Nga Artur Ajazi
E ndërsa Lulzim Basha ka nisur ditë pas dite, prezantimin e pikave të “programit të ri” elektoral, dhe i është mbushur mëndja “top” se “kësaj here marr pushtetin dhe rrëzoj Ramën”, nuk e di se e keqja më e madhe e tij nuk është Partia Socialiste, por partitë e reja. Ato lindën dhe ishin si një “krisje” e madhe për Partinë Demokratike, e cila edhe më parë e ka provuar sa i kushton ndarja dhe lufta brënda llojit. Partia e Murrizit, Patozit dhe Topallit, realisht mbledhin pothuajse 35 deri 40 per qind të votave të Partisë Demokratike në këto zgjedhje.
Me një eksperiencë të konsiderueshme politike dhe drejtuese, Patozi, Topalli dhe Murrizi, kanë arritur tashmë të mbledhin rreth tyre emra dhe figura të njohura intelektualësh të cilët dikur Lulzimi dhe Berisha i flakën si zëra kundër brënda partisë. Pothuajse në çdo qytet, partitë e reja kanë degët dhe përfaqësuesit e tyre. Të mos harrojmë se prej 2013 deri sot, janë mbi 240 mijë vota të “firuara” nga Partia Demokratike, të cilat shkuan majtas, me gjasë që një pjesë e tyre, ti kalojnë partive të Murrizit, Patozit dhe Topallit në 25 Prill. Halli dhe problemi më i madh i Lulzimit nuk janë Rama dhe qeveria e tij, por pikërisht partitë e reja, që lindën si pasojë e keqdrejtimit dhe luftës klanore brënda PD.
Votat e saj Partia Socialiste i ka të plota dhe të sigurta, madje do të marrë vota edhe nga LSI apo dhe një pjesë e demokratëve të zhgënjyer. Zgjedhjet e 25 Prillit, pritet të shpërbëjnë strukturalisht Partinë Demokratike, duke forcuar ndjeshëm partitë e reja të dala prej saj, duke formëzuar në Parlamentin e ri një opozitë të re. E ardhmja e Partisë Demokratike mbetet dalja forcë e tretë ose e katërt politike pas 25 Prillit, dhe shpërbërja totale e LSI-së. Loja e ndyrë me “aleanca dhe koalicione”, fashitja e aksioneve opozitare dhe braktisja e misionit të saj, shterruan mbështetësit ndaj një opozite rruge, e cila ende ka në “gjumë” kryetarin e saj pasionant ndaj pushtetit dhe parasë. E ndërsa Rama ndërton, rindërton, investon, vaksinon, takon dhe bashkëbisedon me qytetarët, Lulzim Basha ka nisur kuturru marshimin e tij grotesk drejt “pushtetit”. Me një miopi të madhe politike, ai nuk e ka menduar kurrë, se pas 25 Prillit, do të jetë thjesht një deputet i zgjedhur me pahir, por kurrë kryetar opozite. Lulzimi nuk e ka menduar kurrë se, do të vijë dita kur ti lutet Topallit dhe Patozit për aleanca dhe bashkëpunime interesi, por do të jetë përpjekje e kotë. Partitë e reja të ish-eksponentëve të PD-së, të krijuara në prag të zgjedhjeve, padyshim kanë një diskurs tjetër nga ai i Lulzim Bashës.
Ato flasin kundër qeverisjes duke u paraqitur si alternativë opozitare, dhe akuzat e tyre i përqendrojnë tek kryetari aktual i opozitës Lulzim Basha. Ata e quajnë atë “humbës, të korruptuar dhe shkatërrues të Partisë Demokratike”. Mesazhi i tyre qartazi u drejtohet zgjedhësve demokratë, të cilët “nuk e gjejnë më vehten si pjesë të asaj partie të rrënuar”.