Ditën e sotme ka nisur procesi i vaksinimit kundër koronavirusi edhe në Berat.
Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu tha se janë 150 vaksina të para për bluzat e bardha në Berat.
“Sot kemi filluar me 150 vaksinimet e para për bluzat e bardha, në polin tjetër të vaksinimit në Berat. Së bashku me vaksinat që do të kryejmë sot arrijmë në 10 mijë vaksinime, dhe zgjerohemi me vaksinimin e personelit shëndetësor, të cilin tashmë e kemi shtrirë tek mjekët dhe infermierët e kujdesit parësor, po përfundojmë spitalet dhe brenda 15 marsit përfundojmë angazhimin tonë për vaksinimin e gjithë personelit mjekësor dhe vijojmë shtrirjen tek moshat e treta, mbi 80 vjeç, dhe kështu me radhë”, tha Manastirliu.
Sa i përket vaksinimit masiv, Kryeminitri Rama tha se pritet të ndodhë gjatë muajve të pranverës.
“Duhet të përgatitemi për të patur një rrjet kapilar, të përfshijmë edhe ushtrinë edhe studentë të infermierisë në mënyrë që gjithë këtë periudhë të pranverës ta kthejmë në një peridhë vaksinimi intensiv dhe t’ja dalim që të kemi një pozicion shumë lart në klasifikimin e vendeve për nga efiçenca e bërjes së vaksinës”, tha Kryeministri Rama.
/a.r