverisë dhe opozitës, si dhe prirja e votës ishin disa nga tematikat kryesore që u morën nën analizë, rreth dy muaj para zgjedhjeve të përgjithshme në vend.
/a.r