Qeveria shqiptare ka nisur një përpjekje të re për riatdhesimin e grave dhe fëmijëve të mbetur në Siri.
Ministri i Brendshëm Bledi Çuçi po zhvillon këto ditë një vizitë në Liban.
Qëllimi kësaj vizite lidhet me krijimin e kushteve për të marrë nga kampet Al Hol dhe Roj të të gjithë grave dhe fëmijëve shqiptarë.
Vetë ministri Çuçi ka zbardhur mbrëmjen e sotme detaje nga vizita e tij në Beirut:
Në vijim të angazhimit të qeverisë shqiptare për riatdhesimin e shtetasve shqiptarë që ndodhen në kampet siriane, prej dy ditësh ndodhem në Beirut.
Bashkë me Konsullin e Përgjithshëm të Shqipërisë në Liban, Marc Ghorayeb dhe Drejtorin e Drejtorisë së Antiterrorit në Policinë e Shtetit, Gledis Nano, zhvillova një takim me drejtorin e përgjitshëm të sigurisë në Liban, Gjeneral Major Abas Ibrahim.
E falenderova Gjeneralin për gjjthë kontributin e tij të çmueshëm në këtë proces dhe e garantova për vijimin e bashkëpunimit mes dy vendeve tona në çështje të sigurisë dhe sidomos në finalizimin me sukses të këtij operacioni të vështirë në një kohë sa më të shkurtër.
Vizita në Beirut është gjithashtu tregues domethënës i këmbënguljes së qeverisë shqiptare për riatdhesimin e shtetasve shqiptarë nga Siria. Do të punojmë me po të njëjtin përkushtim dhe vendosmëri për të finalizuar me sukses edhe këtë operacion ashtu sikundër bëmë radhën e parë.
/a.r